Sot Gjermania ka nevojë për eksperi encën e kapitenit të saj dhe Joakim Lëv e konfirmoi se Bastian Shvajnshtaiger do të jetë që nga minuta e parë në gjysmëfinalen ndaj Francës. Objektivi është i qartë: kampionët e katërfishtë të botës do tentojnë të fitojnë titullin e katërt edhe në kontinentin e tyre, por përballë do të kenë një skuadër shumë të fortë si Franca.
Ai pranon se të dy ekipet do të jenë në presion dhe se nuk do të ketë asnjë rezultat si ai që "pancerat" siguruan në gjysmëfinalen e Botërorit përballë vendit organizator dy vite më parë. "Franca nuk ka mbrojtjen e Brazilit të 2014-ës", tha Joakim Lëv, i cili pavarësisht se thotë se nuk ka favorite, e pranon se skuadra e tij ka treguar më shumë këtë Europian sesa organizatorët.
Cili do të jetë formacioni i Gjermanisë ndaj Francës?
Bastian Shvajnshtaiger do të jetë titullar pa asnjë diskutim. Unë e kisha thënë edhe më parë. Nëse ai do të ishte gati, atëherë do të luante. Ai ka forcën fizike për të luajtur që nga minuta e parë. Në një betejë të tillë eksperienca është jashtëzakonisht e rëndësishme. Në stërvitjen e sotme të fundit (dje) ai e mbylli pa asnjë lodhje dhe pa asnjë ankesë dhimbjeje. E ka kaluar plotësisht dëmtimin. Nuk kam asnjë dyshim për formacionin që do të hedh në fushë. Dyshimet e vetme i kisha deri në mbrëmjen e së martës. Tani e kam të gjithë formacionin në kokë.
Për këtë ndeshje jeni pa Gomezin, Humelsin dhe Khedirën. Do të jetë e vështirë t'i zëvendësoni?
Të zëvendësosh këta tre lojtarë nuk është aspak e lehtë për ne. Prandaj është shumë e rëndësishme prezenca e Shvajnit me eksperiencën e tij. Ai la një përshtypje shumë të mirë ndaj Italisë. Do përpiqemi që t'i kompensojmë mungesat. Unë kam besim te lojtarët që do të jenë titullarë dhe ata që do të hyjnë gjatë lojës.
Çfarë kundërshtari është Franca?
Franca është një skuadër shumë fleksibël dhe e fortë në sulm. Mos gaboj, ata kanë efikasitetin më të lartë përpara porte në këtë turne dhe mendoj se do të luajë dhe shtyjë me të gjithë forcat e saj në sulm. Ne duhet të jemi kompaktë. Do të jetë e vështirë për ne nëse u lejojmë korridore francezëve.
Ka pika të dobëta kjo Francë, të cilat Gjermania do përpiqet që t'i shfrytëzojë?
Çdo skuadër ka pika të dobëta dhe probleme në lojën e saj. Skuadra perfekte nuk ekziston. Ata dominuan Islandën dhe luajtën shkëlqyeshëm ndaj tyre, por sërish shfaqën dobësi dhe ne i kemi identifikuar pikat e tyre të dobëta gjatë asaj ndeshjeje në mënyrë që t'i shfrytëzojmë. Por unë nuk mund të hyj në detaje në këtë konferencë, për t'i lënë disa gjëra surprizë për ndeshjen.
Cila do të jetë favorite?
Ne jemi skuadra më e fortë me të cilën Franca është përballur deri në këto momente këtë Europian dhe do të japim gjithçka që të shkojmë në finale. Por unë mendoj se Franca është një skuadër më e fortë se ajo që ne mundëm në Botërorin e 2014-ës në çerekfinale. Do të jetë një ndeshje shumë, por shumë më interesante dhe me më tepër raste shënimi sesa ajo me Italinë. Ne nuk jemi favoritët, sepse luajmë në shtëpinë e tyre. Nuk ka favorite dhe roli i të qenit favorite nuk ka asnjë ndikim. Të dyja skuadrat kanë cilësitë e tyre dhe do përpiqen t'i shfaqin ato në fushë.
Çfarë do të vendosë në këtë gjysmëfinale për të shkuar më tej?
Do të jetë një çështje vullneti. Sepse, sa i përket motivimit, nuk do ketë asnjëra nga ekipet problem për të qenë në 100%. Është çështje vullneti dhe lojtarët tanë do të japin gjithçka ata kanë në arsenalin e tyre. Këto janë ndeshje ku motivimi është shumë i rëndësishëm. Mund të shkojmë në shtesë dhe atje vendosin detajet, por në fillim çdo lojtar duhet të jetë i motivuar për të dhënë gjithçka ai mundet.
Mund të heqim një paralele me gjysmëfinalen e Botërorit të shkuar në Brazil, ku Gjermania shkatërroi vendin organizator 7-1? A mund të përsëritet një rezultat i tillë?
Një kombëtare është mësuar të luajë me ndjenjën e presionit. Brazili ishte një situatë, e cila nuk do të përsëritet në një gjysmëfinale së shpejti. Ata u shokuan, pasi pësuan 2-3 gola në vetëm pak minuta. Franca është një skuadër shumë më solide në mbrojtje sesa Brazili dy vite më parë.