TIRANË, 18 Nëntor /ATSH/ - Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes së Forcave të Armatosura nga sot do të drejtohet nga gjeneral brigade Dedë Prenga. Komandanti i ri u prezantua sot në ambientet e ministrisë së Mbrojtjes në Tiranë, nga ministrja Mimi Kodheli.
Duke përshëndetur në ceremoninë e organizuar me këtë rast, Kodheli theksoi se sfidat e reja kërkojnë përqasje të reja.
"Do të dëshiroja të shihja përkushtimin dhe angazhimin tuaj të përbashkët për të forcuar themelet e profesionalizmit ushtarak. Sfidat e shumëfishta dhe kërcënimet hibride shtrojnë sot nevojën për studime aplikative që do të trajtojnë problemet dhe sfidat e FA-së dhe t'i shërbejnë si të ardhmes së tyre, ashtu edhe forcimit të themeleve të profesionit të ushtarakut", u shpreh Kodheli.
Gjeneral brigade Prenga, siguroi në fjalën e rastit se do të punojë me përkushtim dhe ndershmëri të lartë në drejtimin e institucioneve të arsimit tonë ushtarak.
Gjeneral brigade Dedë Prenga vjen në detyrën e komandantit të KDS-së, pas një karriere të gjatë dhe të suksesshme në FA dhe në strukturat e sistemit tonë arsimor ushtarak. Detyra e tij më e fundit ishte ajo e atasheut ushtarak të Republikës së Shqipërisë në Austri./b.k//m.m/