Janë prezantuar sot në ambientet e Kryeministrisë drejtori i ri i Teatrit të Operas dhe Baletit, Ilir Kerni dhe drejtori i Galerisë së Arteve, Artan Shabani. Në fjalën e tij gjatë këtij prezantimi Kryeministri Edi Rama vlerësoi dy figurat e zgjedhura në krye të dy institucioneve shumë të rëndësishme të artit dhe kulturës dhe premtoi reformë të thellë si dhe mbështetje për projektet në kulturë dhe art.
“Ju siguroj për angazhim tim të plotë me zemër dhe mendje për të mbështetur idetë projektet dhe planet tuaja dhe të dy institucioneve tona të mëdha. Jam po aq plotësisht i angazhuar për të mbështetur një reformë tërësore të sistemit tonë të kulturës dhe të artit ku sot preken gjurmët e një rrënimi. Po të mos ishit ju njerëzit e talentuar politikat rrënuese kulturore të gjithë këtyre viteve do të kishin shkretuar gjithë kulturën dhe artin tonë”, tha Rama.
Kryeministri Rama i bëri thirrje të gjithë artistëve që ndodhen jashtë vendit që të kthehen në atdhe për të dhënë kontributin e tyre, duke shtuar se do të kenë mbështetjen e tij personale dhe të qeverisë.
Drejtori i ri i TOB, Kerni u shpreh se teatri do të jetë i hapur për të gjithë artistët, duke treguar një vëmendje të madhe për ata nga Kosova.