Prapaskenat e votimit Nishani President Berisha kercenoi Grupin me zgjedhje

Prapaskenat e votimit: Nishani President, Berisha kercenoi Grupin me zgjedhje
Maxhoranca zgjedh me 73 vota kreun e ri të shtetit. SHBA, BE e OSBE: OK me Nishanin. Negociatat e Berishës me aleatët dhe deklarata në Grupin e PD.
Oketa kundër, Islami e Dule abstenim.
Sms e Arvizusë para votimit: Jeni mik i besuar i SHBA.

Bujar Nishani është Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë. Parlamenti zgjodhi dje me votat e maxhorancës kreun e shtetit në raundin e katërt të votimit.

Nishani ka siguruar 73 vota pro të deputetëve të shumicës parlamentare, 1 kundër dhe 2 vota u shpallën të pavlefshme, për shkak se u hodhën në kuti pa shenja. Në seancën e së hënës pasdite morën pjesë në votim 76 deputetë, ndërsa deputetët e Partisë Socialiste qëndruan në sallën e Parlamentit, por nuk morën pjesë në votim. Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, ishte një ndër deputetët që e shpalli publikisht si të pavlefshme votën e tij. Sapo e mori fletën me tri firmat e anëtarëve të sekretariatit të votimit, e ka hedhur menjëherë të “bardhë” në kuti. Ndërkohë që burime të “Panoramës” bëjnë të ditur se vota e dytë e pavlefshme ishte ajo e deputetit Kastriot Islami, i cili e ka hedhur fletën e bardhë në kutinë e votimit. Mendohet se e vetmja fletë votimi kundër Bujar Nishanit të jetë hedhur nga kryetari i grupit nismëtar i FRD-së, Gazmend Oketa. Në Parlament ra në sy mungesa e deputetit të pavarur, Dritan Priftit.

Sms-ja e Arvizusë

Para nisjes së procesit të votimit, në adresë të deputetëve të PD-së ka mbërritur një mesazh në celular nga ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Edhe pse mungoi në seancën e votimit në Parlament, mësohet se ambasadori i SHBA-ve i ka dërguar një mesazh inkurajues Bujar Nishanit para nisjes së procesit të votimit. Arvizu, në mesazhin e tij e cilëson Nishanin si mikun më të besuar të SHBA-ve. “I dashur ministër Nishani, ju falënderoj që morët kohë nga programi juaj në këtë ditë kaotike për të folur me mua. Siç i thashë edhe Kryeministrit, kohë pas kohe ju u keni treguar SHBA-ve që ne nuk kemi mik më të besuar se Ju në Shqipëri. Ishte në shenjë respekti dhe shqetësimi për ju interesimi për disa persona, mbase jo me aq takt saç do kisha dashur. Ju lutem të jeni i sigurt se konsiderata ime për ju vazhdon të mbetet e lartë. Fat të mbarë dhe vlerësimet më të mira”, thuhet në mesazhin e diplomatit amerikan.

Atmosfera

Parlamenti e ka çelur seancën e votimit të raundit të katër në orën 17: 45. Bujar Nishani, që me nisjen e seancës nuk është ulur në vendin e tij të ministrit, por në rreshtin e parë të deputetëve, afër Astrit Patozi. Me pas, Kryeministri Berisha dhe kryetarja e Kuvendit janë ulur në rreshtin e parë, pranë kandidatit Nishani. Kryeministri Berisha i është drejtuar dhomës së fshehtë të votimit, i 12-ti në radhë dhe më pas i është drejtuar duke buzëqeshur dhe përshëndetur deputetëve të opozitës. Po ashtu, një votim i rëndësishëm ishte dhe ai i kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, që pasi shprehu vullnetin në dhomën e fshehtë, e ka palosur fletën vetëm njëherë para se ta hidhte në kuti. Pas përfundimit të numërimit të votave, deputetët demokratë kanë nisur festimet, sapo u lexua vota e 71-të pro Bujar Nishanit. Me nisjen e festës nga radhët e shumicës, deputetët e opozitës janë larguar nga salla.

