Prezervativet – mes miteve dhe tendences

Prezervativet – mes miteve dhe tendences
Shqiptarët tashmë mund të kursejnë për shumë gjëra por jo për prezervativët. I kërkojnë më cilësoret dhe më të shtrenjtat vetëm të jenë të sigurta. Farmacistët në kryeqytet pohojnë se vihet re rritja e përdorimit të prezervativëve nga viti në vit por sërish mbetet në nivele të ulëta krahasuar me vendet e tjera. Farmacistja Anila Avdiu e cila shërben pranë maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”- shpjegon tendencat e reja të tregut të prezervativëve. Gjithashtu farmacistët nuk lanë pa përmendur as eksplorimet me prezervativët e llojeve të ndryshme.

“I duan më të shtrenjtat. Mjafton të jenë cilësore apo të mira siç i quajnë blerësit dhe nuk kursejnë. Madje ne në farmaci nuk mbajmë më fare prezervativ të lirë që kushtojnë 50 lekë sepse ato nuk na i blen më askush. I duan mbi 200 lekë madje ka edhe nga ata që i blejnë deri në 1300 lekë. Mjafton të jenë të kënaqur më cilësinë dhe nuk kursejnë”,- pohon farmacistja Anila Avdiu. Shkaku kryesor që shqiptarët nuk kursejnë dhe blejnë prezervativët më të shtrenjtë sipas saj është pikërisht fakti se ata duan siguri. “Mendojnë se prezervativët e lirë nuk janë cilësorë dhe mund të çahen apo të kenë probleme të tjera. Kështu ata që kanë vendosur të përdorin prezervativ padyshim që i duan edhe cilësore dhe të sigurta”, pohon farmacistja Anila Avdiu.

Një pjesë e mirë e “meritës” për kërkesat për prezervativë cilësorë, që në shqip përkthehet: “të shtrenjtë”, i shkon edhe faktit që shumë meshkuj ankohen nga kontraceptivët (ankesa të bazuara edhe mbi mite ekzistuese) se përdorimi i tyre ul kënaqësinë e marrëdhënies, duke reduktuar ndjeshmërinë. Këto lloj mitesh kanë efekt psikologjik mbi meshkujt, duke i bërë ata shpesh që të jenë kategorikë kundër përdorimit të condom-it, çka vë më pas në rrezik veten e tyre dhe partneren. Luftimi i këtyre miteve ëshët një proces i gjatë, e shpesh pa shumë fryte, dhe zgjidhja që vetë meshkujt gjejnë është tek kërkesa për mallra sa më cilësorë, në mënyrë që problemi i “ndjeshmërisë së ulur” të reduktohet.

Ndërkohë   tendenca e përdoruesve të prezervativëve nuk mbarojnë këtu pasi ata kanë edhe preferenca sa i takon ngjyrave dhe cilësive të tjera të prezervativëve. Farmacistja shpjegon se klientët vijnë më ide të qarta në kokë për atë që do blejnë duke kërkuar pikërisht atë që pëlqejnë. “Më shumë kërkohen prezervativët me ngjyrë të kuqe ose rozë. Kanë preferenca edhe sa i takon aromave duke kërkuar aromën e mollës, pjeshkës, apo lulesh të ndryshme”,- pohon farmacistja. Dhe eksperimentimet nuk kanë të sosur. “Është një prezervativ nëse mund të quhet i tillë që quhet Durex Play dhe është në formë unaze. Nuk ka ndonjë vlerë mbrojtëse por është me vibrim dhe meshkujt e blejnë më shumë për kënaqësi ekstra. Kushton 700 lekë, por e blejnë me shumicë. Madje ka edhe raste kur i blejnë femrat dhe ua dhurojnë meshkujve. “Mbase e bëjnë për shaka por e vërteta është se ky prezervativ blihet shumë”, pohon një farmaciste në zonën e ish Bllokut.

Ndërsa sa i takon gjinisë që blen më shumë prezervativë sipas farmacistëve, ata janë meshkujt, pasi në 90% të rasteve janë ata që trokasin në dyert e farmacive. E rëndësishme sipas këtyre të fundit është fakti se tashmë i kërkojnë prezervativët pa asnjë lloj kompleksi njësoi si të ishin duke blerë karamele. “Më parë kishin turp dhe i kërkonim me droje prezervativët. Tashmë që ky turp nuk vihet më re mendoj se është emancipim sepse është kulturë të kujdesesh dhe të mbrosh shëndetin. Por problemi është se numri  personave që duan të sigurojnë veten nga infeksionet seksualisht të transmetueshme është përsëri shumë i vogël”, pohon njëri nga farmacistët.

Sa i takon grup-moshave që blejnë më shumë prezervativë, farmacistët theksojnë se është grupmosha nga 20 deri në 40 vjeç dhe shpjegimi për këtë fakt është shumë i thjeshtë. “Kjo grupmoshë është më aktivja jo vetëm për mardhëniet seksuale por edhe në punë dhe aktivitete të tjera. Megjithatë nuk mungojnë as më të rinjtë dhe më të moshuarit. Kam plot raste që vijnë edhe mbi 50 vjeçarë”, pohon farmacistja Anila Avdiu.

Ora 5 e mëngjesit? Blije prezervativin në pub!

Praktikën e ofrimit të prezervativëve në bare e ka parë në Itali, ndaj Meridian Ramçaj ka vendosur ta aplikojë dhe në lokalin që menaxhon, Wiski Bar, në zonën e ish-Bllokut. Menaxheri Ramçaj pohon për gazetën se vihet re që klientët i bëljenë prezervativët sidomos në fundjavë. “Klientët vijnë, dëgjojnë muzikë, pijnë, dhe pse jo andej nga fundi sidomos nga ora 3 ose 4 e mëngjesit kujtohen që u duhen prezervativë. Mendoj se shqiptarët kanë fillur të kenë frikë ndaj sëmundjeve. Shkurt tashmë shqiptarët duan të bëjnë qejfin deri në fund, pa frikë”, pohon Meridian Ramçaj duke shpjeguar se në lokalin që drejton ka madje edhe kontraceptivë për femrat. Këto të fundit kanë frikë nga shtazantitë e padëshirueshme dhe zgjidhjen mund ta gjejnë shumë mirë edhe në toiletet e lokaleve, zgjidhje shumë komode nëse ato kanë harruar të marrin masa kontraceptive më përpara. “Kuptohet se kalimi nga njohja deri në mardhënie seksuale brenda së njëjtës mbrëmje, në një lokal nate është një realitet tashmë normal. Madje klientët shkojnë edhe me njerëz të panjohur ndaj dhe rritet frika ndaj marrëdhënieve të pambrojtura. Çështja është që klientët të ndihen të ndihen të mbrojtur dhe ti kenë këtu prezervativët”, pohon njëri nga menxherët e lokaleve të natës. Çmimi i pezervativëve në lokale shkon përkatësisht nga 150 në 200 lekë, dhe firma që furnizon automatet e shpërndarjes së prezervativëve është Farma Net. Futja e shpërndarjes së prezervativëve në lokalet e natës është në rritje. Të tilla mund të përmendim lokalin Loly Pop apo Follie, vende ku klientët qendrojnë deri në 5 të mëngjesit.

Ndërkohë specialisti i shëndetit Publik, Arian Boci thekson se kjo tendencë është shumë pozitive pasi shmang sëmundje apo shtatzani të padëshirueshme të cilat mund të kenë jo vetëm kosto shëndetësore por edhe ekonomike dhe sociale.

Prezervativ kishte edhe para viteve ’90!

Prezervativët në kanë ekzistuar në treg edhe para viteve ’90. Por në fakt klientët për këtë lloj konsumi kanë qenë vetëm intelektualët madje ata që kishin mbaruar studimet jashtë vendit. Ndërsa pjesa tjetër sipas farmacistëve nuk i njihte dhe as nuk e kishin idenë se çfarë janë. Sigurisht, plani 5-vjeçar nuk kishte parashikuar prodhimin e prezervativeve me “forcat tona” e Partia as nuk e llogariste kondomin si armë për të “çarë bllokadën”.  Në të kundërt, shteti ishte i interesuar për mos-planifikimin familjar, sepse atdheut “i duheshin” njerëz për të punuar me shatë, e për të ruajtur kufinjtë. Prandaj dhe prezervativi ishte lënë të zinte “pluhur”. Ato pak që vinin, shpërndaheshin çrregullisht, herë kishte, herë nuk kishte dhe farmacistët i mbanin në magazinë e jo në vitrinë. Madje, në atë kohë, përdorej kodi “shkrepse rinia” për t’iu referuar prezervativëve meqë “llastiku” konsiderohej edhe si objekt turpi. Ky objekt lidhej me sëmundjet veneriane (seksuale) sëmundje që ishin gjithashtu objekt turpi, përgojimi e paragjykimi për atë kohë.

Prezervativët e viteve të komunizmit vinin zakonisht nga Kina apo India, vende që janë prodhuesit më të mëdhenj të prezervativëve në gjithë botën e me të cilat kishim marrëdhënie tregëtare. Variacionet në modele nuk ekzistonin, kryesisht ishte një lloj modeli, i thjeshtë.

“Ndoshta shumëkush mund të mendojë se para viteve ’90 nuk ka pasur kontraceptivë, por në fakt, nuk ka qenë kështu. Sigurisht që ato nuk ishin kaq cilësorë dhe të moderuar si sot, por kanë ekzistuar.” – pohon farmacistja, Dokita Vokshi e cila ka më shumë se 25 vjet farmaciste, duke shtuar se në farmaci në ditët e sotme i gjen të gjithë kategoritë e klientëve për të blerë prezervativë nga intelektualët deri tek punonjëset e seksit.

Stina e verës rrit kërkesat për kontraceptiv

Stina e nxehtë duket se i nxit më shumë shqiptarët për të kryer marrëdhënie seksuale dhe kjo pasqyrohet tek kërkesat për të blerë prezervativ. Farmacistët pohojnë se në muajt e verës vihet re shitje disi më shumë pikërisht në këtë stinë. Përdoruesit e prezervativëve sipas farmacistëve janë ata që kanë filluar të ndërgjegjësohen ndaj sëmundjeve seksualisht të transmetueshme por edhe ndaj shtatzanive të padëshirueshme ndaj dhe kanë filluar të mbrohen. Një ndër faktorët, sipas tyre, është ardhja e emigrantëve nga vende të ndryshme. Faktor tjetër sipas farmacistëve është edhe fakti se njerëzit në këtë stinë kanë më shumë kohë për pushime dhe relaks dhe në këtë kontekst pse jo edhe për të kryer mardhënie seksuale. “Kam çdo ditë fluks kërkesash për të blerë kontraceptivë dhe sidomos prezervativë. Në fakt gjatë muajve të verës vë re që shitja e tyre është më e madhe se në çdo stinë tjetër”,- pohon njëra nga farmacistet.

Studimi, 11% e shqiptarëve përdorin kontraceptiv

Të dhënat nga Studimi Demografik dhe Shëndetësor tregojnë se përdorimi i metodave kontraceptive bashkëkohore në Shqipëri është rritur nga 8 për qind në 2002, në 11  për qind në vitin 2009. Pra, brenda 8 viteve të fundit, 2002 – 2009 shifrat sipas studimit nuk tregojnë për një rritje të ndërgjegjësimit të qytetarëve shqiptarë në lidhje me përdorimin e metodave kontraceptive, ashtu siç pohon USAID në studimin e tij, pasi për 8 vjet vihet re vetëm një rritje prej 3 për qind. Pra është për të ardhur keq nëse mendojmë se fushatat e ndryshme të ndërmarra deri më tani nga USAID në Shqipëri kanë dhënë rezultat.

4 arsye pse shqiptarët nuk i duan prezervativët

1. janë shumë neglizhentë ndaj përdorimit të prezervativëve
2. kanë mungesë informacioni për risqet që sjell mospërdorimi i prezervativëve
3. kanë maninë se duke mos përdorur prezervativ ndihen më meshkuj
4. Mungon edukimi dhe promovimi i vazhdueshme nga strukturat përkatëse për rëndësinë e prezervativëve

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama