Prag Feste per 70 vjetorin e Clirimit Ansambli Kombetar rikthen vallen shqiptare 1959-1994

'Prag Feste' per 70 vjetorin e Clirimit, Ansambli Kombetar rikthen vallen shqiptare 1959-1994

Koncerti “Prag Feste” i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore erdhi para publikut me një program të pasur artistik, me krijimtari të krijuar nga koreografët më të njohur të valles shqiptare. Koncerti "Prag Feste" në skenën e TOB ishte pjesë e një programi, i cili do të vazhdojë edhe në turin që do të ndërmarrë ansambli në qytete të ndryshme të Shqipërisë me rastin e 70-vjetorit të Çlirimit. Koncerti i Ansamblit Kombëtar mori dhe këtë herë vëmendjen e publikut, ndërsa për drejtorin artistik, Sulejman Baltëza, përzgjedhja e valleve dhe këngëve ishte bërë në mënyrë të tillë që të kishte një përfaqësim të të gjithë trojeve shqiptare, ndërsa si krijimtari në valle ajo erdhi nga 1959 deri më 1994.

 

“Vallja me motive të Godoleshit është krijuar për herë të parë në vitin 1975, është rivënë në skenë në vitin 2001 nga autori i saj mjeshtri Agron Aliaj. Kjo valle është e mbështetur mbi ritmet dhe meloditë e kësaj zone dhe është rivënë në skenë në 2001 me rastin e 60 vjetorit të Lili Cingut dhe risillet me një trupë të re më 2014. Pra kjo është një rivënie e re, sepse vjen si një premierë e saj. Vallja Dardhare e Vajzave krijuar më 1959 nga Agron Aliaj me motive nga vallja e vajzave të Dardhës dhe muzikë të Milto Vakos është  një rivënie pas shume vitesh. Dallohet për elegancën në lëvizje dhe harmonizimin total të elementeve të veçanta koreografike”, pohon mbi krijimtarinë Sulejman Baltëza, drejtor artistik i ansamblit.

 

Për koncertin para publikut erdhën dhe krijime të koreografëve të tjerë popullorë, valle pas viteve ’90, që sipas drejtorit Baltëza i qëndrojnë dhe sot kohës. “Vallja në Sarajet e Ali Pashës,  e1994 me koreografi të Besim Jazexhiut dhe me muzikë të Aleksandër Peçit është krijuar rreth 20 vjet më parë mbi motivet e valleve Çame. Vallja është një moment lirik në oborrin e Ali Pashës ku në mënyrë shumë elegante përshfaqen vallet e vajzave dhe vallet epike si ajo e Osman Tagës që ekzekutohet nga djemtë (në këtë rast luftëtarët e Ali Pashës) duke krijuar një atmosferë të veçantë në trashëgiminë dhe në modelet e krijuara në fushën e koreografisë në Ansamblin Popullor. “Nën hijen e mollës” valle me motive kurbate e krijuar në vitin 1994 nga koreografi Panajot Kanaçi dhe me muzikë të Vladimir Hasimit. Vallja është e bazuar mbi jetën e komuniteti rom. Me karakter shume lirik dhe me ritme ekspresive kjo valle ka njohur suksese në skenën shqiptare”, tregon drejtori artistik i ansamblit. Koncertit nuk mungoi dhe Kolazhi i Valleve të Veriut realizuar nga dy koreografët e parë të Ansamblit, Panajot Kanaçi dhe Gëzim  Kaceli. Kolazhi erdhi i ndërtuar në konceptin e shtrirjes në një nga krahinat më karakteristike të valleve të veriut të Shqipërisë. Me këtë kolazh erdhën ritmet e “Vallëzimit të Shqipeve”, kërcimin elegant por edhe energjik të vajzave të Tropojës, vallja e rëndë të barinjve të Korabit duke përfunduar me një valle si një garë e kërcimit dhe e ritmeve të kësaj zone.
 
“Prag feste” në krijimtarinë vokale
 
Ana vokale në këtë koncert sipas drejtorit artistik të Ansamblit Kombëtar kishte të bënte me një përzgjedhje të kujdesshme të këngëve dhe interpretuesve, nuk mungonin pjesë të njohura të repertorit të ansamblit. “Një suitë me këngë popullore nga Alfons Balliçi nga koncerti i tij më 2009 ne e sollëm sërish pas kaq vitesh”, u shpreh drejtori i ansamblit. Një tjetër krijim i koncertit “Prag Feste” ishte nga kompozitori t të ri Elton Caça, që jeton në Francë. Realizimi i një këngë me motive të Dibrës me temë të kurbetit titulluar  “Zogu i Beharit” dhe Suita e Alfons Balliçit ishin dy punimet vokale të koncertit, duke vijuar me “Vajza e valëve” si dhe një pjesë orkestrale e shkruar nga Enver Shëngjergji dhe e punuar nga Vladimir Hasimi. Për këtë koncert në skenë erdhën dhe këngëtarët Aranit Hoxha dhe Mustafa Mehja. Hoxha erdhi në skenë me një kolazh të këngëve të Veriut si “Hajredin Pasha”, “Zambaku”, etj, këngë të njohura të zonës së Veriut dhe Mustafa Mehja interpretoi tre këngë popullore të krijuar kohëve të fundit, si hite në dasma shqiptare.

 

“U morën këta dy këngëtarë për të treguar se si kënga popullore duhet të interpretohet dhe të vijë në skenë, sepse tendencat për ta interpretuar me nuanca që nuk i takojnë janë të shumta. Por Hoxha dhe Mehja janë të këngëtarë që janë të vetëdijshëm për atë që bëjnë artistikisht, do të kenë të ardhme të mirë”, pohon drejtori artistik Sulejman Baltëza. Në politikën e projekteve të Ansamblit Kombëtar këtë vit nuk kanë munguar dhe koncerte të autorëve koreografë popullorë, si koncerti me krijimtarinë e Panajot Kanaçit, Agron Aliaj, Besim Jazexhiu dhe Gëzim Kaceli.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama