Prej nga vjen uji i oqeaneve?

Prej nga vjen uji i oqeaneve?
Uji i kometave të Rripit të Kuiperit ka të njëjtën përbërje me atë të oqeaneve tona. Këtë e tregon një studim i ri

Sipas modeleve për formimin e planetit, në fillim Toka ishte shumë e nxehtë, sepse uji mbahej në gjendje të lëngët, dhe për këtë arsye origjina e oqeaneve mbeti një mister për shumë kohë. Shkencëtarët hodhën hipoteza se uji i Tokës erdhi nga shiu i kometave që goditën planetin pas ftohjes së tij. Por kjo hipotezë u hodh poshtë në vitet ’80, kur u mat raporti mes dy izotopeve të hidrogjenit (deuterium\hidrogjen) në ujë normal dhe në ujin gjysmë të rëndë të një komete. Në të ashtuquajturat molekula të ujit gjysmë të rëndë, më tepër i ngjashëm me atë të Tokës, një atom hidrogjeni (H) zëvendësohet nga izotopi i tij më i rëndë, deuteriumi (D). I gjithë uji që gjendet mbi sipërfaqen e Tokës ka një lloj raporti D\H dhe duke qenë se deuteriumi është një izotop i qëndrueshëm, ky raport mund të mbetet i pandryshuar për miliona vjet. Duke filluar që nga vitet ’80, studiuesit zbuluan se shumë kometa karakterizohen nga një raport D\H ndryshe nga ai tokësor. Me këto të dhëna mund të imagjinohet se të paktën 10% e ujit në Tokë ka ardhur nga kometat, ndërsa pjesa tjetër është sjellë nga asteroidet e pasura me shumë ujë.
Kometat e Rripit të Kuiperit

Përgjegjësi i studimit, Paul Hartogh, astronom i institutit “Max Planck Institute for Solar System”, ka ekzaminuar raportin D\H të kometës “103P/Hartley 2”, duke përdorur të dhënat e mbledhura nga vëzhguesi hapësinor “Herschel” i AHE (Agjencia Hapësinore Europiane). Rezultatet tregojnë se uji i kometës “Hartley 2” ka një përbërje pothuajse të ngjashme me atë të Tokës. “Hartley 2” është pjesë e të ashtuquajturës “familja e kometave të Jupiterit”, sepse orbita gjendet shumë pranë Jupiterit dhe objekteve të tjera gjigante të gazit. Falë stimulimeve me kompjuter, astronomët kanë hedhur hipoteza të reja që “Hartley 2” e ka prejardhjen nga Rripi i Kuiperit, një zonë që shtrihet edhe më përtej Neptunit, plot kometa dhe objekte të tjera të ngurta që dalin nga formimi i sistemit tonë diellor. Kjo tregon se grupi i madh i kometave që ka formuar oqeanet e para tokësore e ka origjinën pikërisht nga Rripi i Kuiperit. Kometat me një raport D\H të ndryshëm nga ajo tokësore kanë origjinë tjetër: janë formuar nga një zonë edhe më e largët, që gjithashtu është një tjetër rezervë kometash që, sipas astronomëve, fillon pas Rripit të Kuiperit.
Po asteroidet kanë sjellë ujë?

Duke qenë se është gjetur një kometë me përbërje shumë të ngjashme me atë të Tokës, të bën të shpresosh që mund të ketë shumë kometa të tilla. “Kjo do të thotë gjithashtu që më shumë se 10 për qind e të gjithë ujit të planetit tonë është sjellë nga kometat”, shpjegon Hartogh. Por të përcaktosh sasinë e saktë është e vështirë dhe janë të nevojshme studime të mëtejshme. “Ende nuk jemi në gjendje të japin një shifër të saktë. Në parim i gjithë uji i Tokës mund të ketë ardhur me kometat, megjithatë nuk përjashtohet fakti që uji mund të jetë sjellë nga asteroidet”, shton Hartogh.
Uji në planetin tonë

Sipas teorive të fundit, një përqindje e lartë e ujit të oqeaneve mund të ketë origjinë ekzogjene, ose më saktë mund të ketë ardhur nga hapësira. Prej nga saktësisht? Nga grimcat e pluhurit dhe kometat. Sot ne e dimë se bërthamat e kometave janë shumë të pasura me ujë. Për të krijuar një mendim rreth fenomenit, mjafton të mendosh që një kometë, për shembull e famshmja “Hale-Bopp” (që arriti kulmin e shkëlqimit në pranverën e vitit 1997) mund të përmbajë miliarda ton ujë. Në fakt do të mjaftonin 14 000 goditje me kometa si “Hale-Bopp” për të sjellë në Tokë gjysmën e ujit të oqeaneve. Fakti për origjinën ekzogjene të një përqindje të lartë të ujit të oqeaneve është zbulim i satelitit artificial “Polar” (1996-2008). “Polar” ka zbuluar se trupat e vegjël të ngurtë, me masë nga 20-40 tonë, përshkojnë vazhdimisht atmosferën e Tokës, ku shpërhapen në lartësi nga 26 000 dhe 8 000 kilometra, duke lëshuar në atmosferë re të mëdha avujsh uji që në Tokë bien në formën e shiut. Impaktet e këtij lloji janë të shumta çdo vit dhe sipas disa gjeologëve, ky ujë që vjen gjithmonë nga hapësira mund të kompensojë atë që fundoset në mantelin e Tokës dhe që nuk arrin të rikthehet në sipërfaqe.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama