I shoqëruar nga deputeti Pandeli Majko, Sekretari për Rininë dhe Emigracionin, Erion Veliaj dhe kryetari i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, kryesocialisti Rama u prit Preshevë nga një masë e madhe patriotësh dhe nga kryetari i Komunës Ragmi Mustafa, deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, përfaqësues të Këshillit Komunal dhe përfaqësues të Këshilli Kombëtar për të drejtat e njeriut.
Në çelje të ekspozitës, himni kombëtar i kënduar nga një grup nxënësish ka ngjallur emocione të veçanta te të pranishmit. Kryetari falënderoi Edi Ramën për interesimin e veçantë që opozita i kushton kësaj zone, që ndonëse është e ndarë nga trungu i shtetit amë, mbetet një trevë shqiptarësh e lidhur fort shpirtërisht me Shqipërinë.
Deputeti Pandeli Majko duke marr fjalën në këtë takim emocionues është shprehur: “Me këtë copë të thjeshtë të kuqe, me këtë shkabë me dy kokë e cila na përcjellë qëkur lindim e deri kur përcjellim sidomos dëshmorët tanë të atdheut. Dikush nga fëmijët mund të thotë ‘pse kjo shqiponja jonë ka dy koka’, se mund të fluturojë një kokë thotë të shkoj majtas dhe koka tjetër thotë prit të shkojmë në krahun tjetër. Në fakt simboli nuk është kështu. Simboli është që një kokë është për të parë se çfarë bëjnë shqiptarët dhe të kujdeset për shqiptarët në Shqipëri. Koka tjetër është të shikojë çfarë bëjnë shqiptarët që mbeten jashtë kufijve. Dhe nëse një kokë nuk merr frymë siç duhet do fillojë të gulçojë edhe ajo tjetra. Ne mund të ndahemi me kufij shtetëror vëllezër dhe motra, por ne jemi një”.
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama në fjalën e tij është shprehur se ekspozita me flamujt shqiptarë në vite nuk mund të mos stacionohej në Preshevë, sepse flamuri mbetet atdheu ideal i shqiptarëve që sot e gjithë ditën e kanë të pamundur të jetojnë në një atdhe të përbashkët tokësor.
“Kur vizatuam bashkë me miqtë në hartën e rrugëtimit të kësaj ekspozite stacionet njëra pas tjetrës drejt Vlorës në 28 nëntor jo vetëm që nuk mund të mos e fillonim nga lart, nga veriu i trojeve shqiptare në Prishtinë, por as mund të shmangnim këtë stacion këtu në Preshevë. Flamuri kombëtar, kjo fushë e kuqe me shqiponjën dykrenore ka qenë dhe mbetet atdheu ideal i shqiptarëve që sot e gjithë ditën e kanë të pamundur të jetojnë në një atdhe të përbashkët tokësor, por pa asnjë dyshim gjejnë tek ky atdhe ideal hapësirën e përbashkët të ëndrrave të shpresave dhe të dëshirave të tyre.” -tha kreu i PS-së.
Edi Rama ka rikonfirmuar qëndrimin për të binjakëzuar Korçën me luginën e Preshevës, por edhe për të mbështetur financiarisht disa nga projektet me rëndësi jetike për qytetarët e Luginës. Pas prezantimit të ekspozitës nga kuratori i saj, Artan Lame, vizita e delegacionit shqiptar është mbyllur me homazhet pranë lapidarit të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevë/Medvegjë/Bujanovcit.