Presidenti Papulias takohet me Nishanin Shoqata Cameria ne proteste

Presidenti Papulias takohet me Nishanin, Shoqata 'Cameria' ne proteste

Presidenti i Greqisë, Karolos Papulias, nis axhendën zyrtare të takimeve në Tiranë, ku sot në mëngjes është pritur me një ceremoni në Presidencë, nga kreu i shtetit Bujar Nishani. Më pas dy presidentët kanë vijuar me bisedimet dypalëshe, ku kanë marrë pjesë delegacionet përkatëse të kryesuar prej tyre. Në përfundim të takimeve, Presidenti Nishani dhe Presidenti Papulias do të japin një konferencë të përbashkët shtypi.

Më pas Nishani dhe homologu i tij Papulias do të jenë të pranishëm si dhe do të përshëndesin tryezën e rrumbullakët mbi ekonominë dhe energjetikën greko-shqiptare, që do të zhvillohet në hotel “Rogner”, në 4 nëntor 2013.

Ndërkaq sipas njoftimit të Presidencës greke të martën, Papulias do të zhvendoset në Gjirokastër, ku do të vizitojë zonat ku jeton minoriteti grek në Shqipëri.

Shoqata "Çamëria" në protestë

Ndërsa presidenti grek Karolos Papoulias do të jetë në Tiranë, Shoqata "Çamëria" do të protestojë paqësisht në orën 10:00 përpara Piramides. Në fillim u caktua si vend tubimi zona para Pallatit të Kongreseve dhe ajo para Presidencës, por policia ndryshoi destinacionin e tubimit të çamëve.

Në një deklaratë për shtyp dje, kryetari i Shoqatës "Çamëria", Ardian Tana ftoi të gjithë shqiptarët që të marrin pjesë në mbështetje të çështje çame: Në emër të miqësisë së qëndrueshme midis dy kombeve, Shoqata "Çamëria" i kërkon presidentit grek, zgjedhje përfundimtare të këtyre problemeve. Ne i kërkojmë presidentit grek të rreshtohet me atë pjesë përparimtare të qarqeve akademike, të shoqërisë civile greke që e pranon fajin e vendit të vet ndaj komunitetit çam dhe kërkon pagimin e këtij borxhi që gjendet në sirtarët e historisë. Në emër të Traktatit të Miqësisë midis dy vendeve, Greqia duhet të abrogojë të gjitha ato ligje që bien ndesh me të, në veçanti Ligjin e Luftës. Në kuadër të zbatimit të detyrimeve greke ndaj këtij Traktati duhet të njihen detyrimet ndaj popullsisë çame dhe shqiptare në përgjithësi, sa i takon pranimit të fajit për gjenocidin, njohjes së të drejtave themelore të njeriut, ku përfshihet e drejta për restaurimin e shtetësisë, të drejtat pronësore, ato kulturore, gjuhësore, etj. Në veçanti, meqenëse Greqia vazhdon të insistojë për ngritje varrezash të tjera ushtarësh grekë në Shqipëri, diçka që provokon kujtesën tonë kombëtare, ne i kërkojmë zotit Papoulias të pranojë ngritjen në Greqi të varrezave të komunitetit çam, dhe të monumenteve që përkujtojnë dëshmorët tanë në luftën antifashiste dhe viktimat e pafajshme të një faqeje të turpshme të historisë së vendit fqinj”.

Shoqata "Çamëria", vlerëson qëndrimet e fundit të shtetit shqiptar, dhe thekson se politika shqiptare duke kërkuar respektimin e parimit të reciprocitetit, do të përmbushë detyrimet e saj kushtetuese dhe kombëtare për çuarjen përpara të çështjes çame".

Policia e Tiranës ndryshoi vendin e tubimit të Shoqatës “Çamëria” pas kërkesës së bërë nga ambasada greke. Sipas policisë ambasada greke kërkoi ndryshim vendi për arsye sigurie.

Shoqata ‘Çamëria’ kërkoi që tubimi të mbahej para Presidencës, por pas kërkesës nga ambasada greke për ndryshimin e vendit ky tubim do të mbahet para Piramidës në orën 10:00. Lajmi konfirmohet nga deputeti i PDIU, Tahir Muhedini.

Policia bën me dije se ka miratuar lejen për tubim para Piramidës.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama