Këto dy dekadat e fundit flitet shumë për atë që ju gjuhëtarët e quani shqipe standarde, ç’është standardi?
Shqipja, njësoj si të gjitha gjuhët e botës, ekziston dhe përdoret në disa varietete, një nga të cilat është gjuha standarde. Por, ndryshe prej varieteteve të tjera, gjuha standarde është krijuar nën ndikimin e drejtpërdrejtë të elitave të shoqërisë dhe funksionon nën kujdesin e institucioneve të saj.
Po çfarë e karakterizon konkretisht standardin?
Dy janë tiparet thelbësore të standardit. E para, standardi është një gjuhë e normuar apo e standardizuar (prandaj quhet gjuhë standarde). Ai ka normat apo rregullat e veta të shkrimit e të shqiptimit, normat gramatikore dhe ato të përdorimit të fjalëve, të cilat fiksohen nëpër fjalorë e manuale të posaçme. Vetëm duke qenë e tillë gjuha standarde siguron një komunikim të gjerë e të qëndrueshëm. E dyta, është një gjuhë që përdoret me disa funksione të caktuara, e konkretisht, si gjuhë e shkollës (e teksteve dhe e mësimdhënies), e masmedias, e institucioneve shtetërore etj. Pra, është një gjuhë për përdorim zyrtar e publik.
Krijimi i shqipes standarde cilësohet shpesh në shtyp si një akt voluntarist i regjimit komunist. Mendimi juaj si studiuese?
Shumë prej diskutimeve në shtyp mbi standardin janë karakterizuar, për fat të keq, nga një politizim i skajshëm dhe nga amatorizmi. Si studiuese më duhet të pohoj se shteti komunist luajti një rol shumë të rëndësishëm, vendimtar, për zgjidhjen e çështjes së standardit. Historia njeh pa fund shembuj pushtetesh të forta, shtetesh të centralizuara, që me politikat e tyre gjuhësore i kanë dhënë fund policentrizmit gjuhësor (Franca që ne shek. XVII, Anglia, Spanja etj). Por në asnjë rrethanë krijimi i një gjuhe standarde nuk ka qenë një akt i menjëhershëm. Ai është gjithmonë një proces, që ka kohën e vet për t’u realizuar, dhe përbën kontributin e shumë brezave njëherësh.
Eshtë fakt që shqipja standarde është ngritur mbi bazën e toskërishtes. Pse pikërisht ky dialekt?
Të gjitha gjuhët standarde të botës, pa përjashtim, janë ngritur a mbështetur fillimisht mbi një dialekt të vetëm. Kjo ka ndodhur edhe me shqipen standarde, e cila ka në bazë të saj toskërishten letrare, d.m.th. një varietet të kultivuar të toskërishtes. Shteti komunist pa dyshim që e përkrahu qartë toskërishten letrare si bazë të standardit të ardhshëm. Por të mos harrojmë që u përkrah një varietet, që kish gati një shekull histori shumë të spikatur lëvrimi e përpunimi.
Gegërishtja kishte një histori shumë më të gjatë kultivimi, gati katërshekullore. Pse nuk u përzgjodh ajo?
Të gjithë e dimë që gegërishtja është gjuha e veprave të para të dëshmuara në gjuhën shqipe si dhe e një kulture të shkruar me traditë qindravjeçare, e njohur si kultura katolike gege. Por përpjekjet e para dhe sistematike për krijimin e një gjuhe të përbashkët i gjejmë në Jug, mes popullsisë toske, gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare. Ideologët dhe pjesa më e madhe, kryesore, e veprimtarëve të kësaj lëvizjeje ishin toskë, përdorues të të folmeve të ndryshme toske. Po kështu, shumica e botimeve, që dolën, si gazeta, tekste e literaturë shkollore, krijimtari artistike etj., qenë në toskërishte. Qenë botime, që, ndryshe prej atyre që dilnin në gegërishte, dalloheshin edhe për frymën laike. Në fund të Rilindjes, siç na dëshmon studiuesi shqiptar Namik Resuli, por dhe studiuesja amerikane Janet Byron, toskërishtja qe lëvruar shumë më tepër sesa gegërishtja, aq sa qe krijuar një varietet letrar toskë. Pra, një varietet i përbashkët, që e përdornin shumica e toskëshkruesve.
Kjo do të thotë që gegëshkruesit nuk arritën të krijonin një varietet të vetëm?
Gegërishtja mbeti e copëzuar, pra, vijoi të shkruhej në disa trajta, ndër të cilat, megjithatë, u dalluan varianti letrar shkodran dhe elbasanishtja. Këto varietete kryen, në fakt, disa funksione publike deri aty nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore: elbasanishtja u përdor si gjuhë e administratës që nga fillimi i viteve 20 e deri në 1944-ën, kurse varianti letrar shkodran, si gjuhë e letërsisë dhe e shtypit lokal.
Duket sikur deri në Çlirim shanset paskan qenë të barabarta për të dy dialektet. Pse u privilegjua më pas toskërishtja?
Klasa e re politike, që doli nga Lufta, dhe u vu në krye të shtetit, qe në pjesën më të madhe me prejardhje nga Jugu. Popullsia e Jugut kish marrë pjesë në Luftë e kish kontribuar për çlirimin e Shqipërisë shumë më tepër sesa ajo e Veriut. Për të mos harruar pastaj edhe një fakt tjetër të rëndësishëm, që niveli i arsimimit të popullsisë së Jugut deri në Çlirim ishte deri në 10 herë më i lartë sesa ai i Veriut. Në kushte të tilla përkrahja e fuqishme e toskërishtes letrare qe më se e kuptueshme. Standardet kudo në botë janë mbështetur në dialektin e folur nga pjesa më e pushtetshme e shoqërisë. Që do të thotë se faktorët jashtëgjuhësorë luajnë një rol vendimtar në proceset e krijimit të gjuhëve standarde.
Përzgjedhja e toskërishtes, mos vallë i vë në diskutim vlerat e gegërishtes?
Kurrsesi. Vlerat e gegërishtes kanë qenë e janë të padiskutueshme. Fakti që gegërishtja nuk u zgjodh si bazë e standardit nuk do të thotë absolutisht që ajo është inferiore gjuhësisht. Nga pikëpamja e vlerave gjuhësore nuk ka dialekte, që janë “të mira” dhe të tjera “më pak të mira”. Ato janë të gjitha njësoj. Sigurisht që ka dialekte me struktura më komplekse e më të ndërlikuara se të tjerat: gegërishtja, për shembull, ka një strukturë fonetike shumë më të komplikuar se toskërishtja, me zanore hundore dhe gojore, me zanore të shkurtra e të gjata; kurse toskërishtja ka një strukturë fonetike shumë më të thjeshtë, të përbërë vetëm prej zanoresh gojore. Por kjo nuk ka të bëjë me vlerat gjuhësore në vetvete.
E, megjithatë, në shtyp flitet shpesh për diskriminimin e gegërishtes gjatë periudhës së diktaturës.
Më duhet t’ju korrigjoj: nuk u diskriminua gegërishtja, po u diskriminua, madje u godit rëndë, për arsye ideologjike dhe politike, kultura e kultivuar prej klerit katolik, që si mjet shprehjeje kishte shkodranishten. Ndërkohë të folmet gege e bashkë me to edhe shkodranishtja vijuan të gjallojnë si gjuhë e komunikimit të përditshëm, por edhe si mjet shprehjeje i krijimtarisë letrare popullore. Po kështu, edhe një pjesë e kulturës së kultivuar, siç ishte pjesërisht krijimtaria për teatrin, vijoi normalisht të shkruhej e të luhej në dialekt. Të gjithë e kanë të gjallë gjuhën e shumë personazheve të famshëm nga shfaqjet e Estradës së Shkodrës, por edhe të Durrësit e Tiranës. Ndërkaq, me përjashtim të Fishtës e Koliqit, të gjithë autorët e tjerë të rëndësishëm gegë të traditës, si Mjeda, Gurakuqi, Migjeni etj., vijuan të studioheshin nëpër shkolla.
Por, ama, pas Kongresit të Drejtshkrimit (1972) nuk gjejmë më shkrimtarë, që botojnë në dialekt, apo jo?
Në vitet 70, kur u krye kodifikimi i shqipes standarde, pra, kur u hartuan dhe u botuan normat e saj, mbizotëroi ajo që studiuesit perëndimorë e njohin si “ideologjia e gjuhës standarde”. Ka ndodhur kudo, si në shtete me regjim demokratik, ashtu dhe në shtete me regjim autokratik apo totalitar, që, në periudhat e përhapjes e të zbatimit të gjuhëve standarde, shteti, nëpërmjet propagandës, por dhe veprimtarive të ndryshme, angazhohet fuqimisht për promovimin e standardit. Në këtë kuadër, veç tjerash, ushqehet besimi në epërsinë e standardit mbi dialektet, identifikohet ky standard me gjuhën kombëtare etj. Janë, sidoqoftë, shfaqje të përkohshme, që, me forcimin e pozitave të standardit, priren të reduktohen. Thuhet se nga fjalori i shqipes standarde është lënë jashtë pjesa më e madhe e pasurisë leksikore të gegërishtes. Sa e vërtetë është kjo? Si studiuese, e them me përgjegjësi të plotë që ky është një trillim, i sajuar, në rastin më të mirë, prej padijes. Nga toskërishtja, shqipja standarde vërtet “ka huajtur” strukturën fonetike dhe gramatikore, por leksiku i standardit është “trashëgimi” prej të dyja dialekteve. Në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë ekziston një thesar i vyer kombëtar, që është një kartotekë e përbërë prej miliona skedash. Aty dokumentohet pasuria leksikore e mbarë shqipes, fjalë e kuptime të nxjerra prej gjithçkaje të shkruar e të folur në gjuhën shqipe, në gegërishte e toskërishte bashkë. Mbi bazën e kësaj kartoteke janë hartuar fjalorët e shqipes, që nga Fjalori i 1954-ës, Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe i 1980-s etj.
U la jashtë shqipes standarde edhe trajta paskajore e foljeve. A është dëmtuar standardi prej kësaj?
Struktura gramatikore e standardit, siç e thashë, është ajo e toskërishtes, kurse paskajorja është tipar i gegërishtes. Për këtë arsye ajo mbeti jashtë shqipes standarde. Ndërkohë, funksionet e saj në standard i kryen mënyra lidhore. Mbase keni dëgjuar të flitet për rifutjen e paskajores në standard. Dua të sqaroj që është një kërkesë, e cila nuk vjen “nga poshtë”, pra, nga përdoruesit e gjuhës, pasi këta nuk e ndjejnë nevojën e përdorimit të paskajores. Rifutja e paskajores është një kërkesë “nga lart”, me qëllim që të rehabilitohet ky tipar thelbësor i gegërishtes. Harrohet që ndërhyrjet në gjuhë bëhen duke respektuar prirjet e natyrshme të saj, jo duke i shkuar atyre ndesh.
Kam përshtypjen sikur këto vitet e fundit është shfaqur një lloj ekzaltimi ndaj gegërishtes. A ju duket kështu?
Sa mirë sikur të ishte vetëm ekzaltim… Por më duket se është një ekzaltim ndaj gegërishtes i shoqëruar me një agresivitet ndaj standardit. Duhet ta kemi të qartë që standardi dhe dialektet nuk janë dy entitete të barazvlerëshme. Fushat e përdorimit dhe funksionet që ato kryejnë janë krejt të ndryshme. Një e folme dialektore është e destinuar të përdoret sot kryesisht brenda rrethit familjar, në rrethin e miqve etj., por jo për funksione zyrtare publike. Eshtë një fakt që pranohet sot kudo që, me krijimin e gjuhëve standarde, funksionet publike të dialekteve zbehen shumë.
Para pak kohësh, u botua në faqet e shtypit një shkrim, ku shpallej se është vetë kushtetuta ajo që i hap rrugë përmbysjes së standardit. Sa e vërtetë është kjo, dhe a ka gjasa të ndodhë?
Nuk di të kem dëgjuar a lexuar ndokund në literaturën gjuhësore rastin e ndonjë gjuhe standarde, që, pasi “është bërë” dhe ka funksionuar normalisht për disa dekada, më pas “të jetë zhbërë”. Po, raste gjuhësh, që e kanë ndryshuar alfabetin, ka; siç ndodhi, fjala vjen, në Turqi në vitet 20 të shekullit të kaluar, ku, përmes një vendimi të qeverisë së Ataturkut, alfabeti arab, me të cilin qe shkruar turqishtja në shekuj, u zëvendësua me alfabetin latin. Apo siç bënë në vitet 90 një varg shtetesh të reja, ish-republika të BS, që e zëvendësuan alfabetin cirilik, që iu ishte imponuar gjatë epokës sovjetike, me alfabetin latin. Ama për “zhbërje” të një standardi të ngritur mbi një dialekt me synimin për të krijuar një standard të ri mbi bazën e një dialekti tjetër, këtë vetëm në Shqipëri ta zënë veshët.
Ka ende, të pakënaqur ndaj zgjidhjes, që i është dhënë standardit?
Përzgjedhja e një dialekti si bazë e një gjuhe standarde krijon kudo, sidomos në fillimet e procesit të standardizimit, “të kënaqur” dhe “të pakënaqur”. Bashkësia që përdor dialektin e përzgjedhur, duket sikur vihet në pozita të privilegjuara, merr më shumë prestigj, duke i lënë kinse në hije përdoruesit e alternativave të tjera. Por, me kalimin e kohës, këto pakënaqësi, në fakt, priren të zbehen, pasi zbehen edhe lidhjet e dukshme të standardit me dialektin, mbi të cilin ai është ngritur. Kështu ka ndodhur edhe tek ne. Standardi, gjithë duke ruajtur bërthamën toske, e ka zgjeruar shumë leksikun e tij përmes prurjeve nga të dyja dialektet. Këto kanë qenë prurje të planifikuara prej gjuhëtarëve, por më së shumti prurje të paplanifikuara, si rezultat i lëvizjeve demografike dhe i përzierjeve gjuhësore. Ishte ky standard me këtë leksik ai që u njoh e u përhap gjerësisht përmes shkollës, por edhe përmes medias e letërsisë, duke u bërë mjeti kryesor i shprehjes i disa breza shqipfolësish.
E që t’i kthehemi pyetjes, që ju bëra pak më parë, mbi ndryshimin e standardit, që i hap rrugën Kushtetuta.
Kushtetuta as nuk hap e as nuk mbyll kurrfarë shtegu për ndryshimin e standardit. Kjo është një sajesë ditën për diell. E vërteta është që në kushtetutë është futur për herë të parë një nen (neni 14.1), i cili përcakton gjuhën tonë zyrtare a shtetërore (“Gjuha zyrtare e Republikës së Shqipërisë është shqipja”). Shteti shqiptar deklarohet kështu zyrtarisht si shtet njëgjuhësh, me gjuhë zyrtare një gjuhë kombëtare. Kaq është gjithë sa thuhet në nenin e Kushtetutës sonë. Nene të ngjashme gjenden në shumicën e kushtetutave të shteteve evropiane, modelin e të cilave ne dhe kemi ndjekur. Fakt është që thuajse të gjitha ato shtete që kanë nene gjuhësore në kushtetutë, kanë edhe ligje të posaçme për gjuhën. Dhe aty flitet për gjuhën zyrtare duke iu referuar vetëm varietetit standard. A ka kuptim që një gjuhë të përfaqësohet zyrtarisht përmes të gjitha varieteteve që ajo ka?!
Sipas jush, standardi nuk ka nevojë për ndërhyrje a ndryshime?
E thashë qartë, më duket, që standardi nuk ka pse ta ndryshojë bazën e tij dialektore, jo që nuk ka nevojë për ndërhyrje e përmirësime. Vetëm gjuhët e vdekura, si latinishtja, greqishtja e vjetër, janë standardizuar një herë e përgjithmonë. Standardi pa dyshim që ka nevojë t’i zgjerojë e t’i pasurojë resurset, sidomos ato leksikore, por edhe t’i përdorë e t’i shfrytëzojë me sa më shumë efikasitet ato ekzistueset.
A mos duhet organizuar një Kongres i ri Drejtshkrimi për t’i realizuar këto ndërhyrje?
Nuk është në praktikat e shoqërive të sotme mbledhja e kongreseve për të zgjidhur çështjet e gjuhëve standarde. Këto realizohen sot nëpërmjet hartimit të politikave gjuhësore shtetërore dhe zbatimit të këtyre politikave, apo atij që quhet planifikim gjuhësor.
Po a ka sot një politikë gjuhësore zyrtare në Shqipëri?
Një politikë gjuhësore në trajtën e një dokumenti të posaçëm, ku formulohen qartë qëllimet dhe objektivat e ndërhyrjeve në gjuhë, nuk ekziston. Por ka disa vendime qeveritare si dhe një numër nenesh me përmbajtje gjuhësore. Këto gjenden në Kushtetutë, në një varg ligjesh të fushave të ndryshme si dhe në ndonjë traktat ndërkombëtar të ratifikuar prej shtetit shqiptar.
Ju jeni shprehur edhe në shtyp në favor të një ligji për gjuhën. Ç’lidhje ka ky me politikën gjuhësore?
Ka lidhje, madje lidhje të fortë: një ligj i posaçëm dhe i hollësishëm për gjuhën është një mënyrë për të formuluar një politikë gjuhësore afatgjatë; por ai është njëherësh edhe një mjet për ta realizuar atë politikë. Për fat të keq, në Shqipëri as nuk ka pasur e as nuk ka ende një ligj për gjuhën, ndonëse hartimi i një ligji të tillë sot është më i mundshëm se kurrë: ka një detyrim kushtetues; ekzistojnë tashmë ligje të tilla në pjesën më të madhe të vendeve të BE; dhe, e fundit, por jo më pak e rëndësishme, shoqëria shqiptare realisht ka sot nevojë për një ligj të tillë.
Pse nevojitet një ligj për gjuhën?
Një gjuhë standarde nuk mund të realizohet dhe të funksionojë në mënyrë efikase nëse ajo nuk paraprihet e shoqërohet prej një politike gjuhësore me pikësynime të qarta. Dhe një ligj për gjuhën është pjesë e masave për ta artikuluar e zbatuar një politikë të tillë. Më vjen keq që ndonjëherë në shtyp një ligj gjuhësor paraqitet, më tepër nga padija, si reminishencë e shtetit totalitar, duke harruar që shumica e shteteve të sotme të Evropës kanë ligje të tilla, dhe i kanë në funksionim të plotë.
Po çfarë mund të parashikonte një ligj për shqipen?
Nuk do ta quaja “ligj për shqipen”, por “ligj për gjuhën në Republikën e Shqipërisë”. Ndonëse shqipja do të kishte aty, afërmendsh, përparësi absolute, në ligj do duhej të zinin vend edhe çështje të tjera, si p.sh. ato të gjuhëve të pakicave, të pranishme kudo nëpër legjislacionet gjuhësore të vendeve evropiane. Sa i përket shqipes, ligji duhet të garantojë, para së gjithash, përdorimin e saj me funksionet e një gjuhe zyrtare. Kështu, nene të veçanta duhet të parashikojnë fushat ku shqipja është e detyrueshme, si në arsimin publik, në media, në administratë, në vende publike etj. E pra, nëse një ligj i tillë do të ekzistonte e, ç’është më e rëndësishmja, do të zbatohej, shumë njerëz nuk do të hiqnin keq për të kuptuar se ç’thuhet nëpër etiketat e mallrave të importuara, në tabelat publicitare buzë rrugëve, në shumë njoftime e shpallje publike në shtyp, në thirrje për tendera e konkurse, në njoftime për punësim etj., ku shqipja po gjendet “rrallë e për mall”. Sot, në epokën e globalizimit, kur shoqëritë, kulturat, prandaj edhe gjuhët i janë ekspozuar aq shumë ndikimeve mes tyre, por sidomos ndikimit të anglishtes, gjuhët kombëtare, veçanërisht ato të popujve të vegjël, kanë nevojë për mbrojtje e kujdes.
Po lidhur me rastet e një gjuhe plot gabime, siç është ajo që ndeshim herë pas here në media, çfarë mund të parashikohej diçka në ligj?
Një ligj për gjuhën duhet të kërkojë që të garantohet përdorimi i një shqipeje publike të qartë, të kuptueshme, por dhe një shqipeje korrekte e në përputhje me normat e përcaktuara. Kjo, natyrisht, kërkon që të ngrihen institucionet e përkujdesjes gjuhësore, krahas atyre që do të kontrollojnë zbatimin e legjislacionit gjuhësor.
Çfarë keni parasysh konkretisht me institucione përkujdesi?
Përkujdesi ndaj standardit, trajtës përfaqësuese të gjuhës zyrtare, duhet të jetë i institucionalizuar. Për këtë arsye duhet të ngrihet një organizëm publik i posaçëm, një autoritet rregullues (një Këshill i Gjuhës Shqipe, fjala vjen), i cili të hartojë politika gjuhësore, por edhe të ndjekë e të koordinojë punën për zbatimin e këtyre politikave. U bënë dy dekada që procesi i planifikimit të shqipes është ndërprerë plotësisht. Eshtë kaluar nga një qëndrim proteksionist ndaj gjuhës në një indiferencë të skajshme. Dhe kjo ndodh pikërisht në një kohë kur pjesa më e madhe e shteteve evropiane i kanë hartuar prej kohësh politikat e tyre gjuhësore, po i zbatojnë e, madje, po i koordinojnë. Prandaj mbrojtja, zhvillimi dhe promovimi i shqipes, gjuhës sonë zyrtare kombëtare, duhet të futet sa më shpejt në axhendën e shtetit shqiptar.