Një premtim që nuk la gojëhapur vetëm shqiptarët, por edhe vetë ambasadorin e SHBA-së, Aleksandër Arvizu. Pavarësisht se ministrat e tij vijuan ti mëshonin këtij premtimi, që këto ditët e fundit duket se është harruar. Pas tij vjen Edi Rama me premtimin se që në mandatin e parë ai do të hapë 300 mijë vende punë të reja. Kryesocialisti do të kishte bërë të ishte disi më realist me shifrat. Për të ardhur më pas tek perla e kësaj fushate. Partia Lëvizja Shqipëria e Re ka premtuar legalizimin e poligamisë! Dhe tjetra që vjen nga komunistët: të legalizohet hashashi!
Të hiqen vizat me SHBA-në
Ky premtim që ka lënë me gojëhapur edhe ambasadorin amerikan Aleksandër Arvizu (siç u shpreh edhe vetë në emisionin Opinion” vjen nga vetë nga kryeministri Berisha. Në fakt kur u dëgjuar për herë të parë u mendua si një premtim i shpejtë fushate, dhe nuk do të përmendej më. Por jo! Kryeministri Berisha duke ditur mirë se sa e duan shqiptarët Amerikën, vijoi ti mëshojë edhe më shumë kësaj teze. Madje në një miting në Librazhd ai tha se: “Tani që deklaruam se do marrim vizat për SHBA dje deklaroi se të gjithë do shkojnë në Amerikë. Jo zotëri do shkojmë për vizitë, do ta bëjmë Shqipërinë Amerikë”.
300 mijë vende pune
Kreu i PS-së, Edi Rama, ka premtuar që nëse fiton zgjedhjet ai do të hapë 300 mijë vende pune që në mandatin e parë. E në fakt kjo shifër e Ramës është tepër e ekzagjeruar dhe kjo deklaratë e Ramës është vënë shpesh herë në lojë.
Të legalizohet poligamia
Partia Lëvizja Shqipëria e Re ka edhe premtimin më ekstrem: atë të legalizimit të poligamisë. Kjo parti premton se do të legalizojë poligaminë, sipas modelit islamik, një burrë me deri në katër gra. Në programin e saj, kjo parti thotë se e kërkon këtë masë “për të shpëtuar kombin”. “Ndryshimi i kodit të familjes, pranimi i poligamisë (martesat një burrë me deri në katër gra, me kushtin që secilës prej grave t’i krijohen kushte dhe përkujdesje proporcionale dhe të barabartë) si zgjidhje e mundshme për t’u bërë ballë shumë ndryshimeve demografike të ndodhura në këto 22 vitet fundit (emigracioni masiv kryesisht i meshkujve shqiptarë dhe boshatisja demografike nga meshkujt në Shqipëri, martesat e grave shqiptare në vendet fqinje në kombe të cilat historikisht kanë qenë të interesuar për asimilimin dhe eliminimin e Kombit tonë)”, thotë ajo. Kjo parti që mundohet të kopjojë modelin e partisë turke të Ergogan synon që ndoshta të marrë vota nga ekstremistët e myslimanëve. PLSHR është në koalicion me Partinë Demokratike.
Kundër homoseksualëve
Vijmë tek një tjetër premtim ekstrem: ndalimi i homoseksualitetit. Kush tjetër mund ta propozonte këtë premtim, veç Ekrem Spahisë, i bërë i famshëm për deklaratën e tij kundër paradës së homoseksualëve që duhen rrahur me hunj. Një deklaratë që bëri xhiron e botës. Por kreu i Lëvizjes së Legalitetit nuk është tërhequr aspak nga kjo ide. Në një mënyrë më të zbutur në programin e tij elektoral duke thënë se “shteti shqiptar nuk duhet ta njohë homoseksualitetin”, por pa sqaruar se çfarë nënkupton kjo gjë. PLL është në koalicion me PD-në.
Të legalizohet marijuana
Po, ka edhe një premtim të tillë. E nëse do të mendoni që ky premtim vjen nga ndonjë parti liberale do të gaboni rëndë. Ky premtim vjen nga një parti komuniste, më saktë nga Partia e Punës e Riorganizuar. Kryetari i kësaj partie deklaroi disa javë më parë se Shqipëria duhet të ndjekë shembullin e vendeve të zhvilluara sa i përket legalizimit të marijuanës. Megjithatë duke lënë mënjanë marijuanën, në programin e kësaj partie, Dajti premton rikthim të drejtpërdrejtë në socializëm, ekonomi shtetërore, shtetëzim të bujqësisë etj. Kjo parti është në koalicion me Partinë Socialiste.
Ndodh edhe në Maqedoni: Nuse për beqarët
Por ky i premtimeve ekstreme nuk është vetëm fenomen shqiptar. Në zgjedhjet lokale që u zhvilluan para disa javësh në Maqedoni ka pasur shumë premtimet e çuditshme dhe të pazakonta. Në një komunë rurale maqedonase, u është ofruar në këmbim të votës nuse për martesë. Një tjetër premtim që vlen të theksohet është se partitë politike u kanë premtuar prindërve, ekskursione për fëmijët e tyre në vende të ndryshme, nëse at ua japin votën në zgjedhje.