Presidentet Kur thyhen rregullat e protokollit zyrtar

Presidentet: Kur thyhen rregullat e protokollit zyrtar
Organizimi i një vizite shtetërore, është një labirint protokollesh dhe ceremonish, ku asgjë nuk ndodh rastësisht. Darkat zyrtare duhet thënë se zhvillohen sipas ceremonive strikte, por ka pasur raste që, për shkak të rrethanave të paparashikuara, protokolli zyrtar nuk është zbatuar.

Në shembujt e shumë riteve dhe protokolleve, nga të cilat përbëhet politika e jashtme, meritojnë një kapitull më vete formalitetet, mbi të cilat zhvillohen takimet mes krerëve të ndryshëm të shteteve. Organizimi i një vizite shtetërore, në fakt, është një labirint protokollesh dhe ceremonialesh, ku asgjë nuk ndodh rastësisht: kush përshëndetet i pari, kush ecën një hap më përpara, kush përshëndet ushtarët, ku duhet të ulesh, kush duhet të qëndrojë në të majtë apo në të djathtë e kështu me radhë. Këtyre rregullave u binden të gjithë, jo vetëm në takimet politike, por edhe në ato më pak të rëndësishme: darkat shtetërore duhet thënë se zhvillohen sipas ceremonive strikte, megjithatë ka pasur raste që, për shkak të rrethanave të paparashikuara, protokolli zyrtar nuk është zbatuar.

Ja se çfarë mund të bëjë dashuria e tepërt

Le ta nisim me vitin 2008, kur në Shtëpinë e Bardhë u shtrua një darkë zyrtare për nder të Kryeministrit italian, Silvio Berluskoni, që ishte edhe rasti për të përshëndetur Presidentin Bush, në fund të mandatit të tij të dytë presidencial. Berluskoni, që iu afrua mikrofonit për të mbajtur një fjalim, u ngatërrua nëpër këmbë me kabllon e mikrofonit, që pasi ra në tokë u thye. Bush, që mban rekordin për sa u përket gafave, u ngrit, e ndihmoi dhe e përqafoi miqësisht. “Kjo është ajo që mund të bëjë dashuria e tepërt”, u justifikua Berluskoni.

Ndodh që edhe presidentët të sëmurën

Por mund të ndodhë edhe më e keqja gjatë një darke zyrtare: të vjellësh dhe pastaj të shtrihesh në dysheme. Kjo i ka ndodhur Presidentit George Bush (Plaku)në vitin 1992, gjatë një darke zyrtare në Japoni. Bush ishte i sëmurë me grip dhe fluturimi me orë të gjata nuk e ndihmoi të kalonte dobësinë dhe dhimbjen e stomakut. Kështu, në një farë pike, gjatë darkës ndodhi ajo që nuk duhej të ndodhte. Zëdhënësi i atëhershëm i Shtëpisë së Bardhë, Marlin Fitzwater, dha vetëm këtë shpjegim: “Edhe Presidenti është qenie njerëzore e mund të sëmuret”.

Vizita e parë dhe e fundit në Hawai

Jemi në vitin 1874, atëherë kur ishujt Hawai quheshin ishujt Sandwich, një shtet i pavarur që kishte nisur marrëdhëniet ndërkombëtare fillimisht me një shtet të rëndësishëm si SHBA-ja.

Mbreti David Kalakaua u ngarkua me një mision diplomatik, ku përfshiheshin shumë shtete për të afirmuar vendin e tij. Radha i takoi edhe SHBA-së, që në atë kohë kishte President Ulysses S. Grant. Gjërat nuk shkuan ashtu siç ishte parashikuar. Udhëtimi nuk i ndihmoi shumë projektet e tij: në vitin 1887 pushteti i tij u ridimensionua dhe në vitin 1898 ishujt u aneksuan nga SHBA-ja. Ajo vizitë ishte e para dhe e fundit.

