Më 6 shkurt 1914, anglezi i pasionuar pas gjuhëve, Heaton Armstrong, do të merrte udhëzimet të shkonte në Vjenë. Nga ky qytet do të niste dita e tij e parë e punës pranë princit gjerman Vid, i cili ishte zgjedhur për të drejtuar mbretërinë shqiptare. “Mbërrita në Vjenë pa ndonjë incident dhe menjëherë fillova nga puna duke marrë intervistë kujdestarë të stallave të kuajve, xhambazë dhe pronarë privatë. Pas disa ditësh vëzhgimi dhe pazarllëku, bleva një ekip të mirë kuajsh kuqalashë me një çmim të ulët, kështu që kur erdhi princi, ai mbeti shumë i kënaqur nga puna ime. Ai mbërriti në mëngjes herët nga Roma, ku kishte bërë vizitën e tij të parë, i shoqëruar nga Kapiten Castoldi, i cili qëndroi në Itali, ndërsa me princin ishte Buchbergeri…”, nis Armstrong shënimet e tij të para. I emëruar sekretari i princit shqiptar, Armstrong do të mësonte shumë shpejt gjuhën shqipe, çka do ta bënte atë të ishte jo vetëm një sekretar i mbretit, por dhe një këshilltar dhe një prej njerëzve të tij më të besuar.
Para se të mbërrinte në Durrës, princ Vidi u prit në Europë nga udhëheqës të rëndësishëm shtetesh. Ai darkoi në Schonbrunn me perandorin Franc Jozef. Nga Berlini udhëtoi drejt Londrës, ku në stacion u prit nga Mjeshtri i Ceremonive të Mbretit, i cili e shoqëroi për në hotelin “Ritz” ku një suitë dhomash ishin rezervuar për të. Princi ishte i ftuar në Pallatin Buckingham ku u prit në derë nga Lordi Hamilton. Princi drekoi kokë më kokë me familjen mbretërore. Pas Londrës, mbreti i ardhshëm i shqiptarëve mbërriti në Paris… Më 25 shkurt, princi u nis nga Berlini për në Shën Petërburg. “Ne u pritëm nga Kont Totleben në Shën Petërburg, një nga adjutantët e carit, i cili e shoqëroi princin në Pallatin e Dimrit”, shkruan Armstrong…
Më 21 shkurt, një delegacion shqiptar kishte udhëtuar nga Shqipëria për t’i ofruar fronin princit William të Wied-it. Më 4 mars mbreti, mbretëresha, dy zonjat e shoqërimit, dhe Armstrong u larguan nga Ealdenburgu të shoqëruar nga shërbëtorët dhe dy qen. Ja si i përshkruan Armstrong çastet e para të udhëtimit drejt Shqipërisë: “Të gjithë pyesnim veten se çfarë fshihte e ardhmja për ne. Kishim lexuar gjithë ato libra që kishim mundur të gjenim për Shqipërinë, por nuk mund të thuhet se ne kishim ndonjë njohuri të madhe për vendin ku po shkonim dhe dukej se mbreti dhe mbretëresha dinin, më pak se sa ne, megjithëse ata kishin harxhuar muaj të tërë duke përgatitur veten për detyrat e reja. Arritëm në Trieste në orën 9:00.
Në stacion u pritëm nga Statthalter, princi Hohenlohe, një numër zyrtarësh të tjerë qeveritarë, dinjitarësh lokalë, nga oficerët që komandonin eskortën tonë detare ndërkombëtare dhe një turmë rezidentësh shqiptarë. Ndërsa mbreti po zbriste nga treni, një bandë ushtarake nisi ekzekutimin e një motivi të gëzuar, i cili, siç na treguan, ishte himni kombëtar shqiptar dhe të shoqëruar nga tingujt ne marshuam solemnisht përgjatë platformës, në fund të së cilës mbreti inspektoi rojën e nderit që ishte veshur bukur, i pajisur nga Regjimenti i 97 i Këmbësorisë”.
“Qyteti ishte në festë, shtëpitë ishin të zbukuruara me flamurë dhe turma ishte në një gjendje entuziazmi të plotë – gati për të gëzuar edhe episodin më të vogël. Ecja jonë drejt molit ishte një procesion triumfues dhe unë kurrë në jetën time nuk dëgjova më tepër brohoritje të përzemërta se atëherë.
Një motobarkë na transportoi për te ‘Taurus’, një jaht 1200 tonësh i vënë në dispozicion të mbretit për këtë udhëtim nga Admiraliati Austriak (Ministria e Forcave Detare)… Meqë Pallati i tij ishte në anën tjetër të molit, ne shkuam atje në këmbë dhe një korridor u hap për ne përmes turmës, megjithatë ai mbyllej sapo kalonte mbreti, kështu që mua më duhej të rrija pranë tij për të mos humbur në turmë”, shkruan Armstrong. Por si u ishte dukur Durrësi, njerëzve besnikë të mbretit? “Një gji i mrekullueshëm, me një det jugor të thellë, blu, dhe në jugun e largët, përtej ujit, mali i Tomorrit me majën e tij të mbuluar me borë…
Kur shikonim qytetin dhe rrethinat e tij paqësore, as na shkonte kurrë në mendje që nuk do të kalonin as tre muaj kur mbreti do të detyrohej të largohej prej tij. Topat në fortesën e vjetër venedikase gjëmuan përshëndetjen e tyre, siç bënë edhe anijet e luftës që rrinin në port, ndërsa motobarka e vogël qeveritare po sillte njerëzit e rëndësishëm të tokës për t’i uruar mirëseardhjen sovranit të tyre. (Kjo motobarkë thuhet të ketë qenë një nga “punët” e Esat Pashës, ajo i kushtoi qeverisë shqiptare 36000 korona dhe ishte e sigurt që nuk vlente më tepër se 2000). Esadi ishte sigurisht nga të parët që mbërriti në port dhe që i uroi mirëseardhjen mbretit në emër të të gjithë popullit, me ca fjalë të zgjedhura mirë.
Midis atyre që ishin me të kishte dhe disa individë me pamje të çuditshme megjithëse ata ishin ndoshta të gjithë burra të vlefshëm dhe të nderuar. Përshëndetjet e tyre orientale dhe qylafi në kokë, që mbanin si shenjë kombëtare, binin ndesh me redengotën dhe këpucët amerikane që ata vishnin. Shqiptarët shquhen për shenjat e jashtme të dukshme dhe për të treguar pavarësinë e tyre, ata hoqën festën e vjetër të kuqe turke dhe shpikën një formë të re pa xhufkë, me ngjyra gri dhe rozë, e cila nuk ishte aq e hijshme sa veshja e vjetër. Esad Pasha madje kishte veshur një kostum për t’i treguar mbretit që të paktën një njeri në vend e dinte se kush ishte gjëja korrekte për t’u bërë”, shkruan Armstrong. Kurioziteti i ditës së parë në qytetin që shtrihej bri detit dhe që nga pallati i mbretit kishte një pamje të mrekullueshme do të vijonte gjatë gjithë muajve të qëndrimit të tij në Shqipëri. Në shënimet e tij, Armstrong ka qenë tepër i kujdesshëm duke përshkruar me hollësi çdo personazh dhe çdo ngjarje që shoqëroi gjashtë muajt e mbretërisë shqiptare.
Një nga njerëzit të cilit i ka kushtuar hapësirë në kujtimet e tij është dhe Esad Pasha. Armstrong jo vetëm tregon në këto kujtime, por dhe mban qëndrimin ndaj ngjarjeve. “Mendoj shpesh për kohën interesante që kam kaluar në Shqipëri dhe dëshiroj të kthehem përsëri. Është vërtet për të ardhur keq që eksperimenti me Shqipërinë dështoi, pasi edhe pse vendasit kanë shumë cilësi negative dhe shumë mirësi brenda tyre. Në qoftë se Fuqitë e Mëdha do të kishin dërguar një njeri vërtet të fuqishëm dhe ta kishin mbështetur atë me gjithë zemër, gjërat do të kishin qenë ndryshe dhe kombi shqiptar do të kishte shpëtuar nga uria e fqinjëve të tij. Por mbreti ishte një njeri tolerant dhe zemërgjerë, por i dobët dhe nuk mund të vendoste dot kurrë për ndonjë gjë. Njerëzit e dinin këtë dhe nuk e respektonin. Zemërgjerësinë e tij e merrnin për dobësi dhe kujdesin për frikë.
Megjithatë karakteri i tij i mirë i siguroi shumë miq dhe bëri që Fuqitë e Mëdha ta ndihmonin dhe sipas premtimeve të tyre ai mund t’ia kishte dalë mbanë. Megjithatë Komisioni Europian veproi në mënyrë të turpshme dhe nuk përmbushi asnjë nga detyrimet e veta. Fuqitë krijuan mbretërinë, por sapo kuptuan se komisioni ishte një masë e dyshimtë u lodhën me lodrën e tyre të re dhe e lanë mënjanë. Kam frikë se Fuqitë asnjëherë nuk e dëshiruan suksesin e Mbretërisë dhe kam përshtypjen se disa prej tyre ishin armiqësore që në fillim…”, shkruan Armstrong. Këto kujtime ai i shkroi gjatë kthimit në shtëpinë e tij në Londër, ku gjatë gjithë jetës nuk e harroi asnjëherë shërbimin në Shqipëri dhe komunikimin me mbretit. Këto kujtime janë botuar në Londër më 2005 me titullin “Princ Vidi, gjashtë muaj mbretëri”.
Esad Pasha, i arrestuar dhe i liruar
Mbreti kishte dëgjuar rreth komplotit kundër Esadit vetëm kur ai ishte kryer dhe, tani ai nuk dinte se çfarë të bënte me të. Madje, ai nuk e kishte vendosur akoma në mendjen e tij nëse do ta arrestonte atë formalisht apo jo. E ndiente se ministri i Luftës e kishte pasur gabim, por nuk ishte aq i fortë për të imponuar vullnetin e tij. Në qoftë se nuk do të kishte ndonjë influencë jashtë, është shumë e mundur që do ta kishte sjellë Esadin në Pallat si një njeri të lirë, megjithatë i vendosur nën presionin e huaj dhe pas një diskutimi të gjatë, u vendos që Esadi të dërgohej në bordin e anijes “Szigetvar”.
Autoritetet austriake kishin premtuar ta dorëzonin atë prapë në qoftë se një gjë e tillë nuk do të kërkohej nga mbreti. Major Sluys akoma nuk ishte larguar nga shtëpia kur mbreti, i shtyrë nga mbretëresha ndryshoi mendjen duke vendosur në vend të saj ta dërgonte Esadin në burg. U dërgova unë për t’i njoftuar Majorit vendimin e ri të mbretit. Kur u ktheva në Pallat kuptova se ndërhyrjet e reja kishin bërë punën e tyre gjatë mungesës sime dhe se së fundi duhej të ndiqej urdhri i parë; kështu që mua m’u desh prapë të njoftoja major Sluys, vërejtjet e të cilit për këtë ndryshim të vazhdueshëm të planeve ishin pak a shumë sarkastike.
Në orën 9:00 një detashment detar austro-italian ishte gati të më shoqëronte mua për te shtëpia e Esad Pashës, ku duhej ta arrestoja dhe ta çoja shëndoshë e mirë tek moli. Kur arritëm tek shtëpia, dy dragomanët dhe unë vajtëm tek dera, duke pritur breshërinë që do të na dërgonte në botën tjetër. Mendoj se dragomani italian e dinte që ne ishim pak a shumë të siguruar dhe si rrjedhim, nuk u habita kur na hapën derën menjëherë. Në sallon qëndronte Esadi dhe gruaja e tij me shërbëtorët përreth dhe doktor Berghausen i Oborrit. Esadi, i cili dukej se e dinte se çfarë e priste, nuk ishte aspak i habitur kur e informova se ai ishte nën arrest dhe duhej të na shoqëronte për tek moli, ku do t’i dorëzohej komandantit të anijes austriake. Gruaja e tij, e cila i ishte kushtuar shumë atij, na u lut ta lejonim të vinte me të, përderisa kjo nuk përbënte ndonjë përplasje me urdhrat që kisha dhe m’u duk një kërkesë e arsyeshme, pa hezitim e lejova atë të vinte. Pasi kisha arsye të fortë të besoja se jeta e Esadit ishte në rrezik, komandanti italian dhe unë e futëm çiftin në mes.
Nuk doja ta çoja Esadin te moli nëpër kopshtin e Pallatit dhe kisha bërë ndër mënd të shkonim nëpër qytet, që ishte dhe rruga më e shkurtër. Esadi ishte shumë i shqetësuar dhe nuk donte të kalonte nëpër qytet duke na bërë të ndryshonim planin. Ndoshta Esadi kishte marrë një paralajmërim se nuk do të arrinte tek moli i gjallë në qoftë se do të kalonte nëpër qytet, nuk mund të ketë qenë ndonjë arsye tjetër sepse të pëlqente rrugën indirekte…Tek moli e dorëzova Esadin te kapiten Schimdt i anijes “Szigetvar”. Këtu Esadi më siguroi se i kishte qëndruar besnik fronit gjatë gjithë kohës dhe se ai ishte viktimë e një intrige. Që nga koha e arrestimit të tij dhe deri kur u larguam si kompani shoqërimi, ai ishte sjellë me shumë dinjitet dhe vetëbesim nën presionin e kushteve të vështira. Kështu që, pavarësisht nga bindja se ai ishte një tradhtar, unë duhej ta admiroja për sjelljen e tij dhe ndjeva simpati për të.
Një barkë po e priste atë dhe sapo hyri aty, ai u zhduk, të paktën zyrtarisht nga jeta publike e mbretërisë gjashtëmujoire. Ndërsa ai po largohej, vura re dy nga shërbëtorët e tij, të cilët e kishin shoqëruar atë, duke mbajtur valixhet dhe po përpiqeshin t’ia mbathnin pa u vënë re në turmën e njerëzve. I kapa para se të kishin shkuar shumë larg, i arrestova dhe ia dorëzova rojeve të Pallatit, të cilët i transferuan për në burg. Ata ishin një çift me pamje shumë të shëmtuar dhe pasi të gjithë ata që ishin lidhur me Esadin dyshoheshin tani se ishin kriminelë, arrestimi mund t’i ketë shpëtuar nga ndonjë hakmarrje e turmës. Gjatë ditës, çdo gjë ishte me kokë poshtë. Ministrat rrethoheshin në rrugë nga njerëzit, kabineti dha dorëheqjen dhe Pallati ruhej mirë nga marinarët e huaj. Shtëpia e Esadit u kontrollua dhe disa valixhe me dokumente u morën dhe u çuan tek stacioni i policisë, ku mbetën, besoj, pa u hapur fare. Po kështu, u kontrolluan edhe disa shtëpi të tjera që u përkisnin shokëve të Esadit dhe u bënë një numër arrestimesh nga policët e zellshëm.
Pasdite u zhvilluan shumë diskutime rreth faktit se çfarë do të bënim me Esadin. Disa propozuan se ai duhej të gjykohej në mënyrë të rregullt, entuziastët donin që ta sillnin përsëri në qytet dhe ta varnin në shesh dhe italianët mendonin se ai duhej të lejohej të tërhiqej nga jeta publike dhe të jetonte në Itali. Për ironinë tonë, ditën tjetër na u tha se italianët kishin dalë fitues dhe se Esadi do të dërgohej në mërgim pa gjyq. U mërzita shumë me këtë vendim, pasi nuk mund ta kuptoja se si mbreti kishte të drejtë të dërgonte një njeri në mërgim, faji i të cilit nuk ishte provuar. Ia tregova mbretit se ishte duke shpejtuar rënien e tij me lejimin e Esadit për të shkuar jashtë vendit, nga ku ishte i sigurt se ai do të merrte hak për mënyrën se si ishte trajtuar.
Isha i sigurt se Esadi ishte fajtor dhe doja ta provoja këtë gjë. Në këtë rast, një gjyq do të ishte i justifikueshëm për ta dënuar atë me vdekje dhe në këtë mënyrë e gjithë çështja do të kishte marrë fund. Vendimi i mbretit, i cili as nuk e dënoi e as nuk e nxori të pafajshëm ministrin e tij të fuqishëm, bëri një përshtypje jashtëzakonisht të keqe te njerëzit e tij besnikë. Ata menduan se mbreti u kishte hequr atyre prej duarsh prenë e tyre dhe e kishte lejuar veten t’ia hidhnin diplomatët italianë, të cilët përgjithësisht besonin se ishin aleatët e Esad Pashës. Në mesditë u dërgova për në bordin e “Szigetvar”, për t’i komunikuar viktimës vendimin e mbretit dhe gjithashtu për të kontrolluar bagazhet e tij dhe për të konfiskuar të gjitha dokumentet që kishte në zotërim.
(Një masë paraprake e kotë, pasi si një njeri inteligjent që ishte Esadi, nuk do të ishte aq budalla sa të mbante me vete dokumente që e inkriminonin atë). Sipas instruksioneve të mia për t’i marrë të gjitha letrat në zotërim, solla me vete tri arka të mbushura plot, të cilat u vulosën nga ai dhe iu dorëzuan mbretit kur u ktheva në pallat. Esadi gjithashtu duhej të firmoste një premtim se nuk do të përpiqej të kthehej në vend pa lejen e mbretit dhe se ai, në asnjë mënyrë, private ose publike, nuk duhej të përzihej më në politikën shqiptare ose në intrigat kundër fronit. Këtë premtim ai e firmosi pa asnjë hezitim.
Më siguroi përsëri për besnikërinë e tij dhe tha se mbreti do të bëhej pishman për veprimin e tij të nxituar dhe do ta thërriste përsëri atë, kur ai do të kthehej me dëshirë për të punuar për të mirën e vendit të tij. Ne u ndamë si shokë dhe Esad Pasha u largua për në Bari me një anije të vogël pasdite. Unë pyeta veten nëse ai e mori kaq lehtë të gjithën sa ngjau, sepse e dinte se mbreti nuk do të ishte në gjendje të qëndronte edhe për shumë kohë dhe se ai vetë do të hipte mbi samar përsëri shpejt?
Delegacioni shqiptar
Një ditë pas kthimit tonë nga Parisi në Neuwied, më 21 shkurt, ishte dita e madhe e shumëpritur, në të cilën froni i Shqipërisë do t’i ofrohej princit William të Wied-it, nga një delegacion i përbërë nga përfaqësues të të gjitha krahinave të vendit. Shqiptarët do të priteshin me pompozitet dhe për ardhjen e tyre ishin bërë përgatitje të mëdha. Çdo njeri ishte rreshtuar me veshje festive, madje dhe unë duhet të përshtatesha me zakonin kontinental barbar të të veshurit me kostum gjatë ditës. Këtë e bëra jo pa protestë dhe m’u desh ta haja mëngjesin me atë lloj petku.
Më dërguan në stacion për të pritur delegacionin. Shumë makina dhe karroca ishin gati për t’i çuar shqiptarët në Schoss dhe një turmë kureshtare ishte mbledhur jashtë stacionit për t’i brohoritur kur do të kalonin, kështu që unë nuk kisha çfarë të bëja vetëm të prisja. Në platformë vura re një person tjetër me kostum, i cili më vonë doli që ishte një nga zyrtarët e princ Vidit, ku secili e mendonte tjetrin si një lloj imponuesi. Kur treni po mbërrinte në stacion menjëherë dallova mustaqet e mëdha të Castoldit. Ai vepronte si udhëheqës i delegacionit dhe më prezantoi tek Esad Pasha dhe njerëzit e tjerë të rëndësishëm. Ata ishin veshur me kostume dhe nuk kishte asgjë tjetër që i dallonte nga qytetarët e tjerë kontinentalë, vetëm emrat e tyre tingëllonin si ekzotikë dhe siç e kisha vënë në dukje me vend në një gazetë gjermane, të kujtonin një sapun të mirënjohur.
Pamja e tyre duhet të ketë qenë një zhgënjim i madh për turmën, e cila priste një tufë kusarësh si komikë operash. Unë pashë si hipën të gjithë pa problem nëpër karroca dhe vetë hipa tek e fundit, por më vonë zbulova se të gjithë ata që kishin hipur nuk ishin delegatë, por gazetarë që shoqëronin delegacionin. Pasi arritën në Schloss, udhëtarët u çuan në dhomën e pritjes, ku sipas rregullit të duhur, u prezantuan te princi dhe princesha, të cilët i pritën me shumë hijeshi. Pastaj Esad Pasha mbajti një fjalim shumë të mirë, të cilin asnjë prej nesh nuk e kuptoi dhe kur u përkthye nga Eqrem Bej Vlora, princi ktheu një përgjigje të shkurtër, por nuk e mbaj mend në cilën gjuhë, në frëngjisht apo gjermanisht. Kur kjo ceremoni e vogël mbaroi, të gjithë dukeshin se ishin shumë të kënaqur dhe shqiptarët brohoritën sovranin e tyre të ri. Kështu princ William Weid-it një kapiten në ushtrinë gjermane u bë “me lutjen e Fuqive dhe vullnetin e Popullit Mbret i Shqipërisë”.
Banketi, i cili u shtrua më pas, nuk ishte shumë i këndshëm, pasi fqinjët e mi nuk ishin shumë llafazanë dhe një prej tyre tregoi më shumë interes për pjatat e vendosura përpara tij, më tepër se sa është e zakonshme kjo gjë në shoqërinë e sjellshme europiane. Megjithatë vera ishte e shkëlqyer dhe nga fundi i banketit e kishte pranuar edhe myslimani fanatik Esadi. Mbreti, siç do t’i referohem princit William të Wied-it tani e tutje (për shqiptarët ai ishte mbret e jo princ, siç është thënë shpesh gabim), u kthye më pas në Monrepos. Shqiptarët na ndoqën gjysmë orë më vonë dhe atje për ta u shërbye çaj. U dha një shfaqje kinematografike për nder të tyre, por, megjithëse ata pretendonin se po kënaqeshin, unë e di se i bezdisi po aq sa dhe neve.
Gjatë shfaqjes mua m’u desh të shkoja në dhomën e pritjes për një gjë tjetër. Për çudinë time, e gjeta të zënë nga dy persona që nuk i kisha parë përpara. Zbulova që ata ishin dy gazetarë dhe njoftova baronin Malchus, një njeri me autoritet në oborrin e princeshës, i cili i nxori jashtë nga shtëpia në mënyrë të turpshme. Mbrëmjen tjetër u nisëm për në Ealdengurg, në Saksoni ku ishte shtëpia e vjetër e mbretëreshës Sofia. Qyteti ishte zbukuruar dhe populli kishte dalë për t’u bërë dëshmitar i nisjes sonë. Ne i nisëm udhëtimet tona keq, pasi zonja Von Pfuel ishte aq sëmurë saqë mua m’u desh ta dendja me konjak në dhomën e pritjes. Mbreti ishte duke inspektuar veteranët vendas dhe skuadrat e zjarrfikësve.
Shëndeti i saj nuk u përmirësua gjatë natës dhe kur arritëm në Ealdenburg mëngjesin tjetër, doli se atë e kishte zënë fruthi. Mikpritësit tanë të rinj, familja Schounburg-Ealdenburg dhe ajo e vëllait më të madh të mbretëreshës janë nga familjet e vogla princërore, të cilat lulëzonin në Gjermani dhe mbanin një shtet të caktuar, sipas traditave të një kohe të shkuar, megjithëse ata nuk zotëronin më shumë tokë se një pronar i mesëm tokash skocez. Princi Schonburg, i cili u vra gjatë ditëve të para të luftës së madhe ishte më i dashur dhe pasi kishte parë mikpritjen britanike në kolonitë afrikane, bëri ç’ishte e mundur që unë të ndihesha si në shtëpinë time.
Delegacioni shqiptar u rishfaq këtu për t’i bërë respektin e tij familjes së mbretëreshës së re dhe festimet kishin pothuaj të njëjtat tipare si ato që ishin bërë në Neuwied. Unë gati u bëra shok me Esadin e tmerrshëm, megjithëse ne nuk mund ta kuptonim njëri-tjetrin në ndonjë gjuhë, ndaj bashkëbisedimi ynë kufizohej vetëm duke i rënë krahëve të njëri-tjetrit. Esad Pasha të bënte përshtypje të mirë; ai ishte një burrë shpatullgjerë, me gjatësi mesatare, me ballë të lartë, intelektual dhe me sy të zinj të mprehtë. Pesëdhjetë vitet peshonin lehtë mbi të dhe Esad Pasha kishte brenda pak orësh dy ose tre mijë pasues të armatosur.
Është një fakt interesant që shumica e kushërinjve të tij ishin mes armiqve të tij më të këqij dhe nuk kishin të bënin fare me të. Ai ishte një gjeneral në shërbimin turk dhe komandonte trupat në Shkodër, kur kjo ishte e rrethuar nga serbët dhe malazezët gjatë Luftës Ballkanike, kurse paraardhësi i tij Hasan Riza Beu, u vra pas një darke, ndërkohë që po largohej nga shtëpia e Esad Pashës dhe në Shqipëri, përgjithësisht besohet se vrasjen e ka kryer sipas urdhrit të Esadit, një nga ithtarët e tij, njëfarë Osman Bali.