Presidenti Gjoza Duhen trajnere te huaj

Presidenti Gjoza: Duhen trajnerë të huaj

Dështimi i kombëtares shqiptare të peshëngritjes në kampionatin europian për të rritur që u zhvillua në Forde të Norvegjisë pritet të shoqërohet me masa në radhët e trajnerëve. eleziNë një prononcim për TCH, presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, pasi i ka falënderuar për punën e bërë deri tani, pohon se e vetmja zgjidhje për të ringritur shtangën është ardhja e një trajneri të huaj. "Janë heronj të kësaj pune, por për të arritur nivele të larta duhet një punë e specializuar dhe e kualifikuar. Kemi trajnerë rusë që na janë vetofruar, edhe për meshkuj edhe për femra", thotë presidenti i Federatës, Elez Gjoza.

Europiani i Norvegjisë ka qenë edhe garë kualifikuese e Lojërave Olimpike "Rio 2016", njëherësh shansi i fundit për këtë pjesëmarrje. Megjithatë, presidenti Gjoza pohon me bindje se Briken Calja është i kualifikuar për në "Rio 2016", ndonëse duhet pritur 20 qershori si dita kur do të publikohet renditja përfundimtare e peshëngritësve.

"Ne do të shkojmë në Olimpiadë, pasi Briken Calja është i kualifikuar me rezultatin e arritur në Hjuston të Shteteve të Bashkuara. Është i gjashti në kampionatin botëror, në ranglistë është i 12-ti, pra detyrimisht shkon në olimpiadë i kualifikuar edhe Evangjeli Veli", thotë Gjozaj.

Përfaqësimi i Shqipërisë në Europianin e fundit ka qenë shumë larg pritshmërive të sportistëve, por edhe vetë drejtuesve të Federatës. Përpara konkurrimit në këtë event kontinental, kombëtarja zhvilloi edhe një grumbullim në Shtërmen. I vetmi që u nderua me medalje nga kuqezinjtë ishte Calja në stilin e shkëputjes në peshën 69 kg. Por zhgënjimi në tri provat e shtytjes e skualifikoi nga klasifikimi në dygarësh. As garimi i Erkand Qerimajt nuk pati histori.

Në peshën 77 kg, shkodrani nuk realizoi asnjë provë në shkëputje, ndërsa u tërhoq nga shtytja për një dëmtim në gju të pretenduar prej tij. Aktualisht, Shqipëria ka 4 sportistë që kanë siguruar pjesëmarrjen për në Olimpiadë, dy prej tyre kanë siguruar kualifikimin B (Luiza Gega dhe Sidni Hoxha) dhe dy të tjerë janë me ftesa (atletikë dhe not), ndërkohë që pritet edhe një ftesë nga Federata e Qitjes.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama