Preljo dhe ultra-femerorja ne arenen e Durresit

Preljo' dhe ultra-femerorja ne arenen e Durresit
Mbrëmjen e 3 shtatorit, Festivali i Filmit i jep publikut në ekranin e madh "Borëbardhën", vepra e koreografit ndërkombëtar me origjinë shqiptare, Angjelin Preljocaj. Versioni filmik i baletit, me Preljocajn regjisor, prezanton imazhe përrallore dhe kostume të Jean-Paul Gaultier-së Aktualisht Angjelin Preljocaj, shkurt Preljo' (ata që do ishin krenarë për origjinën e tij shqiptare mund ta lexojnë edhe ndryshe këtë shkurtim, si "Prela") ndodhet në Moskë. Një e përditshme frënge njoftonte dje për punën intensive që koreografi po bën në Teatrin Bolshoi të Moskës.

E meqë Preljocaj është burim të rejash njëra pas tjetrës, meqë ai krijon spektakle për kompaninë e vet Preljocaj në Aix-en-Provence, po edhe për ato teatro që e ftojnë, tërheq gjithmonë vëmendjen dhe rrallë ndodh që të mos e justifikojnë veprat e tij. Në mars ai krijoi "Siddharta"-ën për Operën e Parisit. Në korrik nisi punën në Moskë për një vepër me temë Apokalipsin. Nga konkursi me 300 balerinë zgjodhi dhjetë. Rezultati shihet më 14-19 shtator në kryeqytetin rus, më pas në Lion në Bienalen e Dancit që do të mbahet më 24-27 shtator.

"Të punosh për një kohë kaq të gjatë larg Aix-en-Provence nuk është e lehtë, por kisha dëshirë. Dëshiroj të përfitoj nga energjia ime, nga forca ime fizike, që më lejon të jem pjesë e krijimeve të mia akoma. Jam 53 vjeç dhe së shpejti ka për të ndodhur që vetëm do të orientoj lëvizjet..."

Balerinët rusë të zgjedhur për këtë projekt po punojnë për herë të parë me një koreograf bashkëkohor. Ata e çmojnë "Preljo"-në si një artist të duruar dhe delikat. Prej këtin artisti publiku shqiptar ka për të parë shumë shpejt një vepër tijën të dy viteve të fundit. Ai vetë ka 15 vjet që ka shkelur në Shqipëri për herë të parë e të fundit. Në vitin 2002, një pjesë e trupës së tij, gjatë një turi botëror, u ndal edhe në Tiranë ku ekzekutoi veprën e shumpërfolur të koreografit "Flijimi i Pranverës".

Më 3 shtator 2010 në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Durrës, në kuadrin e seksionit "Takime të ngushta" që këtë vit i kushtohet kinemasë franceze, shfaqet "Borëbardha" 2008, prodhim i "Ballet Preljocaj", premierë e vitit 2008 në Francë. I frymëzuar nga përralla e Vëllezërve Grimm, me 26 balerinë të kompanisë së tij, Preljocaj ndërton një Borëbardhë me figura të jashtëzakonshme koreografike që lëvizin në muzikën simfonike të Gustav Mahler-it, po edhe skenike e kostumografike falë stilistit francez Jean-Paul Gaultier. Shtypi francez e ka cilësuar "përrallë përrallore me imazhe të një bukurie verbuese".

Më 3 shtator ndoshta zgjedhja do të jetë e vështirë, sepse në kohën që duhet të shfaqet "Borëbardha" në amfiteatrin romak të Durrësit, në teatrin "Aleksandër Moisiu" të qytetit shfaqet "Hi dhe gjak", filmi i parë si regjisore i aktores franceze Fanny Ardant. Ajo do të jetë e pranishme në Durrës të nesërmen, më 4 shtator. Pas rishfaqjes së filmit paradite, ajo del në një takim me publikun bashkë me shkrimtarin Ismail Kadare, pasi për "Hi dhe gjak" Ardant është bazuar edhe te "Eskili ky humbës i madh" i autorit shqiptar.

"Borëbardha" e Preljocajt shfaqet në ekran, sepse ky është versioni filmik që koreografi, tani në pozicionin e regjisorit ka përgatitur në vitin 2008 me të njëjtët bashkëpunëtorë, skenografin Thierry Leproust dhe kostumografin Jean Paul Gaultier. Kështu përralla ultra-femërore, arketipi i përrallës së zanave, gruaja e ëmbël po edhe gruaja e fortë dhe e vendosur, përbëjnë një festë imazhesh në ekran.

Preljocaj është shprehur për veprën: "I kam mbetur besnik versionit të Vëllezërve Grimm, me pak ndryshime personale që bazohen tek analizat e mia vetjake të simboleve të përrallës. Bettelheim e përshkruan Borëbardhën si një Edip përmbys. Njerka e ligë është një personazh qendror në përrallë. Është e vetmja të cilën e analizoj përmes narcisizmit të saj të përcaktuar jo për të hequr dorë nga joshja dhe roli i saj si grua - një vendosmëri e cila e shtyn të sakrifikojë thjeshtrën e saj. Simbolet u flasin të rriturve dhe fëmijëve, çdo njeriu, kjo është arsyeja pse i pëlqej përrallat."

Ai ka një përvojë njëzet vjeçare me kinemanë. Ka prodhuar disa filma të shkurtër, "Le postier", "Idées noires" dhe disa filma me metrazh të gjatë, "Un trait d'union" (1992) dhe "Annonciation" (2003), për të cilin mori Çmimin e Madh të Filmit Artistik (2003), Çmimin e Parë për Video-Dans (1992) dhe Çmimin e Festivalit të Videos në Pragë (1993). Ka bashkëpunuar për filma të ndryshëm duke prezantuar punën e tij koreografike: "Les Raboteurs" me Cyril Collard sipas pikturave të Gustave Caillebotte, "Pavillon Noir" me Pierre Coulibeuf në vitin 2006 dhe "Eldorado" me Olivier Assayas në vitin 2007. Angjelin Preljocaj u lind në Francë nga prindër shqiptarë më 1957. Filloi të studiojë balet klasik para se t'i futej kërcimit bashkëkohor të cilin e studioi me Karin Ëaehner. Në vitin 1980, shkoi të studiojë në Nju Jork me Zena Rommett dhe Merce Cunningham. Ndër mësuesit e tij ishte koreografja amerikane Viola Farber. U bashkua me Dominique Bagouet para se të themelonte kompaninë e tij "Balet Prejlocaj" në dhjetor të vitit 1984. Koreografia e tij e parë për pjesën "Tregu i zi" (Marche Noir) fitoi çmimin e Ministrisë së Kulturës Franceze. Më pas punoi për "Lotët e Bardhë". Më 1989 kompania e tij shndërrohet në Qendër Koreografike Kombëtare.

Produksionet e tij janë bërë pjesë e repertorit të shumë kompanive, si Baleti dhe Opera e Parisit, "La Scala e Milanos" dhe Baleti i Nju Jorkut.

Gjatë karrierës së tij, Angelin Preljocaj ka marrë një sërë çmimesh, duke përfshirë Çmimin e Madh Kombëtar të Dancit nga Ministria franceze e Kulturës në vitin 1992, "Benois de la danse" për "Le Parc" në vitin 1995, çmimin "Bessie Award" për "Annonciation" në vitin 1997, "Les Victoires de la musique" për "Romeon dhe Xhuljetën" në vitin 1997, Globin e Kristaltë për "Borëbardhën" në vitin 2009. Për veprat e tij, i është akorduar titulli Kalorës, ndërsa në 1998 ka marrë titullin Kalorës i Legjiont të nderit.

Baleti rus mbetet një frymëzim i përhershëm i tij dhe kritikët theksojnë se ai ngjan disi me Nijinskin. Ai është një prestigjiator i dansit klasik, prej repertorit të të cilit ka shfrytëzuar shumë, duke sjellë versione origjinale të "Romeo dhe Xhulietës", apo "Flijimi i pranverës" me muzikë të Stravinskijt.

Filmi

BORЁBARDHA / BLANCHE NEIGE, France 2008

Regjisor: Angjelin Preljocaj
Koreograf: Angjelin Preljocaj
Kostumet: Jean-Paul Gaultier
Muzia: Gustav Mahler
Skenograf: Thierry Leproust
Ndriçimi: Patrick Riou assisted by Cécile Giovansili and Sébastien Dué
Balerinë: Isabelle Arnaud, Neal Beasley, Virginie Caussin, Gaëlle Chappaz, Hervé Chaussard, Damien Chevron, Baptiste Coissieu, Craig Daëson, Davide Di Pretoro, Sergio Diaz, Sébastien Durand, Caroline Finn, Céline Galli, Alexandre Galopin, Yan Giraldou, Natacha Grimaud, Emma Gustafsson, Ayo Jackson, Jean-Charles Jousni, Emilie Lalande, Céline Marié, Lorena O'Neill, Bruno Péré, Zaratiana Randrianantenaina, Nagisa Shirai, Julien Thibault

Produksioni: Ballet Preljocaj

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama