Ndërkohë që programi i studimit parashikon medoemos vënien e dijeve të tyre në praktikë, duke vizituar shumë prej zonave gjeografike të vendit tonë për të plotësuar programin mësimor dhe formimin profesional të studentëve. Ndërkohë që vendet me largësi jo më shumë se 100 km janë vizituar në dy vitet e mëparshme të ekspeditave. “Nuk ka arsye që këto ekspedita të përsëriten në të njëjtat zona, ndërkohë që mbeten pa u studiuar shumë vende të tjera të rëndësishme”, thotë Eglantina Arapaj, përfaqësuese e studentëve në bisedime me krerët e institucioneve. Sipas tyre nuk ka ndonjë problem që lidhet me mangësi financiare për të përballuar shpenzimet e ekspeditave, por që autorizimi i tyre është kompetencë e Ministrisë së Arsimit.
Kjo ndodh në një kohë që Universiteti i Tiranës nuk merr përsipër as të nisë praktikën përkatëse, duke hequr dorë nga ekspeditat nga distancat mbi 100 km. “Kemi ditë që kemi bojkotuar mësimin, nuk do të marrim pjesë as në ekspedita nëse nuk na paguhen shpenzimet minimale.” Kjo është fjala e fundit e studentëve, të cilët heqin dorë nga mësimet, ekspeditat dhe provimet nëse nuk marrin atë që iu takon. Një prej studenteve të gjeografisë, Xhenisa Gega bën me dije për “Shekullin” se do të ketë të tjera protesta nëse nuk zbatohet vendimi i Këshillit të Ministrave që parashikon pagesën e shpenzimeve të fjetjes dhe udhëtimit.
Çfarë kërkoni të arrini me këtë protestë tuajën?
Kërcënojnë të bojkotojnë mësimin, nëse nuk marrin një përgjigje pozitive lidhur me atë çfarë ata kërkojnë. Kërkesa jonë është që të zbatohet Vendimi i Këshillit të Ministrave, i cili përcakton shumë qartë se ne duhet të marrim pagesën e fjetjes dhe transportit për ekspediat mësimore, ndërsa dietën duhet ta paguajmë vetë. Ne duhet të përshkojmë largësi shumë më tepër se 100 m, pasi afër kësaj rrezeje ne kemi qenë këto dy vjet.
Sa përllogaritet të jetë shifra që kërkoni secili prej jush për mbulimin e shpenzimeve të rrugës dhe hotelit?
Kjo është në varësi të gjatësisë së rrugës dhe kohës së qëndrimit. Realisht nuk e di si kanë funksionuar për brezat e mëparshëm, por në këto dy vite që kemi bërë ekspedita na janë paguar nga 4500 lekë. Vitin e kaluar vetëm dy grupe kanë qenë me fjetje tre net dhe kanë marrë 7500 lekë. Edhe pse ka ndodhur me vonesa prej 2 apo 3 muajsh, ato para i kemi marrë me rimbursim. Ne i paguajmë fillimisht dhe më vonë na hidhen në llogari.
Do të merrni pjesë në ekspedita nëse nuk merrni shpërblimet?
Në asnjë mënyrë. Ne kemi kohë që përpiqemi të bëjmë një marrëveshje, por në rast të kundërt nuk do të marrim pjesë në ekspedita, çka do të thotë se programi jonë nuk do të zbatohet.
Sa ju ka shqetësuar kjo pjesë, ndikon në angazhimin tuaj mësimor, pasi jeni në prag të diplomimit?
Përveçse në prag diplomimi, tani është koha e provimeve me zgjedhje, ndërkohë që shumë prej nesh kemi lënë studimet pas dore, pasi jemi angazhuar me zgjidhjen e këtij problemi. Nesër është një provim dhe kjo vetëm sa i ka përkeqësuar gjendjen. Ka ditë që ne kemi bojkotuar edhe mësimin. Pas disa bisedimesh me shefin e departamentit dhe zëvendës dekanatin na thanë që ne ti siguronim që do të fillonte mësimi, pasi do të gjendej një marrëveshje ku kërkesat do të plotësoheshin. Ndërkohë që deri tani nuk ka asnjë zgjidhje. Ka mjete financiare, por autorizimet i tyre është kompetencë e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
Mendoni që kanë ndikuar situata elektorale në marrjen e shpërblimeve që ju takojnë?
Ne e kuptojmë shumë mirë këtë pjesë dhe jemi shumë të vetëdijshëm që të na i vonojnë, po jo të na i heqin fare. Kjo bie shprehimisht në kundërshtim me atë çka thotë Vendimi i Këshillit të Ministrave dhe siç është praktikuar prej vitesh. Ndryshe nga praktikat e viteve të tjera na është komunikuar se Universiteti i Tiranës nuk merr përsipër të mbulojë shpenzime dhe të organizojë ekspedita në largësi mbi 100 km nga Tirana. Në një takim me përfaqësues të rektoratit na kanë thënë që ka fonde, por nuk na i japin.
Dekanati: Vendimi lidhet me situatën zgjedhore
I njohur me kërkesën e studentëve të vitit të tretë të Degës Gjeografi, dekanati i fakultetit Prof. Dr Shezai Rrokaj bën me dije se udhëtimet e tyre mbi distancën 100 km janë kompetencë e autoriteteve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
Ky është thelbi i përgjigjes që kanë marrë këta studentë pas kërkesës së bërë në dekanat. Në letrën e kthimit të përgjigjes thuhet shprehimisht që vendimi për të kryer praktikat mësimore brenda ditës duke respektuar distancën prej 100 km, sipas ligjit është marrë me konsensus nga Dekanati i Fakultetit dhe Përgjegjësit të Departamenteve. Ndërsa Urdhri i brendshëm “Mbi zhvillimin e praktikave mësimore” është nxjerrë në përputhje me legjislacionin përkatës”, thuhet në deklaratë. Më tej thuhet qartë se ky vendim është marrë edhe për arsye të tjera që lidhen me situatën zgjedhore. Kulmi i saj përkon pikërisht tani në këtë periudhë me në të cilën kryhen praktikat mësimore. Sipas dekanatit, duhet pasur parasysh si prioritet siguria e jetës së studentëve dhe përgjegjësia institucionale që ne kemi për këtë siguri.
Dekanati nuk ka anuluar ekspeditat
Vendimi i Këshillit të Ministrave, të cilin e kundërshtojnë studentët thotë shprehimisht që nuk parashikohen shpenzimet e fjetjes, udhëtimit dhe dietave për studentët. Duke qenë të detyruar të përmbushin një program mësimor, shpeshherë studentë, të cilët nuk kanë mundësi financiare të ndjekin këto ekspedita, drejtues të fakultetit kanë zgjedhur si mundësinë e vetme uljen e largësisë së udhëtimeve që duhet të përshkojnë për të përmbushur programin mësimor. E gjitha kjo vetëm që ata që nuk kanë mundësi të mos ngarkohen me përgjegjësi të cilat shteti nuk i mban dot. Kjo gjë ka ndodhur vetëm sivjet, ndryshe nga vite më parë kur të gjitha shpenzimet mbuloheshin nga shteti, duke qenë se ato janë pjesë e kurrikulës mësimore. VKM që i referohen studentët dhe që është një vendim i qeverisë përcakton se për destinacione më larg se 100 km, shteti paguan për studentët udhëtimin dhe kostot e akomodimit.
Meqë shumica e studentëve nuk kanë mundësi të paguajnë nga xhepi i tyre për të kryer ekspeditat mësimore dhe shteti nuk merr përsipër t’i mbulojë ato, kjo është parë si rruga më e arsyeshme. Profesorë pranë këtij fakulteti thonë se vetëm 40 për qind e studentëve kanë mundësi financiare të paguajnë ushqimin dhe shpenzimet e ditës, ndërsa pjesa tjetër jo. “Si do t’ia bëjmë me të tjerët, studentë që nuk kanë mundësi të mbulojnë shpenzimet e tyre?! Do e bëjmë ekspeditën vetëm për një pjesë?” Shumë studentë që nuk kanë mundësi financiare të udhëtojnë nëpër Shqipëri pa patur të mbuluar të gjitha kostot do të ndiheshin të diskriminuar dhe sigurisht që kjo do të ishte një barrë për ta dhe për familjet e tyre.
Dekanati, nuk ka anuluar ekspeditat por ka vendosur pas konsultimeve me studentë që ekspeditat të kryhen brenda ditës, në mënyrë që studentët të kryejnë praktikën, por të mos rëndohen të paguajnë shpenzimet nga xhepi, pavarësisht se mund t’u mbulohet akomodimi dhe të kthehen po brenda ditës në shtëpitë apo dhomat e tyre në Qytetin Studenti. Ky konflikt i nisur pikërisht këtë vit mësimor ka nisur këtë vit, i cili parashikon që shteti të mos marrë përsipër pagesat e fjetjes dhe udhëtimit për studentët që shkojnë në ekspedita.
Nga ana tjetër, ata janë të detyruar të ndjekin me përpikmëri programin mësimor. Autorizimi për të marrë lejen dhe mjetet e mjaftueshme financiare për të mbuluar shpenzimet varet drejtpërdrejt nga Ministria e Arsimit. Duhet sqaruar se kjo nuk ka të bëjë me fakultetin Histori-Filiologji. Vetë studentet gjatë protestës së djeshme sqaruan se protesta e tyre nuk kishte si qëllim të vinte para përgjegjësisë pedagogë apo dekanatin e fakultetit, pasi çdo gjë varet nga një autorizim që merret vetëm nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Ata kërkojnë që të kryejnë ekspedita mësimore në largësi mbi 100 km dhe të marrin të paktën pagesën e transportit dhe fjetjes për ditët gjatë së cilës do të zhvillohet praktika mësimore e parashikuar në program.
Nxënësit në mitingje për të marrë klasën
Kryetari i shoqatës së Prindërve, Hysni Elezi ka dalë me një deklaratë në të cilën akuzon partitë politike që shfrytëzojnë nxënësit e arsimit parauniversitar për qëllime elektorale. “Shoqata e Prindërve vëren me shqetësim e keqardhje se nxënësit e arsimit parauniversitar dhe prindërit e tyre po bëhen pjesë në lojën politike të ndikuar, imponuar dhe mashtruar nga strukturat qeveritare, drejtuesit e shkollave dhe disa mësues”, thuhet në deklaratë.
Fushata për zgjedhjet parlamentare 2013, këto ditë ka shtuar intensitetin dhe ka rritur tonet e komunikimit. Sipas Elezit, kjo është në kundërshtim me ligjin për Sistemin Arsimor Parauniversitar, në nenin 8 të ët cilit thuhet: “Arsimi parauniversitar është i depolitizuar”. Nisur nga ngjarjet e bëra publike kohë më parë, në shumë shkolla të Tiranës dhe disa rrethe të vendit, brenda orarit mësimor po nxirren nxënësit në mitingje e takime elektorale në këmbim të favoreve të pamerituara, për t’i kaluar në provime ose duke iu dhënë prindërve të tyre lekë për t’ju blerë votën.
Synimit për të përligjur ‘veprimtaritë partiake’ brenda territorit të shkollës dhe në orarin mësimor, i shërben dhe marrëveshja e fundit midis MASH-it dhe Bashkisë Tiranë, ku thuhet se ‘shkollën po e bëjnë të hapur për të gjithë prindërit’. Kjo ka ekzistuar edhe më parë. Edhe Ligji i Arsimit parashikon që shkolla duhet të jetë e hapur për prindërit për aktivitete të përbashkëta, por jo për veprimtari partiake. “Të nderuar prindër, mos humbisni të ardhmen e fëmijëve tuaj, mos humbisni nderin dhe dinjitetin tuaj, dhe mos u mashtroni nga asnjë parti politike, aq më tepër nga struktura të shtetit që e kanë për detyrë t’ju mbrojnë, jo t’ju mashtrojnë. Shkolla është e jona, për fëmijët tanë.
Ne i paguajmë detyrimet shtetit për t’i edukuar që të jenë qytetarë të vërtetë jo analfabetë funksionalë dhe manipulatorë”, thuhet në deklaratën e Shoqatës së Prindërve. Së shpejti do të fillojë zbatimi i Ligjit të ri të Sistemit Arsimor Parauniversitar dhe prindërit do të jenë pjesë e vendimmarrjes, për të vendosur se cilin drejtor apo cilin mësues duan për të edukuar fëmijën. Çdo drejtues apo mësues që do të shkelë ligjin, do të përballet me fakte konkrete dhe do t’i nënshtrohet vendimmarrjes prindërore sipas ligjit.