Goli ndaj Rumanisë ka kthyer Armando Sadikun praktikisht në një hero kombëtar në Shqipëri si dhe në personazhin e momentit në mediat ndërkombëtare. Ndaj për sulmuesin shqiptar është zgjuar interesimi edhe nga klube të rëndësishme. Por futbollisti është nën kontratë me Zyrihun, që ka rënë në kategorinë e dytë zvicerane dhe presidenti i këtij klubi, Ançilo Kanepa, ka bërë të qartë se nuk ka ndër mend të heqë dorë lehtësisht nga ai.
"Do të na duhen golat e tij nëse duam të kthehemi sa më shpejt në elitë", tha Kanepa për mediat zvicerane gjatë ditës së djeshme.
I pyetur nëse një ofertë e majme do ta bënte të ndryshonte mendje, presidenti i Zyrihut saktësoi se nuk po mendonte për shitjen e futbollistit. "As nuk na shkon ndër mend që ta shesim Armandon", ngulmoi ai, një qëndrim krejt i ndryshëm nga janari, kur klubi hoqi dorë lehtësisht nga sulmuesi për ta huazuar te Vaduzi.
Një person i cili po shtyn Sadikun drejt largimit është padyshim Xhani De Biazi, i cili është i sigurt se ai mund t'i bëjë vend vetes në një kampionat më të fortë si Serie A. "Nëse ai mund të lirohet nga mbrojtës si Koshçielni dhe Rami, kjo tregon se ka atë që nevojitet për të luajtur në një kampionat si Seria A", tha tekniku i kuqezinjve.