Ndërkohë që çmimi i sivjetshëm iu akordua shkrimtarit të njohur turk Nedim Gyrsel, për romanin e tij ”Engjëlli i kuq”. Romani u cilësua si një vepër tepër e rëndësishme, që përshkruan ndryshimet e mëdha të shekullit të kaluar në Europë dhe në Turqi. Morën pjesë në konkurrim shkrimtarë nga Maqedonia, Bullgaria, Serbia, Greqia, Rumania dhe Shqipëria.
Diana Çuli, përfaqësuesja e Shqipërisë në jurinë e çmimit “Balkanika”, u shpreh se juria diskutoi mjaft gjatë për poezinë e Preç Zogajt. “Për shkak të një kriteri “të pathënë” poezia konkurron gjithnjë përballë romaneve dhe kjo krijon vështirësi në gjykim të barabartë mes zhanreve letrare. Diskutimi i artikuluar me seriozitet të madh mbi veprën poetike të Preç Zogajt, solli si përfundim një vendim të rëndësishëm të Balkanika-s: vitin e ardhshëm konkursi do të fokusohet vetëm tek poezia, për të patur një vlerësim të drejtë e të niveluar. Ky ishte edhe një sukses tjetër i rëndësishëm i letërsisë shqipe në rajonin e Ballkanit e më tej”, – tha Diana Çuli.
Si ishte përballja e letërsisë më të mirë të Ballkanit?
Mendoj se veprat e përzgjedhura nga secili vend ishin të mira dhe shumë të mira. Por si ngjarje letrare me rëndësi për gadishullin, “Balkanika 2012” nuk ishte, sipas mendimit tim, në lartësinë e veprave konkurruese dhe vetë idesë që mishëron.
Në çfarë kuptimi nuk ishte në lartësi?
Në kuptimin e ngjarjes. Unë kujtoj se “Balkanika 2010” në Vlorë qe një ngjarje për vendin organizator, madje pati jehonë edhe në vendet e tjera të gadishullit, gjë që nuk e pashë në Bullgari.
A prezantohet realisht më e mira në këtë konkurrim?
Secili vend ka një shtëpi botuese dhe një juri kombëtare që përzgjedh veprën konkurruese në “Balkanika”. Është shumë e vështirë të thuhet se zgjidhen kurdoherë veprat më të mira, aq më tepër kur në bazë të rregullit vepra duhet të jetë e përkthyer në anglisht ose frëngjisht. Ndërkaq subjektivizmi është i pranishëm edhe në juritë e çmimeve të mëdha…Sidoqoftë, historia e ‘Balkanikës’ ka treguar se veprat e zgjedhura kanë qenë kurdoherë të një cilësie të mirë. Autorët dhe veprat fituese nëpër vite përfaqësojnë në kompleks prurjet dhe vlerat më të afirmuara të letërsisë bashkëkohore të vendeve të Ballkanit. Ky fakt i bën nder ‘Balkanikës’.
Përmbledhja juaj…Arsyeja….
Siç është njoftuar, unë konkurrova me përmbledhjen me poezi “Ngjarje në tokë” që kam botuar para një vitit në SHBA. Isha konkurrenti i vetëm poet mes prozatorëve. Ishte vërtetë një nder dhe kënaqësi për mua të konkurroja deri në fund përkrah shkrimtarit të shquar turk, Nedim Gyrsel, i cili u shpall fitues i “Balkanika 2012” me romanin “Engjëlli i kuq”, kushtuar jetës në ekzil të poetit të madh turk, Nazim Hikmet. Juria, siç doli edhe në komunikatën përfundimtare, u ndal gjatë te libri im me poezi, duke vlerësuar dimensionin universal të mesazhit të poezive dhe duke shfaqur kërshëri deri për kandancat dhe tingëllimin në gjuhën shqipe. Juria mori një vendim që, vitin e ardhshëm dhe çdo tre-katër vjet të konkurrohet vetëm me libra poetikë.
Mendoj se libri im hapi rrugën për promovimin në të ardhmen të poezisë dhe poetëve në “Balkanika”. Kjo ishte një risi. Për këtë dëshiroj të falenderoj anëtaren shqiptare të jurisë, shkrimtaren Diana Çuli, e cila e prezantoi me një dinjitet të admirueshëm librin konkurrues të Shqipërisë. Nga ana tjetër, dëshiroj të pohoj se po të kisha të drejtë vote edhe unë do të kisha votuar për romanin “Engjëlli i kuq”, jo vetëm se ka në qendër figurën e Nazim Hikmetit të mrekullueshëm, por mbi të gjitha sepse është një vepër letrare e një cilësie shumë të lartë. Ishte një kënaqësi tjetër për mua të takohesha dhe të bisedoja disa herë me autorin e këtij romani, Nedim Gyrsel, një burrë fisnik mbi të gjashtëdhjetat, profesor në Universitetin e Sorbonës, turk, me një gjyshe me origjinë shqiptare. Në këtë mënyrë u ndjeva i shpërblyer edhe si poet duke qenë se vepra fituese i kushtohej një poeti, edhe si shqiptar, duke qenë se shkrimtari fitues kishte një rremb shqiptari.
Sa e njohin veprën e njëri-tjetrit shkrimtarët e Ballkanit?
“Balkanika” kërkon që veprat fituese të botohen në secilin vend ballkanik. Kjo klauzolë synon pikërisht njohjen e veprës dhe autorit fitues nga autorët dhe publiku i vendeve të tjera. Ajo nuk zbatohet kurdoherë. Në këtë rrafsh, “Balkanika” mund të bënte më shumë dhe mund të fitonte një dimension të ri duke shtyrë për më shumë botime dhe më tej, duke organizuar më shumë diskutime dhe debate profesionale për veçoritë apo tendencat e letërsisë që shkruhet në ditët tona në vendet ballkanike.
Në komisionin parlamentar ministri Bumçi pranoi se buxheti i 2013-ës që kap vlerën 2 miliardë lekë, krahasuar me këtë vit rezulton me një ulje prej 2.5 për qind.
Arti dhe kultura, më të varfër në 2013-ën
Ulja prej 2.5 për qind e buxhetit për turizmin, kulturën, rininë dhe sportet ka provokuar debat në komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik. I pranishëm në komision, ministri Bumçi pranoi se buxheti i 2013-ës që kap vlerën 2 miliardë lekë, krahasuar me këtë vit rezulton me një ulje prej 2.5 për qind. “Ky është buxheti më i ulët që ka pasur ndonjëherë Ministria e Kulturës. Ky buxhet ka nevojë për një reformim në mënyrën e shpërndarjes së parave”, – tha kryetarja e komisionit, Valentina Leskaj. Deputetë të së majtës në komision nuk i kursyen akuzat ndaj ministrit Bumçi dhe dikasterit që ai drejton, për menaxhimin e dobët të buxhetit vitin e kaluar dhe shpërndarjen e fondit të këtij viti. Deputetja e PS-së, Luiza Xhuvani e quajti buxhetin për artin qesharak. Ndërsa kanë shprehur rezerva për sa i përket menaxhimit të buxhetit për artin dhe kulturën edhe deputetë të djathtë në këtë komision. Sipas Mark Markut, buxheti nuk shkon për vlerat e artit dhe kulturës.
Nga ana e tij, ministri Bumçi deklaroi se kjo ulje ka ardhur si rrjedhojë e uljes së investimeve në fushat që mbulon ky dikaster. Kështu në përqindje, Arti dhe Kultura do të marrin 37.5 për qind të buxhetit, Trashëgimia Kulturore 20 për qind, Sporti 23 për qind, Turizmi 5 për qind dhe bashkësitë fetare 6 për qind. Në fushën e trashëgimisë kulturore, investimi më i rëndësishëm është cilësuar nga ministri Bumçi ai i ngritjes së Muzeut të Genocidit në Shkodër, një projekt që në fakt ka nisur më herët, por që duket se në 2013-ën do të gjejë zbatim. Ky muze i ngritur në ndërtesën e ish-hetuesisë dhe burgut të Shkodrës, është muzeu i parë i këtij lloji në Shqipëri. Ndërtimi i muzeut ka përfunduar dhe pritet të përfundojë rikonceptimi i brendshëm i tij.
Për ngritjen e tij në total fondi që ka lëvruar MTKRS-ja shkon në 22 milionë lekë, ku 13 milionë është pjesa e ‘tortës’ që i takon këtij projekti nga buxheti i 2013-ës. Një tjetër investim i vlerësuar i rëndësishëm nga ministri Bumçi është dhe rikonstruksioni i Muzeut Arkeologjik të Durrësit në vlerën 25 milionë lekë, një projekt që ka nisur qysh një vit më parë dhe do të mbyllet vitin e ardhshëm. Është hera e parë që investohet për rikonstruksionin e këtij muzeu, i ndërtuar në vitin 1951. Me rikonstruksionin e tij do të hapen dy kate të reja muzeale, ai i Mesjetës dhe i Romakëve.
Në fushën e artit dhe kulturës, buxheti do të shkojë vetëm si mbështetje për aktivitete kulturore nga institucione në varësi të MTKRS-së. Në fushën e sportit, edhe këtë vit ashtu si dy vitet paraardhëse është përfshirë sërish fondi prej 300 milionë lekësh për ndërtimin e stadiumit “Qemal Stafa”. Deputeti i PS-së, Fidel Ylli ngriti shqetësimin se MTKRS-ja prej dy vjetësh i ka djegur fondet për ndërtimin e stadiumit “Qemal Stafa”. Në fushën e zhvillimit të turizmit ka një rënie drastike të fondeve.
Por sipas ministrit Bumçi, fondet buxhetore janë planifikuar për realizimin dhe krijimi e identitetit të Shqipërisë si destinacion turistik për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit nëpërmjet promovimit dhe marketingut të turizmit cilësor, zhvillimit të turizmit të integruar, nxitjes së investimeve të huaja dhe rritjes së kapaciteteve njerëzore. Pjesëmarrja në panaire ndërkombëtare, realizimi dhe transmetimi i spoteve publicitare, botimi i materialeve promocionale dhe vënia e kulturës në funksion të turizmit, synojnë në promovimin e kulturës shqiptare në resurset më të qenësishme të trashëgimisë kulturore. Turizmi luan një rol kryesor/thelbësor në ekonominë shqiptare, kontribuon në rritjen e cilësisë së jetesës dhe në krijimin e një ambienti tërheqës për investimet. Trashëgimia kulturore është bërë pjesë e rëndësishme e turizmit kulturor, si rrjedhojë politikat janë orientuar në funksion të turizmit, ndaj dhe investimet në fushën e trashëgimisë janë benefit edhe në fushën e turizmit.
Lekë Tasi “ngre” mbikalimin në galerinë “Zeta”
Ekspozita “Mbikalimi” e piktorit Lekë Tasi, çelet sot në galerinë “Zeta” me kurator Stefan Çapalikun. Çapaliku shpjegon dhe konceptin kuratorial të kësaj ekspozeje. “Është një shkokëlim i metaforës së kalimit nga një pafajësi te tjetra, nga një kornizë ëndrre, nga një shkarje dore te një ngërç kontrolli, nga muzika te piktura, nga buzëqeshja te diskreditimi”. Botë e parë me sytë prej sferash të qelqta të një fëmije të moshuar. Arti si lojë, si festë dhe si simbol. Këto tri elemente të transhedentales së veprës artistike vijnë e shfaqen në pikturat e Lekë Tasit nëpërmjet karaktereve groteske të vendosura ndër rrethana tensioni dramatik, në një botë metafizike që mbaron dhe zhduket matanë linjave të kornizës. Piktura e tij është një fakt i ri semiotik në historinë e artit bashkëkohor shqiptar”, shkruan kuratori Çapaliku. Lekë Tasi (1929) është artist aktiv në letërsi, publicistikë e pikturë, me një dhunti për muzikën. Është autor i librit me kujtime “Grabiani rrëzë kodrave” dhe i romanit “Korridori me vetratë”. “Mbikalimi” vjen një vit pas ekspozitës së fundit personale. Qëndron hapur deri më 22 dhjetor.