Firmat per Nishanin
    1.    Florian         Mima
    2.    Mark         Marku
    3.    Ilir         Meta
    4.    Aurel         Bylykbashi
    5.    Rajmonda     Bulku
    6.    Luçiano         Boçi
    7.    Genc         Strazimiri
    8.    Sherefedin     Shehu
    9.    Genc         Ruli
    10.    Arenca         Trashani
    11.    Astrit         Bushati
    12.    Shpëtim         Idrizi
    13.    Dashamir     Tahiri
    14.    Fatmir         Mediu
    15.    Mehmet         Xheka
    16.    Ardian         Turku
    17.    Sokol         Olldashi
    18.    Flamur         Noka
    19.    Selami         Xhepa
    20.    Ndriçim         Babasi
    21.    Sybi         Hida
    22.    Kreshnik     Çipi
    23.    Dashnor         Sula
    24.    Dashamir     Tahiri
    25.    Vangjel         Tavo
    26.    Ylli         Lama

Nishani dha dorëheqjen para votimit
Kryeministria: E firmosi në mesditë

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ka paraqitur dje në mesditë te Kryeministri Sali Berisha dorëheqjen nga pozicioni që ai mbante prej zgjedhjeve lokale të 8 majit 2011. Zyra e shtypit e Kryeministrit njofton se Nishani dha dorëheqjen gjatë kohës që Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të mblidhte firmat për kandidimin e tij për kreun e ri të shtetit. Pas zgjedhjes së Presidentit, Kryeministri Sali Berisha pritet të zgjedhë edhe ministrin e ri, që sipas të gjitha gjasave, do të jetë në detyrë të paktën deri në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Negociatat me aleatët, Meta pranoi Nishanin
Si u vendos emri i ish-ministrit të Brendshëm

Berisha në Grup: Nëse nuk zgjidhet, sot raundi i pestë, e më pas zgjedhje të parakohshme

Emri i Bujar Nishanit u hodh zyrtarisht në tryezën e bisedimeve me opozitën të dielën në mbrëmje, e megji-thëse shumica zgjodhi Artan Hoxhën, ministri i Brendshëm vazhdonte të ishte në krye të listës për çdo të papritur. Mëngjesin e djeshëm, Kryeministri Sali Berisha mblodhi Grupin Parlamentar demokrat, ku pasi bëri një deklaratë edhe në prani të medias lidhur me takimin e fundit me Edi Ramën, qëndroi edhe rreth 15 minuta më shumë me deputetët. Sipas burimeve nga mbledhja me dyer të mbyllura në Grupin e PD,  Berisha e përmendi jo pak, por katër herë togfjalëshin zgjedhje të parakohshme. “Nëse nuk do të votohet sot për kandidaturën e Artan Hoxhës, ne mund të shkojmë në zgjedhje të parakohshme”, është shprehur kreu i qeverisë, duke sjellë edhe habinë e deputetëve.

Negociatat në Kryeministri

Situata u përmbys plotësisht rreth orës 12:00 në mesditë, kur kandidati i shumicës dha dorëheqjen. Në selinë e Kryeministrisë, Berisha po takohej me Metën, Idrizin dhe Mediun. Mësohet se ka qenë kreu i LSI-së ai që nga tre kandidaturat që janë diskutuar në tryezën me opozitën të përzgjidhej Nishani. Ndërsa 15 minuta më vonë, Astrit Patozi lajmëroi kandidimin e Bujar Nishanit. “Unë dëshiroj të konfirmoj lajmin që kandidatura e maxhorancës e propozuar mbrëmë është tërhequr nga gara.

Por maxhoranca është e vendosur që ta bëjë vendin me President të Republikës dhe kandidatura tjetër do të jetë z. Bujar Nishani, i cili është një nga emrat e propozuar edhe dje në tryezën e negociatave. Për shkaqe teknike, seanca shtyhet dhe do të zhvillohet në orën 17:00”, u shpreh Patozi. Kohën e mbetur në dispozicion Grupi i PD-së e shfrytëzoi për të mbledhur firmat që do të mbështesnin kandidaturën e ministrit të Brendshëm. Bujar Nishani qëndroi në mesditë për një kohë jo të shkurtër në Kryeministri, pak orë para votimit në Parlament. Gjysmë ore para seancës u mblodh sërish Grupi Parlamentar demokrat.

Këtë herë mediat nuk ishin për asnjë moment të pranishme. Pasi shpjegoi arsyet e dorëheqjes së kandidaturës së Artan Hoxhës, Berisha u ndal te emri i ministrit të tij të Brendshëm. “E kam thirrur Bujarin dhe kam folur me të. PS-ja ka bërë shantazh sërish, duke thënë që ka një sëmundje të pashërueshme, por kjo nuk është e vërtetë. Unë jam mjek dhe nuk do të ma lejonte as shpirti im si mjek që t’i jepja një detyrë si ministër i Brendshëm”, është shprehur Kryeministri.

Por edhe në mbledhjen e dytë të Grupit Parlamentar brenda ditës, Kryeministri ka qenë i prerë në qëndrimin e tij në lidhje me një situatë të rrjedhjes së votave. “Nëse edhe në raundin e katërt nuk do ta zgjedhim Presidentin e ri, Parlamenti do të mblidhet sërish sot (mbrëmë) në orën 23:00 për të zhvilluar raundin e pestë”, mësohet të jetë shprehur kreu i maxhorancës. Qëndrimi i prerë i Kryeministrit duket se ndikuar në forcimin e radhëve brenda maxhorancës dhe kjo u pa gjatë votimit, kur 73 deputetë votuan pro kandidaturës së Bujar Nishanit.

Meta: Nishani do sigurojë bashkëpunimin me opozitën

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, u shpreh dje i sigurt se Presidenti i ri i vendit do të sigurojë bashkëpunimin me opozitën dhe aktorët e tjerë politikë në vend. Në përfundim të raundit të katërt të votimit, aleati kryesor i PD-së në Parlament u shpreh se “Parlamenti ka ushtruar sovranitetin e tij për të zgjidhur këtë çështje dhe ky President i ri quhet Bujar Nishani, një emër i njohur, shumë i respektuar dhe jam i sigurt që do të sigurojë një frymë bashkëpunimi me opozitën dhe njëkohësisht me të gjithë aktorët e tjerë politikë e socialë në vend, sepse z. Nishani, punën bazuar në ligj dhe formimin institucional, mendoj se e ka në bazë të së gjithë eksperiencës së tij të treguar deri tani edhe nëpërmjet detyrave të rëndësishme që ka mbajtur”.

Sula puth në ballë Nishanin
   
Deputeti demokrat i qytetit të Peqinit, Dashnor Sula, ashtu si në vitin 2007, kur u zgjodh President Bamir Topi, ka festuar dje në mënyrë të veçantë për zgjedhjen e Bujar Nishanit si kreu i ri i shtetit. Me leximin e votës së 71-të, deputeti Sula ka brohoritur në sallë dhe në të njëjtën kohë ka përplasur me këmbë parketin në shenjë gëzimi. Entuziazmi i deputetit të Peqinit ka vazhduar, teksa ka hipur mbi karrige dhe duartrokitur fitoren e Nishanit. Më pas, Dashnor Sula i është drejtuar Presidentit të sapozgjedhur, duke e puthur në ballë. Një përqafim të zjarrtë deputeti i PD-së ia ka rezervuar edhe Kryeministrit Sali Berisha.

Strazimiri e Doda, si te gjuajtjet e penalltive

Hapja e kutisë së votave për Presidentin nga dy deputetët e Partisë Demokratike, Viktor Gumi dhe Arenca Trashani, është shoqëruar dhe me ankthin e demokratëve në sallën e Kuvendit. Deputetët, të cilët po prisnin arritjen e 71 votave të nevojshme, janë rreshtuar njollojë si lojtarët në pritje të goditjes së penalltive. Gjatë numërimit të votave, ra në sy deputeti i PD-së, Gent Strazimiri, që gjatë numërimit të votave kishte vendosur dorën në qafën e deputetes Mesila Doda. Sapo deputeti Gumi lexoi votën e 71-të në sallë, deputetët e PD-së kanë nisur festimet, duke u përqafuar me njëri-tjetrin dhe duartrokitur fituesin.

SHBA: Do punojmë me Nishanin për pavarësinë e institucioneve

Ambasada e SHBA-ve në vendin tonë ka uruar dje kreun e ri të shtetit, Bujar Nishani, duke vlerësuar punën e tij në marrëdhëniet mes dy vendeve. “Ambasada e SHBA-ve i përcjell urime të ngrohta Z. Bujar Nishani për zgjedhjen e tij sot si President i Republikës së Shqipërisë. Në postin e tij aktual dhe ato të mëparshme qeveritare, Z. Nishani ka shërbyer në mënyrë të respektueshme dhe të përgëzueshme, si dhe ka bërë shumë për të çuar përpara marrëdhëniet e bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e Ambasadës. “Shtetet e Bashkuara i urojnë suksese Z. Nishani dhe presin me kënaqësi të punojnë me të për të çuar përpara arritjet demokratike të fituara gjatë 21 viteve të shkuara. Në veçanti, do të mbështesim përpjekjet e tij për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të ruajtur pavarësinë e institucioneve të Shqipërisë, dhe, së bashku me partnerë të tjerë ndërkombëtarë, për të realizuar aspiratat legjitime të popullit shqiptar për ta parë vendin të marrë vendin që i takon si një anëtar i integruar plotësisht në bashkësinë euro-atlantike”.

Volfarth: Dija e Nishanit do t’i shërbejë vendit

Në përfundim të votimit, Nishani ka marrë një mesazh urimi nga ambasadori i OSBE-së në vendin tonë, Eugen Volfarth. “Zgjedhja e z. Nishani si President i ardhshëm i Shqipërisë është lajm i mirë. Ne e çmojmë punën e vendosur të ministrit për shtetin e së drejtës, në projekte të shumta me prezencën e OSBE-së në Shqipëri. Unë jam i bindur se dija e tij e thellë dhe përvoja e gjerë do të bëjnë që ai t’i shërbejë vendit të tij në mënyrën më konstruktive,” tha Volfarth.

Sekui: Roli i Nishanit, i rëndësishëm

Ambasadori i KE-së në vendin tonë, Etore Sekui, uroi dje kreun e ri të shtetit. “Përgëzoj z. Bujar Nishani për zgjedhjen e tij si President i Republikës së Shqipërisë. Dëshiroj t’i uroj suksese si President, post i cili përfaqëson unitetin e popullit. Roli i Presidentit në konsolidimin e pavarësisë së institucioneve shtetërore të Shqipërisë dhe për të ndihmuar vendin në bashkimin e të gjitha përpjekjeve do të jetë me rëndësi vendimtare për Shqipërinë, për të përballuar me sukses sfidat në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian”.

Rama: E papranueshme që një ministër të bëhet President

Pas shpalljes së Bujar Nishanit si kandidat për President, kreu i PS-së, Edi Rama, e cilësoi të papranueshëm për këtë parti. “Për më tepër, akoma është e papërfytyrueshme që një ministër të bëhet President dhe që Presidenti të kthehet në ministër. Është e papërfytyrueshme në kohë normale, dhe jo më në një moment si ky, që është një moment historik, delikat dhe që dikton në emër të interesit kombëtar dhe të ardhmërisë europiane të Shqipërisë domosdoshmërinë që përfaqësuesit e popullit shqiptar në Parlament të vënë interesin e njerëzve dhe të atdheut tonë të përbashkët mbi çdo interes pale”, u shpreh Rama. Për kryesocialistin, Nishani përfaqëson vetëm Partinë Demokratike.

Nga pedagog në Akademi te karriera në PD

Presidenti i ri i Shqipërisë, Bujar Nishani, vjen nga strukturat e Partisë Demokratike. Në CV-në e tij, të publikuar edhe në faqen e Ministrisë së Brendshme, karriera e tij është e ndarë në dy drejtime, deri në 1997 në pozicione të lidhura me Forcat e Armatosura dhe nga viti 2001 nis ngjitjen në hierarkinë e PD-së. Në 1989, Nishani ka qenë pedagog në akademinë ushtarake “Skënderbej”; në 1993 ka mbuluar marrëdhëniet me jashtë në Ministrinë e Mbrojtjes; në 1994, marrëdhëniet me NATO-n në Ministrinë e Jashtme, në 1996 ka qenë në kabinetin e ministrit të Mbrojtjes dhe në 1997, kryetar i Forumit të Ushtarakëve Euro-Atlantikë. Pas katër vjetësh, në 2001, ka marrë detyrën e sekretarit të degës së PD-së së Tiranës dhe dy vjet më vonë është zgjedhur në Këshillin Bashkiak të Tiranës nga lista e selisë blu. Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2005, ai u caktua në një prej zonave bastion të PS-së, në Kombinat, ku garonte përballë ministrit të Rendit të asaj kohe, Igli Toska. Nishani mori mandatin e deputetit në këto zgjedhje dhe dy vjet më vonë u bë ministër i Brendshëm. Në zgjedhjet e vitit 2009 u bë sërish deputet në qarkun e Tiranës dhe deri në 2011-n mbajti postin e ministrit të Drejtësisë. U rikthye në Ministrinë e Brendshme pas zgjedhjeve të 8 majit, deri ditën e djeshme kur edhe dha dorëheqjen.

Në Tiranë: Vath Tabaku, deputeti i ri i PD-së

Vath Tabaku do të jetë deputeti më i ri i Parlamentit shqiptar. Ai do të zërë vendin e Bujar Nishanit, i cili mori postin e kreut të shtetit. Tabaku ishte i 16-ti në listën e PD-së në qarkun e Tiranës dhe në zgjedhjet e vitit 2009 demokratët fituan 15 vende në Parlament. Tabaku është kandidat për doktoraturë në Gjermani (Göttingen) Universiteti Georg-August, Instituti i Silvikulturës dhe i Ekologjisë së Pyllit. Në CV-në e tij, të publikuar edhe në faqen zyrtare të PD-së në zgjedhjet e përgjithshme, thuhet se mban postin e dekanit të Fakultetit të Shkencave Pyjore, Universiteti Kamzë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama