Presidenti Bujar Nishani dekreton ligjin “Për dhënie amnistie”, duke garantuar lirinë për rreth 350 të burgosur. Numri i përfituesve u shtua pas diskutimeve në komisionet parlamentare, të draftit të propozuar nga Ministria e Drejtësisë. Në bazë të draftit final të miratuar në seancën plenare të 10 marsit vetëm me votat e mazhorancës, fitojnë lirinë personat e dënuar deri në 3 vjet, personat që u kaq mbetur dhe 1/10 e dënimit, gratë mbi 50 vjeç dhe burrat mbi 60 vjeç. Përjashtohen nga këto kategori ata të dënuar që kanë kryer vepra të rënda penale.
Amnistia, kategoritë përfituese
Presidenti Nishani zyrtarizoi dje amnistinë për të burgosurit. Dekretimi i ligjit nr. 22/2014 “Për dhënie amnistie” siguron lirimin nga burgu të rreth 350 personave, numër ky i shtuar pas ndryshimeve të propozuara nga mazhoranca e opozita në Komisionin e Ligjeve.
Drafti final i miratuar në Kuvend përcakton se kategoritë që përfitojnë amnisti janë: personat e dënuar me burgim deri në 3 vjet, me gjobë apo personat për të cilët gjykata ka caktuar një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 31 dhjetor 2013, pavarësisht kohës së mbetur nga dënimi, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji; personat e dënuar, gra, që, në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baraz, ose mbi moshën 50 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji; personat e dënuar burra që në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji janë baraz, ose mbi moshën 60 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji; personat e dënuar me burgim, të cilët në kohën e kryerjes së veprës penale kanë qenë baraz ose nën moshën 18 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në nenin 4; të gjithë atyre personave të dënuar, të cilët nuk përfitojnë nga sa më sipër u amnistohet: a)një vit e gjysmë për personat e dënuar gra dhe të miturve në kohën e kryerjes së veprës penale; b) 1 vit, për personat e dënuar burra si dhe amnistohen plotësisht nga ndjekja penale të gjithë personat të cilët deri në datën 31 dhjetor 2013 kanë kryer vepra penale të cilat parashikojnë një maksimum deri në 3 vjet burgim ose çdo lloj dënimi tjetër më te lehtë, me përjashtim të veprave të parashikuara në nenin 4 pika 2.
Kategoritë që nuk përfitojnë
Neni 4 i ligjit parashikon dhe kategoritë që përjashtohen nga amnistia përkatësit të dënuarit për: krime kundër njerëzimit; krime kundër jetës, të kryera me dashje dhe vrasje e mbetur në tentativë; vepra penale, të kryera me dashje, kundër shëndetit; krime seksuale; vepra penale kundër lirisë së personit; vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit; vepra penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes; vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike; vepra penale kundër mjedisit; krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues; krime që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera; vepra me qëllime terroriste; krime kundër autoritetit të shtetit; vepra penale kundër drejtësisë; vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve si dhe vepra penale të kryera nga banda të armatosura dhe organizata kriminale. Nuk përfitojnë nga kjo amnisti dhe personat e dënuar, që i janë shmangur ekzekutimit të dënimit të dhënë.
Presidenti shkarkon ambasadorin e Holandës
Lirohet nga detyra Gazmend Barbullushi, ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Holandës dhe Përfaqësues i Përhershëm pranë Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike "OPCW" e vendosur po në Hagë të Holandës. Barbullushi e mbante kë të detyrë që prej gushtit të vitit 2009. Presidenca njoftoi dje se Kreu i Shtetit ka dekretuar gjithashtu shpalljen e ligjit nr. 21/2014 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7905, datë 21.03.1995, “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.
Ky ligj bën të mundur që korrupsioni aktiv dhe pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, si dhe i gjyqtarëve, prokurorëve dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë, të hetohen dhe gjykohen nga Prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Renda. “Lufta ndaj korrupsionit në të gjitha nivelet, përfshirë këtu edhe sistemin e drejtësisë, do të ketë në fokusin e saj çmontimin e murit të pandëshkueshmërisë, me qasje në katër drejtime kryesore:
Ndërgjegjësim të opinionit publik, ndalimin e korrupsionit duke reformuar dhe modernizuar gjithë sistemin shtetëror në shërbim të qytetarit, dekurajim pa kompromis në drejtim të ligjit “Antimafia”, përmes sekuestrimit apo konfiskimit të pasurive që rrjedhin nga veprimet kriminale dhe korruptive dhe zbatimin e ligjit duke forcuar shtetin ligjor”, - tha ministri i Drejtësisë, Nasip Naço në seancën plenare ku u miratua ligji. Presidenti ka dekretuar gjithashtu shpalljen e ligjit nr. 20/2014 “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Protokollin e Privilegjeve dhe Imuniteteve të Autoritetit Ndërkombëtar të Shtratit të Detit”.