Pranon te martohet me grekun i vjedh 3600 euro shkesit

Pranon të martohet me grekun, i vjedh 3600 euro shkesit
Një 30-vjeçar nga Dibra, i cili punonte në Greqi, ka nxjerrë një njoftim ku thuhej se ai kërkonte një nuse për një 40-vjeçar grek (punëdhënës i tij). Së bashku me karakteristikat që duhej të plotësonte e interesuara, njoftimit i ishte bashkangjitur për kontakt edhe një numër telefoni. Mësohet se kishin qenë jo pak të interesuarat për kandidate, ndërkohë që nga lista e thirrjeve është përzgjedhur një 21-vjeçare, e cila kishte dhënë emrin Ornela, ishte jetime dhe lajmëronte se ishte nga Vlora. 30-vjeçari nga Dibra ka kontaktuar me vajzën nga Shqipëria, duke e njohur me faktin se bëhej fjalë për pronarin e tij në një fshat të Greqisë, i cili donte të martohej.

Duket se 21-vjeçarja ka pasur që në fillim ide të qarta për lojën e mashtrimit, duke dhënë emër të rremë. Pasi ka marrë miratimin se ishte favorite, ajo fillimisht ka kërkuar një pasaportë. "Nuk kam pasaportë dhe nuk kam mundësi ta nxjerr vetë, pasi jam jetime dhe pa asnjë përkrahje",- ka shpjeguar ajo pozicionin e saj. Për të përshpejtuar procedurat, sipas saj, duheshin 600 euro. Për numrin e llogarisë bankare, ajo u ka dhënë emrin e hallës së vet, që realisht ishte identiteti i saj i vërtetë.

Pasi ka siguruar shumën e parë, nëpërmjet kontakteve telefonike, vajza ka thënë se për të nxjerrë vizën në Greqi, duhej një garanci bankare me një minimum prej tre mijë eurosh. Atëherë 30-vjeçari nga Dibra ka siguruar shumën e parave dhe është nisur nga Greqia. 21-vjeçaren e ka takuar në Vlorë ku i ka dhënë edhe 3000 eurot që i duheshin si garanci bankare. Kaq i ka mjaftuar të resë për t'i dhënë fund lojës, duke mbyllur telefonin.

Humbja e kontakteve me "të posafejuarën" e pronarit e ka detyruar 30-vjeçarin të kërkojë ndihmën e policisë së Vlorës. Ditën e martë ai ka depozituar denoncimin duke treguar edhe historinë se si i ishin marrë eurot. Ai ka dhënë emrin e vajzës, i cili ka qenë i rremë, ndërkohë që ka ndihmuar për gjetjen e saj emri që kishte dhënë për llogarinë bankare. Pasi janë kryer të gjitha verifikimet ka rezultuar se 21-vjeçarja jetonte në Fier. Ajo ishte e divorcuar pas një martese të dështuar në Vlorë dhe ishte kthyer te familjarët e saj. Pasi ka marrë shumën e parave prej gjahut, ajo ishte nisur drejt Tiranës, duke u thënë familjarëve se do të vijonte studimet. Mbi të tashmë rëndon "akuza e përfitimit me anë të mashtrimit".



Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama