Presidenca spanjolle dhe aspiratat

Presidenca spanjolle dhe aspiratat
Integrimi në BE është aspiratë e Ballkanit
Spanja fillon presidencën e saj të Bashkimit Evropian të premten me një pritje inagurimi në kryeqytetin spanjoll.

Presidencat gjashtëmujore, me rotacion mes shteteve të ndryshme anëtare të Bashkimit, i japin rast vendeve që të vendosin prioritetet e tyre për punën e BE-së, dhe të theksojnë projekte të posaçme.

Korrespondenti i BBC-së për Evropën, Johny Dymond thotë se Spanja ka plane të mëdha.

Ajo shpreson të kombinojë daljen nga kriza ekonomike me një plan të freskët për nxitjen e rritjes ekonomike dhe të vendeve të punës.

Kryeministri Hoze Luis Zapatero ka sugjeruar se do të angazhohet për një thellim rrënjësor të bashkimit ekonomik për të siguruar zbatimin e reformave.

Spanja do ta vërë theksin mbi barazinë, me një këmbëngulje të veçantë për të drejtat e grave dhe parandalimin e dhunës kundër grave.

Vendet që aspirojnë për anëtarësim në BE si Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova, sipas analistëve, thjesht mund të presin që të avancojnë në rrugën e integrimit gjatë presidencës spanjolle.

Shpresat e njohjes

Spanja është njëri nga dy vendet anëtare të BE-së (tjetri është Greqia) që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Korrespondenti i BBC-së në Prishtinë, Muharrem Nitaj thotë se disa qarqe të Prishtinës, kanë shpresuar që Spanja ta njohë Kosovën brenda mandatit të saj të kryesimit të BE-së.

Por kjo është hedhur poshtë nga diplomacia spanjolle.

Migel Anhel Moratinos, ministër i Jashtëm i Spanjës, ka thënë se Spanja nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, por do të luajë një rol konstruktiv.

Ai ka thënë se Spanja do ta ftojë Kosovën të marrë pjesë në samitin e BE-së për Ballkanin që do te mbahet në Sarajevë në muajin maj dhe në takime të tjera.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka deklaruar se Spanja as nuk do ta vështirësojë, as nuk do ta forcojë pozitën ndërkombëtare të Kosovës.

Ai pret që Spanja të mbajë një qendrim neutral.

Maqedonia dhe emri

Maqedonia në samitin e fundit të BE-së nuk arriti të marrë një datë për fillimin e negociatave përfundimtare për anëtarësim në BE, për shkak të kundështimit të Greqisë.

BE-ja rekomandoi që dy vendet ta zgjidhin mosmarrëveshjen 20 vjeçare për çështjen e emrit, brenda gjashtë muajve të ardhshëm.

Nga ky këndvështrim, thotë korrespondenti i BBC-së në Shkup, Nazim Rashidi, presidenca spanjolle konsiderohet e rëndësishme për Maqedoninë.

Por vëzhguesit thonë se nga sinjalet e para, duket se presidenca spanjolle nuk do të jetë aq e përkushtuar sa presidenca e shkuar suedeze, e cila bëri përpjekje maksimale që të caktohej një datë për fillimin e negociatave përfundimtare.

Nga ana tjetër, njoftimet jozyrtare që spanjolli Havier Solana, ish-komisioneri i BE-së për politikë të jashtme, mund të angazhohet për të zgjidhur çështjen e emrit, janë mirëpritur në Shkup.

Z. Solana konsiderohet si diplomat me ndikim në Maqedoni dhe me kontakte personale me figurat kryesore politike në vend.

Përfshirja e tij, do të tregonte një angazhim të presidencës spanjolle për të zgjidhur çështjen e emrit.

Shqipëria dhe politika

Korrespondeti i BBC-së në Tiranë, Fatos Ahmati thotë se Shqipëria shpreson që të ruajë tendencën e marrëdhënieve të mira dhe ritmin e integrimit në BE gjatë presidencës spanjolle.

Një hap drejt bashkëpunimit më konkret në fushën e luftës kundër krimit të organizuar dhe sigurisë, Tirana e bëri para disa ditësh me një vizitë në Madrid të ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha.

Fokusi i vizitës për palën shqiptare ishte sigurimi i mbështetjes spanjolle për procesin e heqjes së vizave.

Autoritetet thonë se kanë marrë sinjale domethënëse nga zyrtarët e lartë evropianë se procesi do të realizohet brenda vitit 2010.

Por ai nuk është i lehtë sepse Brukseli pritet të dërgojë misione verifikimi gjatë pranverës për plotësimin e kushteve të vëna për heqjen e vizave.

Për korrespondnetin e BBC-së edhe nëse kushtet teknike janë në realizim e sipër, kushtet politike e vënë në pikëpyetje arritjen e suksesit.

Situata politike në Shqipëri dhe fakti që opozita vazhdon të bojkotojë parlamentin, luan rol negativ.

Kjo pritet që të ndikojë negativisht dhe për testin tjetër: Atë të shqyrtimit të aplikimit për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Nga BBC ne Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama