TIRANË, 12 tetor/ATSH/.- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i dorëzoi sot gjatë një ceremonie të veçantë ekipit kombëtar shqiptar të futbollit Dekoratën "Nderi i Kombit" në vlerësim të arritjes historike të kualifikimit për në fazën finale të Kampionatit Europian "Francë 2016", për rezultatet e shkëlqyera sportive që mundësuan këto fitore si dhe për lartësimin e imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në botë duke na bërë më krenarë e të bashkuar se kurrë.
Gjithashtu, gjatë kësaj ceremonie, Presidenti Nishani vlerësoi Federatën Shqiptare të Futbollit me Titullin "Mjeshtër i Madh" për kontributin e rëndësishëm dhe vizionar në drejtim të futbollit shqiptar gjatë viteve duke punuar me përkushtim, seriozitet, ndërgjegje dhe aftësi të larta profesionale për përzgjedhjen dhe grumbullimin e talenteve më të spikatura kombëtare dhe rritjen cilësore të këtij sporti mbarëpopullor. Për meritat e pamohueshme në arritjen e rezultatit historik që mundësoi kualifikimin e Shqipërisë në fazën finale të Kampionatit Europian 'Francë 2016'.
Në takimin solemn te nderimit mërrnin pjesë drejtues të Federatës Shqiptare të Futbollit, autoritete të shtetit shqiptar si, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, tranjeri i kombëtares shqiptare, Profesor De Biazi, gazetarë të shtypit sportiv e të medias dhe përfaqësues të tifozëve Kuq e Zi.
Presidenti Nishani iu drejtua të pranishmëve duke u shpreh se "Ndihem shumë i emocionuar dhe njëkohësisht tepër krenar, jo vetëm si sportdashës dhe shqiptar, por gjithashtu edhe si një qytetar i këtij vendi që shansi dhe rrethanat fatlume po më japin mundësinë sot, që në cilësinë e Kryetarit të Shtetit të organizoj këtë ceremoni modeste, por domethënëse për të shprehur mirënjohjen dhe nderimin tonë ndaj Kombëtares Shqiptare të Futbollit dhe të gjithë atyre që bënë të mundur këtë kualifikim historik! Emocionet në këto çaste janë tepër të forta, por që nga nata e mbrëmshme dhe e paharrueshme e Jerevanit ato do të vijnë gjithnjë e duke u rritur për të shpërthyer fuqishëm në mbështetjen pa kushte dhe pa kufij që çdo shqiptar do t'i bëjë Kombëtares sonë dhe drejtuesve të saj gjatë netëve të nxehta e plot pasion të verës së ardhshme në Francë".
"Rrugëtimi i Kombëtares sonë ka qenë i gjatë, me etapa të larmishme, me ulje-ngritje shpirtërore të një kombi të tërë, me fitore të merituara e ngazëllyese, me barazime fatlume, me humbje zhgënjyese e të padrejta në minutat e fundit, me triumfe të papërsëritshme - që të gjitha të mbuluara nga entuziazmi i tifozëve kuq e zi që nuk reshtën kurrë së shpalosuri flamurin me shqipen dykrenare dhe simbolet tona kombëtare.Sot ne ndihemi më shumë krenarë se kurrë dhe më të bashkuar se kurrë. Këtë nuk e them dhe nuk e konstatoj vetëm unë në cilësinë e Presidentit të Republikës, simbolit të unitetit kombëtar, por këtë e shpreh dhe e vërteton me emfazë mbarë kombi shqiptar duke demonstruar shfaqje dhe shembuj të papërsëritshëm atdhedashurie në çdo skaj të globit: që nga Tirana e Elbasani, që nga Prishtina e Mitrovica, që nga Sidneji në Australi e deri në Nju-Jork, që nga Stokholmi e deri në Londër, që nga Shkupi, Ulqini e deri në Paris, anembanë botës kudo ku jetojnë, studiojnë e punojnë bashkëkombasit tanë, kudo ku rreh qoftë edhe një zemër e vetme dhe e vërtetë shqiptari", tha Nishani.
Po ashtu, Presidenti Nishani tha se "Federata Shqiptare e Futbollit dhe drejtuesit e saj kanë punuar me profesionalizëm për vite me radhë me shumë mund e këmbëngulje, pa hequr kurrë dorë për të zbuluar, bindur dhe grumbulluar talentet e panumërta shqiptare të futbollit, të cilët për shkak të rrethanave historike dhe ekonomike kanë mbirë dhe kanë lulëzuar në të katra anët e kontinentit tonë të vjetër. Kombëtarja Shqiptare e Futbollit sot më shumë se kurrë përfaqëson karakterin dhe fytyrën e vërtetë të kombit shqiptar: atë evropian në gjen, që me merita të plota po shkon të na përfaqësojë për herë të parë e me dinjitet në një Kampionat Europian, një grup djemsh të rinj, plot entuziazëm e gjallëri, talent dhe shpirt të pamposhtur, atletë dhe kampionë të lindur, të cilët nuk dorëzohen kurrë para asnjë pengese qoftë sportive, qoftë dhune verbale apo fizike, as para ndonjë padrejtësie ksenofobe apo atavizmi politik të dalë mode me vakt e me kohë në Ballkan".
"Madje kjo Kombëtare drejtohet nga një trajner i aftë dhe i paepur si Xhani De Biazi, i cili vërtet mund ta ketë në gjak 'katenaçon' e famshme italiane, por që kur është bërë shtetas shqiptar, ka ditur të guxojë më shumë, të ri-organizojë ndryshe ekipin, t'i hedhë djemtë në sulm apo edhe t'i këshillojë që të vetëpërmbahen atëherë kur edhe një barazim i stërmundimshëm përkthehej në një pikë të artë ngjitjeje në kualifikim. Ekipi ka pasur edhe një kapiten të aftë e vizionar, emrin e të cilit e dimë që të gjithë, që kurrë nuk është dorëzuar as në fushë, dhe as jashtë saj, por ka ditur të grumbullojë rreth vetes, t'u japë zemër dhe kurajë shokëve të skuadrës, madje edhe në çastet më të vështira, kur jeta e tyre rrezikohej seriozisht. Por mbi të gjitha, tipari më dallues i kësaj Kombëtareje është forca dhe shpirti i grupit, krenaria dhe përgjegjësia e madhe e mbajtjes veshur e me dinjitet i asaj fanelle kuq e zi, i atyre ngjyrave dhe simboleve kombëtare për lartësimin e të cilave dikur është derdhur edhe gjak", deklaroi Nishani.
Gjithashtu, Presidenti Nishani pohoi se "Rrugëtimi deri në finalen e Parisit është ende larg dhe i gjatë, por ëndrra vazhdon për çdo shqiptar. Sot jam më se i bindur se mbarë popullit tonë shpresa i është rikthyer, se krenaria i është ringjallur dhe se të qenit shqiptar për ta, për ne dhe për këdo tjetër në dejet e të cilëve rrjedh i njëjti gjak, ka më tepër kuptim se kurrë më parë.
Futbolli është thjesht një sport, por ai ka aftësinë e mahnitshme për t'i bashkuar njerëzit. Dikur në botë ndeshje futbolli kanë shkaktuar edhe luftëra mes shtetesh, kanë ngjallur edhe urrejtje pa kufij, kanë krijuar edhe mëri shumëvjeçare, por nga ana tjetër ka pasur raste që një ndeshje e vetme i ka bashkuar dhe njehsuar pjesëtarët e një kombi më tepër se politika, demagogjia, ideologjia, retorika apo propaganda boshe".
Në fund të fjalës së tij, Presidenti Bujar Nishani theksoi se "Kombëtarja jonë ia doli mbanë, edhe në saje të mbështetjes së një kombi të tërë, i cili sot ndihet me të drejtë më kryelartë se kurrë më parë dhe prandaj kam gëzimin dhe privilegjin e veçantë ta shpall atë: "Nder i Kombit"! Po kështu ruaj kënaqësinë t'u shpreh edhe drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit mirënjohjen personale dhe institucionale për kontributin e tyre të vyer duke i vlerësuar me Titullin e lartë "Mjeshtër i Madh". Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe mbarë kombin shqiptar!" /a.ke/