Vallëzimi i famshëm

Jemi në vitin 1985. Në Shtëpinë e Bardhë President ishte Ronald Regan, ndërsa princi Çarls dhe princesha Diana ishin martuar vetëm prej pak vitesh. Ishte hera e parë që shkonin së bashku në Shtëpinë e Bardhë, ku iu bë një pritje madhështore, pavarësisht se ajo e tyre nuk ishte një vizitë zyrtare. Fotografë kudo, një mbrëmje gala dhe veshje shumë elegante. Gjatë mbrëmjes krejt papritur dikush i kërkoi princeshës së Uellsit të kërcente një vallëzim me të. Ishte John Travolta. Kishte qenë pikërisht Diana Spencer që i kishte kërkuar Nancy Reagan të kërcente me aktorin e madh.

Koncerti i improvizuar

Presidenti i Indisë ka një detyrë thuajse simbolike, duke qenë se detyra ekzekutive është e përqendruar në duart e Kryeministrit. Por pavarësisht kësaj, kur Presidenti indian Sarvepalli Radhakrishnan mbërriti në Uashington, Kennedy e priti me të gjitha nderet. Shtëpia e Bardhë kishte vendosur që orkestra të interpretonte në kopsht një pjesë nga Moxarti, por shiu i madh e i rrëmbyeshëm ua prishi planet. Koncerti vazhdoi në një tjetër sallë të Shtëpisë së Bardhë, ku të gjithë të ftuarit, që ishin bërë qull, u detyruan ta shihnin ekzekutimin e saj në këmbë.

Të paftuarit

Kjo është një nga ngjarjet më të freskëta dhe lidhet sërish me një politikan indian. Bëhet fjalë për Kryeministrin Manmohan Singh. Në darkën zyrtare ndodheshin edhe dy të paftuar, Tareq e Michaele Salahi, të cilët ishin veshur elegantë. Ata i shtrënguan dorën Barak Obamës, gruas së tij Michelle dhe Kryeministrit indian. Ditën tjetër vendosën në “Facebook” fotot e tyre me zëvendëspresidentin Joe Biden dhe Rahm Emanuel. Askush nuk e mori vesh sesi arritën të kalonin kontrollin dhe të hynin brenda. Historia e tyre u tregua në të gjitha gazetat. Pak javë më vonë përgjegjësi për festat në Shtëpinë e Bardhë dha dorëheqjen.

“Moskow nights”

Vizita e parë në SHBA e Mikhail Gorbaciov ishte në vitin 1987, kur Gorbaciov dhe Regan firmosën një traktat të rëndësishëm nuklear tre muaj pas diskutimit të famshëm të Presidentit në Portat e Brandenburgut për rrëzimin e murit. Gjatë darkës Gorbaciov dhe bashkëshortja e tij u argëtuan pa masë teksa këndonin me zë të lartë këngën e famshme ruse “Moscow nights” dhe në piano interpretonte pianisti i famshëm Harvey Lavan Cliburn.

Diplomaci dhe barbekju


Jemi në dhjetorin e vitit 1963, dhe nuk kishte kaluar më shumë se një muaj nga vrasja e John Fitzgerald Kennedy. Presidenti i ri Lyndon Johnson kishte ftuar për një vizitë zyrtare kancelarin e Gjermanisë perëndimore, Ludwig Erhard, në fermën e tij në Teksas. Të dy zyrtarët zhvilluan një takim shumë larg ceremonive zyrtare: darka zyrtare ishte një barbekju me kotoleta gici dhe birrë.

Lidhje e veçantë

Dihet që mes Anglisë dhe SHBA-së ka një lidhje të veçantë: një raport aleance, unik dhe special. Gjithsesi jo gjithmonë ka qenë kështu. Duhet theksuar vizita zyrtare e Mbretit George VI në Uashington, vizita e parë e një monarku britanik në një territor amerikan. Ishte viti 1939, si SHBA-ja dhe si Britania e Madhe ishin shumë të shqetësuara për nazizmin në Gjermani. Presidenti Roosvelt donte që gjithçka të ishte perfekte, ndaj për këtë arsye e mori vetë në dorë kontrollin e gjithçkaje, madje edhe vetë organizimin e darkës.

Presidenti dhe mbretëresha

Vizita zyrtare e Mbretëreshës Elisabeta II në vitin 1976 na ka dhënë një imazh që zor se do të harrohet për sa i përket miqësisë së ngushtë mes SHBA-së dhe Britanisë së Madhe: një vallëzim mes monarkes britanike dhe Presidentit të atëhershëm Gerald Ford.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama