Në spektaklin e Preljocajt do të shohim një përballje mes letërsisë dhe vallëzimit. “Edhe në raste të tjera e kam provuar veten që letërsia dhe kërcimi mund të përafrohen sepse shfaqin dhe përcjellin emocione të ndryshme”, tha koreografi. Është pjesë për 6 balerinë dhe një aktor e cila bazohet në romanin “Ajo që unë quaj harresë” e Laurent Mauvignier. Teksti i referohet një ngjarje që kanë ndodhur në një supermarket në Francë. Një i ri, i pastrehë rrihet për vdekje nga forcat e sigurisë sepse merr pa paguar një kanoçe birrë. “Pjesa është e thjeshtë dhe tragjike”, shpjegon Preljocaj. Ai vlerëson rolin e tekstit, të cilin publiku në TOB do ta ndjekë në shqipe të subtitruar, për ta ndjerë të plotë forcën dhe emocionin e këtij spektakli. “Bëmë një përpjekje shumë të madhe të ruanim ekuilibrin ndërmjet tekstit dhe vallëzimit.
U kujdesëm që të gjitha veprimet të shprehnin dhe të ilustronin fjalët të tekstit dhe çdo gjë gjatë vallëzimit të ishte një shprehje e asaj që lexohej në tekst. Për këtë arsye në momente të caktuara vallëzimi është shumë i dhunshëm, shumë i fortë në mënyrë që të saktësohet mesazhi që ofron teksti. Pasi ideja ime, projekti im nuk ishte të bëja një vallëzim të bukur, absolutisht jo.
Por të bëja një vallëzim që të shprehte një forcë të madhe artistike, të dhunshme.” Kjo në vështrimin artistik. Por Preljocaj nënvizon edhe aspektin social. Sipas tij, kjo është lloji i veprës që nxit shoqërinë të pyesë veten se si është e mundur të arrihen në akte të tilla dhune, të vritet një person për një gjë aq banale siç është një shishe birrë. “Është e vërtetë që Shqipëria ka pasur një histori shumë tragjike, shumë të rëndë, shumë të dhunshme ndoshta ndonjëri mund të shohë ndonjë afërsi në mes këtyre aspekteve që lartpërmenda, por në zanafillë, teksti nuk ka pasur të bëjë me Shqipërinë.” Shfaqja e spektaklit në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, sado jo i përfshirë në programin e aktiviteteve zyrtare, e çoi natyrshëm koreografin që të shprehej dje edhe për raportet e tij me origjinën, të cilën e ai e përcakton si një ndjenjë, si një kuptim të gjithëpranishëm në krijimtarinë e tij.
“Një nga krijimet e mia që është frymëzuar drejtpërdrejt nga trashëgimia e shqiptarëve është baleti “Dasma” që u realizua nga eksperienca ime nga ajo që unë kisha parë në dasmat që organizoheshin në familjen time sidomos në Mal të Zi ku kam dhe anëtarë të familjes sime. Kjo është një vepër tërësisht shqiptare por shqiptarizmi im mund të ndihet jo vetëm aty por dhe në vepra të tjera të miat. Unë jam thellësisht i lidhur me vendin e origjinës çdo pjesë e imja e vënë në skenë në mënyrë direkte ose jo reflekton brendinë time dhe origjinën time. Gjithë ajo që kam unë nga Shqipëria, letërsia, leximet edhe kur tema nuk ka të bëjë fare me Shqipërinë apo përkatësinë time etnik, është e qartë, dhe sensi im kombëtar ndihet kudo.” Formimi i Preljocajt kaloi nga një baleti klasik në atë bashkëkohor. Në vitin 1984 ai krijoi kompaninë Ballet Preljocaj.
Por siç u shpreh dhe ai dje, viti 1991 shënoi një frytet e para me “Romeo e Xhuljeta” (1990) e ambjentuar në një vend totalitar të Evropës Lindore, apo me “Pak” (1994), një eksplorim në erotikën formale të oborrit në shek.17. Qendra Koreografike ka gëzuar vazhdimisht mbështetjen e qeverive të ndryshme franceze. “Duhet në radhë të parë që artistët, kërcimtarët, balerinët të mendohen për t’u zhvilluar më tej artin e tyre, dhe të zbulojnë mënyra të reja shprehjeje. Për këtë arsye kam qenë gjithmonë i rrethuar nga bashkëpuntorë të mi, të cilët më kanë ndihmuar, me të cilët kam arritur të bashkëpunoj edhe në fusha të tjera siç janë piktura, muzika dhe në rastin e spektaklit të fundit me letërsinë.
Aktualisht punoj në një sallë të madhe ndërtuar nga bashkia e qytetit të ndihmuar dhe nga qeveria.” Trupa përbëhet nga 26 balerinë, por ekziston dhe një administratë e tërë që merr pjesë në prodhimin e spektakleve të të reja e të përvitshme dhe programon turnetë nëpër botë. Koreografi thotë se në kriza e përgjithshme që po kalon ekonomia, ka prekur edhe kulturën, baletin. “Është shumë e vështirë të gjenden financime për realizime të reja. Bashkëfinancuesit kanë më pak para, prandaj në këto kushte bëhet tepër e vështirë të realizosh spektakle të reja.” Konkretisht, ardhja e trupës së tij bëhet e mundur nga Ministria e Kulturës dhe Ambasada Franceze në Tiranë.
Mbrëmë, Këshilli i Ministrave i ka miratuar buxhetit të Ministrisë së Kulturës: 6. 493. 200 lekë për "Baletin Preljocaj". Në mbyllje të video-konferencës drejtori Ciko i bëri e ftoi koreografin që për vitin e ardhshëm të mendojë mundësinë për realizimin e një spektakli në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë. Më 2013-n bëhen 60 vjet nga krijimi i TOB dhe 100 vjet nga lindja e Igor Stranvinskit, me muzikën e të cilit Preljocaj ka punuar shumë. Ciko i bëri një ftesë konkrete që ky spektakël me trupën shqiptare të baletit t’i prekte të dy përvjetorët dhe “do të sillnit vërtetë atë rrënjën, genin tuaj shqiptar të interpretuar në modernitet dhe gjithashtu në kulturën ndërkombëtare, së cilës ju i përkisni”.
Kontakte euroshqiptare, ekspozita e hartave në Durrës
Pas prezantimit në Parlamentin Europian, ekspozita “Kontakte euro- shqiptare” zhvendoset në Durrës. Është e organizuar në dy pjesë. E para përmban rreth 50 harta europiane të shek.II-XIX. Pjesa e dytë përmban rreth 50 botime për Shqipërinë, të shekujve XIX dhe fillimi i shek. XX. Kuratorët e ekspozitës Artan Shkreli dhe Artan Lame propozojnë kartografinë e trojeve arbërore në shekuj, pikërisht në Durrës, si një prej urave më të rëndësishme të lidhjeve midis Shqipërisë dhe Europës. Kjo është e para ekspozitë e këtij lloji, që paraqet kartografinë e trojeve arbërore në shekuj. Në ceremoninë inauguruese, i pranishëm Edi Rama, kryetari i Partisë Socialiste përmendi suksesin që ekspozita pati në Bruksel, se si publiku paskësh parë me habi një “Shqipëri” në mes të Europës dikur, prapa portave të saj sot. Rama lexon paaftësinë e politikës “që i ka pasur gjërat në dorë për ta bërë realitet praninë e Shqipërisë në familjen evropiane”.