Premio te Tirana 30 milione leke per derbin

Premio te Tirana, 30 milionë lekë për derbin

Tirana mbush "xhepat" pas derbit. Edhe pse nuk fituan dot, bardheblutë janë shpërblyer. Barazimi është shoqëruar me një premio të majme për futbollistët, të cilët vetëm dje kanë marrë gjithsecili pjesën e vet. Lojtarëve dje u janë shpërndarë 30 milionë lekë (të vjetër) për pikën e marrë dhe lojën e mirë që zhvilluan ndaj Partizanit. tiranaGjatë paradites bardheblutë janë njoftuar që të paraqiten në zyrat e klubit për të marrë zarfin e tyre. Kujtojmë që kjo është e para herë për këtë vit futbollistik që te Tirana jepet premio. Deri një sezon më parë ka qenë zakon që pas çdo fitoreje të rëndësishme të mos mungonin shpërblimet, megjithatë pika morale e marrë në derbi ka detyruar drejtuesit që të hapin "thesin".

Shpërndarja

Burime të sigurta për "Panorama Sport" konfirmojnë se titullarët morën nga 1 milion e 400 mijë lekë (të vjetër), ata të stolit gjysmën e kësaj shume, pra 700 mijë lekë (të vjetër). Por pa gjë nuk mbetën ata që ishin jashtë 18-shes, pra ata që nuk ishin grumbulluar fare për ndeshjen e javës së 33-të të Superiores.

Edhe ata morën nga 500 milionë lekë (të vjetër gjithnjë). Ky shpërblim nuk është aq i befasishëm në fakt. Një natë para se të luhej ndeshja kundër të kuqve, presidenti Refik Halili, gjatë vizitës që kishte bërë në hotelin ku u grumbullua ekipi, u pat premtuar një shpërblim të majmë. Në rast fitoreje shuma mund të shkonte në 50 milionë lekë (të vjetër), ndërsa barazimi sikundër edhe u vërtetua është përkthyer me 20 milionë lekë më pak.

Fundi i "krizës"

Edhe pse misioni "Europë" është shumë larg, kur kanë mbetur edhe 3 javë nga mbyllja e krejt sezonit, drejtuesit më të lartë të klubit nuk janë kursyer. Ky 90-minutësh kishte më së shumti vlera morale, përtej objektivave sezonale. Edhe pse "rekordi" negativ nuk është thyer ende, të paktën Tirana arriti që të ndalte rivalin e përjetshëm. Një pikë që shkoi si "asist" për Skënderbeun, që pretendon të marrë titullin e gjashtë radhazi. Por, më shumë se "hesapet" e korçarëve, kryeqytetasit bënë llogaritë e veta. Sikundër edhe dihej, me një tjetër rezultat negativ në derbi, bardheblutë do të zyrtarizonin zyrtarisht "krizën" me tifozët. Këta të fundit e patën deklaruar hapur se "paqja" mes palëve do të vinte vetëm nëse do të ndalnin Partizanin. Dhe barazimi i dha fund të gjithë problematikës dhe kjo u pa në fundin e takimit, ku tifozë, lojtarë, staf dhe drejtues festuan së bashku për minuta të tëra. Barazimi në derbi, edhe pse i largon nga zona "Euro", shërbeu për të çuar nderin në vend.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama