- Shfuqizohet dhe ligji për etikën e policisë-
TIRANË, 19 Nëntor/ATSH-Arbi Fortuzi/.- Kuvendi miratoi të enjten në seancë plenare kalendarin e shqyrtimit në komisione të projektligjit të Buxhetit të Shtetit për vitin 2016 dhe projektligjeve financiare që kanë lidhje me të.
Kalendari i projektligjit të Buxhetit të Shtetit për vitin 2016 dhe projektligjeve financiare që kanë lidhje me të u votuan me 74 vota pro 0 kundër dhe 0 abstenim. Ligji më i rëndësishëm financiar i vitit mbërriti të martën në parlament. Ndërsa ministri i Financave, Shkëlqim Cani e prezantoi draftin në Konferencën e Kryetarëve.
Po ashtu, gjatë seancës plenare u votua me 73 vota pro, 0 kundër e 0 abstenim edhe projektligji i propozuar nga Ministria e Brendshme për shfuqizimin e Kodit të Etikës së Policisë së Shtetit, miratimi i të cilit datonte në vitin 1998. Tashmë Ministria e Punëve të Brendshme do të kërkojë miratimin e një kodi të ri normativ të etikës në Policinë e Shtetit.
Po ashtu, u votua unanimisht pro edhe propozimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, për emërimin e deputetit Përparim Spahiu, si anëtar në komisionin e ekonomisë dhe financave.
Punimet e seancës së sotme plenare i ndoqi dhe një delegacion i Kuvendit të Kosovës, i përbërë nga deputetë të komisionit për Arsimin dhe Kulturën, i kryesuar nga Nait Hasani./m.m/