Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani, ka pritur sot në presidencë atleten Luiza Gega, e cila pak ditë më parë fitoi medaljen e argjendtë në Kampionatin Europian të Atletikës që u zhvillua në Holandë.
"Gjatë këtij takimi të përzemërt Presidenti Nishani, pasi e përgëzoi atleten shqiptare për rezultatet e shkëlqyera të arritura në garat ndërkombëtare, e siguroi zonjën Gega dhe trajnerin e saj për rritjen e vëmendjes dhe mbështetjen nga institucionet shtetërore në mënyrë që sporti shqiptar të vazhdojë të përfaqësohet në mënyrë sa më dinjitoze dhe krenare anembanë botës", shkruhej në njoftimin e shpërndarë nga zyra për shtyp e Presidencës.