Të jesh në dilemë midis dasmës së ëndrrave të njërit djalë, apo të ndjekësh ndeshjen e ëndrrave të djalit tjetër. Në familjen Gunter ka pasur një debat të ashpër gjatë të ditëve të fundit. Futbollisti i Kombëtares së Uellsit, Kris, do luajë të mërkurën kundër Portugalisë, ndeshje e vlefshme për gjysmëfinalet e Europianit. Mbrojtësi, i cili aktivizohet në Angli me Ridingun, është një titullar i padiskutueshëm në ekipin e trajnerit Koleman.
Por, të nesërmen e ndeshjes, i vëllai i tij, Mark, do zhvillojë dasmën në Meksikë. Një ceremoni e programuar që një vit më parë, e cila pritet që të jetë përrallore për shkak se ka një kosto të lartë. "Unë e kam të pamundur që të shkoj dhe besoj se kam një arsye të fortë", tregon mbrojtësi Kris duke qeshur.
"Do mbaj një fjalim nëpërmjet 'Skype'. Uroj që të ndodhë, pasi të kemi siguruar edhe finalen e Europianit. Do të ishte përrallore", shtoi ai. Por, ka komentuar edhe debatin që ka futur në siklet të madh prindërit e tyre.
"Nëna është ndier shumë keq, pasi ka qenë e detyruar të bëjë një zgjedhje. Të shkonte në dasmën e vëllait, apo të më ndiqte mua në stadium kundër Portugalisë. Në përfundim, prindërit zgjodhën që të jenë në Lion, me mua. Normale që Mark nuk e priti mirë këtë gjë. Është mërzitur disi.
Gjithsesi, ai mund të organizojë disa herë ceremoni martesore, mbase edhe me partnere të tjera, ndërsa gjysmëfinalet e Europianit mund të zhvillohen vetëm një herë", tha futbollisti i Uellsit, duke bërë një shaka që gjithsesi nuk pritet që t'i pëlqejë edhe të vëllait.