Ekonomia, punësimi, politikat sociale dhe ato detare, për zhvillimin e burimeve energjitike, dhe çështjet e emigracionit përbëjnë fokusin e presidencës greke. Më pas vjen “kryeprioriteti i zgjerimit”, sipas zëvendësministrit të Jashtëm grek, i cili përmendi me entuziazëm nisjen e negociatave me Serbinë në Janar.
TCH: Përveç Serbisë, konkluzionet e Këshillit thonë se Presidenca greke duhet të merret edhe me statusin kandidat të Shqipërisë. Meqënëse për ju zgjerimi është kryeprioritet, si do të avancojnë gjatë presidencës suaj vendet e tjera të Ballkanit, sa do të ndikojnë çështjet bilaterale të Greqisë dhe a do të hasë pengesa Kosova, duke pasur parasysh se Presidenca e ardhshme e BE-së nuk e njeh pavarësisë e saj?
“Mendoj se konkluzionet e Këshillit, e unë nuk iu referova të gjitha vendeve të rajonit, kanë referencë shumë të mirë për Shqipërinë, për progresin që ka bërë Shqipëria, dhe për raportin që Komisioni Europian do të dorëzojë pas pak muajsh. Unë kam besim se gjatë samitit të Qershorit, mundësisht, vendimi për dhënien e statusit kandidat ndaj Shqipërisë do të mund të merret. Për çdo rast, ka një referencë pozitive për vendosmërinë europiane të Shqipërisë, të qeverisë së re shqiptare ndaj perspektivës europiane dhe për reformat, që nevojiten për të arritur këtë perspektivë europiane. Kjo përsa i takon Shqipërisë, ndërsa për ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë ka po ashtu një referencë të Këshillit. Mendoj se, arritjet e mëdha në dialogun mes Beogradit e Prishtinës dhe hapi i ri i Serbisë drejt perspektivës europiane janë një lajm i mirë edhe për Kosovën. Përgjithësisht, ka një vendosmëri pozitive në Bashkimin Europian dhe vendet anëtare, për të ecur përpara me marrëdhëniet tona me Kosovën, siç dhe ka qënë rasti deri më tani. Fakti se, disa vende anëtare nuk e kanë njohur deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, nuk është pengesë për progres të mëtejshëm të marrëdhënieve tona me Kosovën dhe Greqia e mbështet këtë fuqimisht, në mënyrë pozitive”, tha Dimitri Kourkoulas, zv/ministër i Jashtëm i Greqisë.
Përmes një konference të përbashkët për shtyp, Presidenca lituaneze i kaloi drejtimin e Bashkimit Europian, për 6 muajt e ardhshëm, Greqisë.
Presidenca greke dhe masat anti-krizë
Athina: Konfirmon parimin e barazisë mes shteteve anëtare
Presidenca e radhës e BE-së, që i takon Greqisë për gjysmën e parë të vitit 2014, do të ketë në qendër masat anti-krizë, ose efikasitetin e kostove. Kështu ka deklaruar të enjten në Bruksel Dimitris Kourkolas, zëvendësministër i Jashtëm i Greqisë.
“Për arsye jetike dhe simbolike duam të kemi një presidencë efikase nga këndvështrimi i kostove”, ka thënë Kourkolas, duke sqaruar se, “të gjitha mbledhjet do të mbahen në qendër të Athinës, në godinën neoklasike, përveç mbledhjeve informale të ministrave të Jashtëm”.
“Kemi krijuar një grup të vogël njerëzish për organizimin dhe koordinimin e presidencës, duke marrë vetëm 9 persona nga jashtë. Të gjithë të tjerët janë funksionarë publikë, që vijnë kryesisht nga Ministria e Jashtme”, ka shtuar numri dy i diplomacisë helene.
Sipas tij, në kalendar do të ketë 14 mbledhje ministrore informale, 35 mbledhje zyrtare të nivelit të lartë, 57 takime të grupeve të punës, 33 konferenca të organizuara nga presidenca greke, përveç evenimenteve të organizuara nga OJQ-të.
“Greqia është në gjendje të përballet me sfidën. Ajo ka mbajtur katër presidenca të suksesshme të BE-së dhe mendoj se fakti që vendi në qendër të krizës financiare e merr atë sërish është shenjë e barazisë institucionale mes vendeve anëtare, një nga parimet kryesore të BE-së”, ka nënvizuar Kourkolas.
Ai ka premtuar më tej se presidenca greke do t’i kushtojë vëmendje çështjeve të ndjeshme të vendeve anëtare dhe popujve të tyre. Presidenca greke do të pasohet nga ajo italiane, që do të marrë drejtimin në pjesën e dytë të vitit të ardhshëm, duke nisur nga një korriku.