Një ish-punonjëse e bankës së nivelit të dytë në Tiranë është arrestuar për vjedhjen e llogarive bankare të klientëve të ndryshëm, duke shkaktuar një dëm prej 200 mijë euro. Urdhri i arrestit me burg është vendosur nga Gjykata e Tiranës, pas hetimit nga prokuroria.
Kallëzimi për shtetasen A.Aliaj është bërë nga vetë punonjësit e bankës së Kamzës, ku ajo ushtronte funksionin e specialistes së kreditit. Menjëherë pas kallëzimit, prokuroria ka nisur hetimet dhe ka konstatuar se punonjësja ka vjedhur 200 mijë euro duke hapur pa dijeninë e qytetarëve, llogari bankare të cilat më pas i tërhiqte vetë.
Pas hetimeve prokuroria e akuzoi shtetasen A. Aliaj për kryerjen e veprës penale t? “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” dhe “Falsifikimit t? dokumenteve nga personi që ka për detyrë lëshimin e tyre”. Gjykata e Tiranës vendosi masën e “arrestit me burg” për shtetasen e cila u arrestua mëngjesin e sotëm. Aktualisht po vijon hetimi për të përcaktuar nëse ka bashkëpunëtorë për kryerjen e kësaj vepre penale.