Të tjera detaje zbulohen rreth arsyeve se përse Marselo Bielsa nuk u bë trajner i Lacios. Ai u nda ende pa u prezantuar me klubin.
Mediat ndërkombëtare shkruajnë se Bielsa pritet të drejtojë kombëtaren e Argjentinës.
E përditshmja italiane "Corriere dello Sport", duke iu referuar mediave argjentinase, përmend një detaj interesant: "Personi i ngarkuar për të dërguar Bielsan në drejtimin e Argjentinës është pikërisht një ish-lacial, Huan Sebastian Veron, që në emër të federatës argjentinase, po kontakton emrat e mundshëm për zëvendësimin e Gerardo Martinos në stolin e kombëtares".
Për Bielsën do të ishte një rikthim në kombëtaren e Argjentinës, pasi ai ka qenë drejtues teknik nga viti 1998 deri në vitin 2004.
60-vjeçari, vetëm dy ditë pasi i dha fjalën Lotitos se do të drejtonte Lacion vitin e ardhshëm, e ka telefonuar për t'i thënë se kishte ndryshuar mendje. "Dorëheqja e zotit Bielsa na ka lënë pa fjalë. Ne do të nisim procedurat për të ruajtur interesat e klubit tonë", thuhej në një deklaratë që u publikua dje në portalin e Lacios.