Kisha e Shënkollit në Grabovë të Gramshit është pre e grabitjes së ikonave dhe pikturave, si shumë kisha të tjera të vendit. Kjo kishë ndodhet rreth një orë e gjysmë nga qyteti i Gramshit dhe është ndërtuar nga fundi i shekullit të 18-të. Mundi t’i shpëtojë shfarosjes në vitet më të vështira të ekzistencës së saj. Mbijetoi edhe në vitin 1967 edhe më 1997. Por tashmë i kanë mbetur vetëm muret. Veç kishës, Grabova ruan një trashëgimi të pasur historike dhe kulturore. Të tilla janë varret me mbishkrime latine, ura dhe rruga Egnatia, toponimet ilire. Grabova është një zonë e cila njihet për qytetërimin e saj të hershëm të popullsisë vllehe, e cila jeton prej shekujsh në këtë treve.