Post-Ukraina ja cfare ndodhi me kuqezinjte

Post-Ukraina, ja çfarë ndodhi me kuqezinjtë

Është stërvitur gjatë gjithë këtij viti në atë qendër stërvitore me Atalantën, por ditën kur aty janë vendosur kuqezinjtë, për të punuar në një seancë stërvitore, Berat Gjimshiti nuk ka qenë. Kjo, si edhe për ironi të fatit. Shqipëria ka lënë pas humbjen në miqësoren e djeshme, por trajneri i Kombëtares jo. Seanca e djeshme, përveç ushtrimeve shkrythëse për muskujt, ka nisur me një analizë të trajnerit, i cili u ka evidentuar lojtarëve pikat e dobëta të shfaqura në takimin kundër Ukrainës.

kombetarja ne stervitje

Reshjet

Për disa minuta, përgatitësi atletik i kuqezinjve ka bërë "rizgjimin" e muskujve të lojtarëve, duke u diktuar atyre disa ushtrime në palestër. Më pas, edhe pse nën reshjet e shiut, ekipi ka zbritur në fushën e lojës me bar sintetik. Ata futbollistë që kanë qëndruar në stol ndaj Ukrainës, ose që kanë patur minutazh të pjesshëm, kanë punuar me ushtrime taktike me ritëm të shpejtë, ndryshe nga pjesa tjetër që ka bërë vetëm shkrythjen në palestër.

Untitled-82-470x325

Problemet

Lorik Cana mori një goditje në ndeshjen miqësore, mirëpo gjatë paradites së djeshme, ai ka qenë së bashku me grupin në palestër. Ndryshe nga të tjerët, kapiteni dhe titullarët e miqësores kanë punuar në biçikletë, për muskujt e këmbëve. Së bashku me ta, edhe zv.presidenti i FSHF-së, Lutfi Nuri. Gjatë seancës stërvitore, Arlind Ajeti ka treguar se ka ende shqetësim në këmbë. Dëmtim, të cilin ai e pësoi gjatë minutave që u aktivizua përballë ukrainasve.

Mbështetja

Ashtu siç nuk ka munguar në asnjë ndeshje të Shqipërisë, ditën e djeshme, Kombëtarja ka patur edhe asistencën e "Tifozëve Kuqezi" në seancën stërvitore.

"Liri me kusht"

Pas përgatitjeve që janë kryer në kompleksin sportiv të Atalantës, skuadra ka drekuar dhe më pas stafi ka vendosur që futbollistët të jenë 24 orë të lirë për t'i shpenzuar me familjarët e tyre. Duke qenë se Italia do të jetë ndalesa e fundit përpara se të nisen drejt Francës, kuqezinjtë kanë marrë një moment "lirie me kusht" nga Xhani De Biazi. Një ditë pushim është mëse e justifikuar pas disa ditësh përgatitjeje intensive në qendrën stërvitore në Austri. Sot në mbrëmje, në orën 22:00, është orari i fundit në të cilin kuqezinjtë duhet të paraqiten në hotel, pasi nesër do të bëhet edhe udhëtimi drejt Francës me çarter.

Olsi Tujani


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama