Prerja e flokëve nga djali, akt i pashembullt. Komuniteti mirditor në Durrës reagon ndaj prerjes së flokëve të nënës nga i biri, duke e vlerësuar ngjarjen të pashembullt. “Një akt aspak kanunor dhe për më shumë i padëgjuar ndonjëherë mes malësorësh.” Ky ka qenë reagimi i një pjese të mirë të banorëve të së ashtuquajturës “Lagje mirditore” në zonën e ish-Kënetës së Durrësit, ku dy ditë më parë u arrestuan nga policia babë e bir për dhunën e ushtruar ndaj një 39-vjeçareje. Gruaja që u dhunua nga burri dhe i biri është një nga gratë e shumta që detyrohet të mbajë familjen me punën e saj dhe njëkohësisht të durojë dhunën e bashkëshortit të papunë e që rëndom dendet në alkool, pa mundur të ndryshojë gjendjen e tij dhe të sigurojë të ardhura për familjen.
Tre vjet më parë, familja e Vojsavës u zhvendos nga fshati Perlat i Mirditës në zonën e ish-Kënetës në Durrës, ku jeton në një shtëpi me qira ende të papërfunduar dhe në kushte aspak të mira. 39-vjeçarja, nënë e dy djemve, jo vetëm u dhunua nga bashkëshorti si zakonisht, po në këtë krim mori pjesë dhe djali i madh. Duke e akuzuar për imoralitet, ai i preu flokët së ëmës si formë ndëshkimi, i ndikuar nga fjalët e të atit, po dhe jeta parazitare që ka nisur të bëjë që në adoleshencë.
Në familjen Arapi
Vojsava është e vetmja në familje që ka një punë të rregullt. Ajo punon në një repart rrobaqepësie me porositës gjerman. E detyruar të mbajë familjen, ajo ka shkuar në punë ditën e martë, për të mos humbur asnjë ditë pune dhe për të marrë të plotë rrogën mujore që mundëson shlyerjen e qerasë dhe përballimin e nevojave bazë për familjen. Ajo paguhet me 18 mijë lekë të reja, shtatë mijë prej të cilave shkojnë për të paguar qiranë mujore dhe me pjesën tjetër duhet të mbajë familjen.
I shoqi, Gjergj Arapi, është i papunë dhe gjithnjë në kërkim të një pune për të siguruar ndonjë të ardhur ditore, që më së shumti e shpenzon duke pirë. Në shtëpi ndodhet vetëm djali i vogël i familjes, Elidoni, i cili tregon mbi konfliktin e pakuptimtë që shpërtheu në shtëpinë e tij, ashtu si dhe herë të tjera, po këtë herë përfshiu dhe vëllain e madh. Dhuna e radhës e ka goditur fort, teksa ka parë që dhe vëllai i madh ka ngritur dorë mbi nënën dhe i është drejtuar për ndihmë policisë, shërbimet e së cilës kanë bërë arrestimin në flagrancë të babë e bir, Gjergj dhe Pjetër Arapit, përkatësisht 45 dhe 17 vjeç. Sherri nisi pasi ai, së bashku me të ëmën, ishin kthyer nga mesha e së dielës në kishë. Teksa bisedon me të, lotët mbushin sytë e tij. Nuk është e lehtë të përballojë peshën e madhe të dhunës që përjeton në familje, po dhe të veprimit që ka kryer. Megjithatë është i bindur se e ndihmoi të ëmën dhe veten nga dhuna aq e pakuptimtë dhe abuzive ndaj së ëmës, e vetmja që mban familjen, dhe që ai nuk di t’i vërë një emër.
Opinioni i njerëzve
Prerja e flokëve konsiderohet si një akt ndëshkimi publik në kanun, i ndërmarrë nga burri i shtëpisë për çështje të rënda morali dhe sipas malësorëve, shoqërohet me kthimin e gruas në derë të prindërve, por akti është kryer nga i biri dhe kjo është e pafalshme dhe e pashembullt për ta. Nikoll Pacani, nga Mirdita, thotë se nuk ka dëgjuar kurrë dhe është e pafalshme që biri të ngrejë dorë ndaj nënës. “Është e ndaluar me kanun. Nuk është dëgjuar kurrë kjo. Me kanun djali nuk duhet të prekë nënën. Është çnderim i madh ky.” Në kishën katolike, ku Vojsava kishte qenë ditën që u dhunua barbarisht në familje, Mrika Prenga, besimtare dhe kuzhiniere në shërbim të priftërinjve të huaj të kësaj kishe prej 20 vitesh, thotë se ngjarja e ka shokuar. “Vojsava është grua zonjë. Vjen rregullisht në kishë dhe kurrë nuk është përfolur për ndonjë gjë të keqe.
Grua e mirë dhe punëtore. E dëgjova në lajme dhe u trondita shumë. Nuk ka kanun që të mbështesë sjellje të tillë, aq më tepër nga i biri ndaj nënës, por po jetojmë në kohë vërtet të këqija. Asgjë nuk është më si më parë. Çudira e marrina dëgjojmë pa fund. Nuk po jetojmë dot si më parë, pa këtë presion. Pa këtë pasiguri.” E ndërsa duam të kontaktojmë dhe me priftin që drejton kishën, ai e shmang komunikimin për këtë ngjarje, duke e konsideruar një çështje private. Kisha që drejton, vepron në zonën e ish-Kënetës. Në formë paralajmëruese, dikush nga stafi i kishës thotë: “Mirditorët të vrasin dhe për kot, ndaj kuptojeni.” Ndërkohë, në shtëpinë e vogël të Arapëve, ditët e fundit kanë kaluar në qetësi, ndonëse me një familje të përgjysmuar, ndërsa babë e bir pritet të dalin sot, të mërkurën para gjykatës për vleftësimin dhe caktimin e masës së sigurisë për akuzën “dhunë në familje”.
Rrëfimi
Vojsava Arapi është rikthyer dje në punë dhe shprehet se nuk mund ta falë djalin e burrin
E dhunuara: Do më hidhnin ujë të valuar në kokë
Djali më kërcënoi se do të më priste kokën, burri i thoshte: Ma jep mua thikën, ta vras unë
Vojsava Arapi është viktimë e dhunës në familje prej vitesh. Nën petkun e të qenët xheloz për gruan, Gjergj Arapi ushtronte dhunë të vazhdueshme. Teksa lë punën, pasdite, Vojsava pranon të flasë për dhunën e ushtruar mbi të. Ajo tregon se të dielën kishte shkuar të punonte për të marrë më shumë para në fund të muajit. Pas dy orëve punë, u është thënë ta ndërprisnin atë dhe të shkonin në shtëpi.
“Ishte ditë e diel dhe meqë dolëm herët mendova të shkoja në kishë, për të ndjekur meshën e së dielës, siç bëj zakonisht të dielave. Në kishë u takova dhe me djalin tim, të voglin. Pas meshës, Elidoni u shkëput nga unë dhe si fëmijët u kthye me vrap në shtëpi, ndërsa unë u ktheva me shoqet. Bateria e telefonit më kishte rënë. Kur u ktheva në shtëpi, Gjergji kishte dalë dhe unë vura ujë për gjellën në zjarr e po merresha me punët e shtëpisë. Me të ardhur nisi të bërtasë dhe të më pyesë ku kisha qenë dhe pse nuk isha kthyer me djalin. Unë u ktheva menjëherë, pak pasi djali ishte futur në shtëpi, por ai (Gjergji) kishte dalë i nervozuar. Të dy, burri dhe djali nisën të më godasin. Donin të më digjnin dhe me ujin e valuar që ishte duke u ngrohur në rezistencë, pastaj djali mori një thikë në dorë. Ai më kërcënoi: Trego më kë ishe se do ta pres kokën. Burri i thoshte: Ma jep mua thikën, ta vras unë. Djali u mundua të më priste flokët me thikë, por nuk mundi, pasi thika nuk priste. Atëherë i ati i dha një brisk dhe me të m’i preu flokët mbrapa. Ndihem shumë e turpëruar, pasi nuk mendoja kurrë se fëmija im, të cilin e kam rritur me sakrifica, të vinte dorë mbi mua, aq më tepër të sillej në atë mënyrë. Unë dhe djali i vogël, Elidoni, nisëm të bërtasim. Kisha frikë se do të më vrisnin. Të dy na kërcënuan të mos e zbërthenim gojën, pasi do të na gjente belaja të dyve. Më thanë që të mblidhja flokët që kishin rënë përtokë dhe t’i hidhja në plehra.
Përfitova dhe shkova u fsheha, ndërkohë që djali i vogël shkoi në polici. Më pas shkova dhe vetë në polici. Policët erdhën e i morën në komisariat të dy. Burrin e kam denoncuar dhe herë të tjera, po jam detyruar t’i tërheq denoncimet, pasi njerëzit e tij më kërcënonin se do më vrisnin vëllain tim nëse vëllai i tyre futej në burg. Thonë se ata janë penduar, po nuk mund t’i fal. Jam burrë e grua në këtë shtëpi, asnjëri prej tyre nuk punon. Përveç të ushqyerit i mbaja dhe me cigare e pare xhepi dhe ja ku përfundova…”, shprehet ajo. Vojsava duket se e njeh mirë kanunin dhe rastet e parashikuara në të për ndëshkimin publik me prerje flokësh, ndaj mohon që veprimi i të birit të jetë mbështetur në të. “Nuk ka lidhje me kanunin, pasi nuk kisha bërë ndonjë akt të turpshëm që të jetë ndryshe. Nuk ka të bëjë kanuni. Unë jam grua korrekte, si me veten time ashtu edhe si bashkëshorte dhe nënë”, përfundon rrëfimin e saj gruaja e dhunuar, e cila vetëm një ditë pasi është dhunuar, është rikthyer sërish në punë për të mbajtur me të ardhura familjen. V. Qyrfyçi
12-vjeçari
Fëmija: Kur erdhëm nga kisha, babi dhe vëllai rrahën mamin
Ndërsa djali i madh i familjes Arapi ka dalë në krah të babait, djali i vogël i çiftit, vetëm 12 vjeç, ka dalë në krah të nënës. Madje ka qenë ai që ka njoftuar policinë, kur babai dhe vëllai rrihnin nënën e tij. I mituri e mbron të ëmën, duke shpjeguar se kanë qenë në kishë dhe sapo janë kthyer, babai ka nisur t’i bërtasë dhe të godasë nënën e tij.
Çfarë ndodhi të dielën?
Kur u kthyem nga kisha babai nisi të bërtasë, ulërasë dhe të kërkojë llogari pse mami nuk ishte kthyer menjëherë në shtëpi nga puna. Ne ishim bashkë në kishë dhe asgjë nga ato që ai thotë nuk është e vërtetë. E goditi, pastaj erdhi vëllai dhe ai i preu flokët. Ishte hera e parë që ai ngrinte dorë mbi nënën.
Me çfarë merret vëllai?
Me asgjë. Del me shokët, rri në lokale. Nuk është në shkollë dhe nuk punon.
Çfarë ndodhi më pas?
Unë shkova vetë në polici dhe u tregova çfarë kishte ngjarë.
A ka pasur dhe herë të tjera sherre mes prindërve?
Po, vazhdimisht. Po vëllai nuk ka ndërhyrë herë të tjera. Edhe kur ishim në fshat, po njësoj. Mami nuk denonconte në polici, pasi nuk donte të futeshin në burg.