SHKB-ja arreston efektivin e Policisë rrugore të Tiranës, i dyshuar për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh. Lajmi është bërë i ditur dje në mesditë nga Ministria e Brendshme të cilat thanë se oficeri i policisë rrugore dyshohet se ka abuzuar me detyrën e tij, duke iu marrë para qytetarëve të ndryshëm. Ministria e Brendshme tha në deklarimin e saj zyrtar se Renato Gjoni akuzohet se ka kryer këtë veprimtari së paku në 32 raste, ndërsa sipas vendimit të gjykatës për caktimin e masës së sigurisë për Gjonin, se rastet e provuara për abuzimet e tij, janë vetëm 17 të tillë.
Nga hetimet e kryera dyshohet se Renato Gjonaj në periudhën korrik-gusht 2013, gjatë kryerjes së detyrës së tij funksionale, nëpërmjet mekanizmit të falsifikimit të Procesverbalit të Konstatimit të Shkeljeve, ka konsumuar në 32 raste elementet e veprës penale “falsifikim i dokumenteve” dhe në 5 raste veprën “shpërdorim i detyrës”. Nga hetimi i kryer nga specialistët e SHKB-së, dyshohet se Gjonaj nuk dorëzonte mjetet e bllokuara prej tij në parkun e policisë, ndërsa manipulonte shifrat e gjobës për të përfituar personalisht. Për të dokumentuar këto shkelje SHKB-ja, ka marrë dëshmitë e drejtuesve të mjeteve të gjobitur prej Gjonajt, këqyrjet e dokumenteve dhe akt ekspertimet nga Instituti i Policisë Shkencore.
Ndërkohë janë duke u kryer veprime të tjera hetimore për thellimin e të dhënave paraprake të këtij hetimi si në drejtim të këtij subjekti ashtu edhe ndaj subjekteve të tjera të implikuara në veprimtari të dyshuar kriminale. “Renato Gjonaj ishte njëri prej punonjësve të Komisariatit të Policisë Rrugore të Tiranës, që u larguan nga detyra në muajin shtator të këtij viti, pas reformës së nisur aty. Materiali kallëzues ndaj tij është depozituar në Prokurorinë e Rrethit që më 23 shtator 2013”,- tha Ministria e Brendshme në njoftimin e saj. Sipas hetimit rezulton se oficeri i policisë rrugore ju merrte para drejtuesve të mjeteve në këmbim të mosmarrjes së automjeteve të tyre me karroatrec.
“Bazuar në hetimet e kryera ka rezultuar se punonjësi i policisë pasi vendoste gjobën për kundërvajtje të ndryshme, kryesisht për parkim të gabuar, priste deri sa të mbërrinte pranë automjetit drejtuesi i tyre. Me të mbërritur drejtuesit e mjeteve, efektivi i policisë iu prezantonte faktin se, në qoftë se nuk dëshironin që automjeti i tyre të shoqërohej me karroatrec në pikë bllokimi, atëherë qytetarët mund të paguanin shumën nga 4000-7000 lekë të reja në vend dhe mund të merrnin automjetin”- thuhet në vendimin e Gjykatës së Tiranës.