Tedi Papavrami, sot dhe nesër koncert për violinë me muzikë nga Johan Sebastian Bah, në Teatrin e Operës dhe Baletit. Në historinë e artit ndodh më shpesh nga ç’mendohet që majat të arrihen pak kohë pas hapjes së një fushe të re shprehjeje.
Para Bahut, repertori për violinë solo nuk është shumë i gjerë e as i elaboruar, por ky fakt nuk e pengoi aspak kompozitorin e madh që në vitin 1720 të kompozojë majën absolute të muzikës për violinë solo: 6 sonatat dhe partitat. Do të na duhet të presim vitin 1945 dhe sonatën për violinë solo të Bela Bartokut që të gjendemi në prani të një maje tjetër, të krahasueshme me ato që mjeshtri gjerman ka eksploruar mbi 200 vite më parë.
Sigurisht, midis të dyjave ka ekzistuar Paganini me 24 kapriçiot, i cili i ka hapur rrugë një forme të re virtuoziteti. Por në historinë e violinës, bashkimi i një vështirësie teknike ekstreme në shërbim ekskluziv të një qëllimi të epërm muzikor ndeshet deri tani vetëm tek këto dy vepra.
Cikli i plotë i sonatave dhe partitave të Bahut për violinë, kudo në botë, luhet rrallë në koncert. Në Shqipëri ende nuk është luajtur kurrë i tëri. Arsyet janë vështirësia e interpretimit dhe mosbesimi i organizatorëve që një violinë e vetme, pa piano dhe pa orkestër, të mjaftojë për të mbërthyer publikun nëpërmjet një muzikë pa efekte, që ka namin të jetë e rreptë, pa kompromise, ndonëse vetë fakti që janë kryevepra nuk vihet asnjëherë në dyshim.
Por cili është interesi i interpretimit të plotë të 6 sonatave dhe partitave, përveç sfidës teknike dhe fizike që paraqet? Në kohën që janë kompozuar këto vepra nuk njihen interpretime publike të tyre, aq më pak të të gjithave bashkë dhe nuk është e sigurt që vështirësitë teknike që paraqesin dhe që ende sot trembin me të drejtë shumë violinistë, nuk i tejkalonin mundësitë teknike të kohës kur u kompozuan.
Përgjigjja gjendet pikërisht në dëgjimin e të gjithë ciklit njëherazi: ndonëse Sonata I, tipike e muzikës për organo të kishave, paraqet një truall fetar që mund të quhet si e trashëguar nga edukata e përgjithshme, me Partitën I gjendemi papritur në një botë krejt tjetër. Në modelin e suitave franceze ajo shpreh diçka shumë më pak të distancuar, lidhur nga afër me pasionet, elegancën, kënaqësitë dhe hidhërimet njerëzore, që na kujtojnë jetën në oborret mbretërore franceze. Pas saj, Sonata II, edhe pse e ndërtuar në modelin e alternancës së 4 kohëve me një fugë në mes (si dhe Sonata I), shpreh një intensitet dhe një pështjellim pasionesh, intensitet dhe revoltë shumë më frymëmarrëse, me përjashtim të momentit të paqes që paraqet koha e tretë andante. Nga ana e saj, Partita II që e ndjek, na duket se shpreh një dhimbje më të madhërishme se ajo e Partitës I. Aspekti elegant dhe paksa trillan i kësaj të fundit është shuajtur duke na lënë përshtypjen se nëse në Partitën I dhimbjet kanë zanafillë sentimentale, lidhur me hidhërimet e ndjenjave të dashurisë dhe plagës narcizike, këtu është ende një dhimbje njerëzore, por shumë më universale që mbretëron, si pafuqia përballë fatit, humbjes dhe vdekjes së të afërmve. Kulmi i saj është, sigurisht, Çakona e famshme që vazhdon të mahnitë pafundësisht dëgjuesit dhe që krijon përshtypjen e një vërshimi të pareshtur ndjenjash të dhimbshme ku elementi hyjnor, që sjell paqe dhe ngushëllim në mes të saj, rrëmbehet edhe ai së fundi nga rikthimi i nostalgjisë dhe i melankolisë.
Këtu ndodh një ndërprerje: që në notat e para të Sonatës III e ndiejmë që jemi në një botë të përtejme, mbinjerëzore, si të skalitur në gur. Që në fillim ndjehesh si i pushtuar nga një optimizëm dhe distancë e re, por jo optimizëm njerëzor i bazuar në pritshmëri dihatëse dhe të lëvizshme: jemi në prezencë të diçkaje të sigurt dhe të pandryshueshme, përtej natyrës njerëzore, ku paqja është e përhershme dhe dhimbjet janë të distancuara. Këtë e mishëron veçanërisht Fuga në do mazhor, më e gjata që Bahu ka kompozuar gjatë gjithë jetës së tij. Gjendemi këtu në abstraksion dhe në metafizikë. Në Partitën III kjo thellësi paqeje hyjnore kalon në një etapë të re, për t’u transformuar në një ngazëllim të thjeshtë, fëminor, si një kthim i përhershëm në freskinë e vogëlisë: etapa më e lartë e urtësisë.
Unë nuk besoj që ky rrugëtim të jetë i rastit. Ai më duket se përfaqëson etapat e zhvillimit të një njeriu që arrin, nën ndikimin e kohës dhe mjedisit luterian kur u kompozuan, në çlirimin e pasioneve dhe të dhimbjeve njerëzore dhe në paqen absolute, falë besimit në Zot.
Por siç e dimë, sot nuk jemi në vitin 1720 e as në Gjermaninë luteriane të veriut. Fetë në Evropë janë larg influencës që ushtronin në atë kohë. Sot, nëpërmjet ndjenjave dhe tragjedisë njerëzore që na mbetet, duhet që pa ndihmën e tyre të përballojmë fatin tonë të pasigurt, me të gjitha dhimbjet e gëzimet që ofron. Për këtë arsye, këtë cikël kam zgjedhur ta përfundoj me Partitën II dhe Çakonën, pjesë që më ka ngushëlluar kaq herë gjatë gjithë jetës sime dhe e cila mendoj se është më pranë asaj që jemi sot.
Për fat të mirë, ndonëse besimi ose urtësia filozofike e vërtetë nuk i jepen kujtdo, magjia me të cilën Bahu, në sajë të gjenialitetit dhe mjeshtërisë që e karakterizojnë ka arritur ta shprehë në muzikën e tij, ende sot mund të na ngushëllojë të gjithë.
Një jetë me violinë
Tedi Papavrami u lind në Tiranë më 13 maj 1971. Ai u lidh me violinën që në moshën katërvjeçare. Studioi violinë me të atin, profesorin e njohur, Robert Papavrami, i cili ndikoi thellë në të ardhmen e tij artistike. Në moshën tetëvjeçare interpreton Cingareskën e Sarasates me Orkestrën Filarmonike të Tiranës dhe tri vite më vonë, Koncertin e parë për violinë të Paganinit. Në shtator të vitit 1982, falë flautistit Alain Marion dhe një burse të ofruar nga qeveria franceze, vazhdon studimet në Paris në Conservatoire National Superieur de Musique, nën drejtimin e Pierre Amoyal. Në vitin 1985 fiton konkursin “Rodolfo Lipitzer” në Gorizia dhe më 1986 fiton me unanimitet çmimin e parë të Konservatorit të Parisit. Pas kësaj date, zhvillimi i tij muzikor vazhdon në mënyrë të pavarur, nën këshillat e muzikantëve të ndryshëm që ka rast të takojë. Në vitin 1992 vlerësohet nga Sacem me çmimin “George Enescu” dhe më 1993 fiton çmimin e parë dhe çmimin special të publikut në Konkursin Ndërkombëtar “Sarasate” në Pamplona.
Pas vitit 2000 dhe vdekjes së Jusuf Vrionit, Tedi, krahas karrierës së tij si violinist, ka përkthyer frëngjisht veprat e Ismail Kadaresë. Ka dhënë koncerte në Evropë, Afrikën e Jugut, Turqi, Japoni, Izrael, Hong Kong me orkestra të ndryshme ose recital; ka interpretuar nën drejtimin e dirigjentëve të njohur si K. Sanderling, C. Hogwood, A. Pappano, M.Honeck, F.X. Roth etj. Papavrami është ndër të paktët violinistë që interpreton në koncert integrale të 24 kapriçiove të Paganinit dhe të 6 sonatave dhe partitave të Bahut. Muajin e ardhshëm vlerësohet në Francë nga revistat muzikore Diapason dhe Classica Répertoire me dallimet Diapazon i artë dhe Choc për botimin e tij të ri diskografik me 6 sonatat për violinë solo të Wzhen Izaisë.