Prishja e Piramides & degradimi i saj akt vandal

Prishja e Piramides & degradimi i saj, akt vandal

Klement Kolaneci, arkitekti i njohur i rikthehet debatit për shkatërrimin e projektit më të njohur të karrierës së tij. “Nuk jemi ne që gjykojmë Kohën, është ajo që na gjykon ne”, thotë Kolaneci. Sipas tij, Tirana sot ka nevojë për metronë e saj, e jo thjesht për një projekt tramvaji

Zoti Kolaneci, cili është mendimi juaj për ndërtimet në Shqipëri në dy dekadat e fundit? Si kanë ndërtuar shqiptarët, pas ndryshimit të sistemit?


Ndërtimet në Shqipëri në këto dy dekadat e fundit, pasqyrojnë ndryshimet që ka pësuar vendi në këtë periudhë. Kanë ndryshuar rrënjësisht inisiativa e lirë, futja e teknologjive bashkëkohore, përdorimi i materialeve shumë cilësore, si dhe realizimi i projekteve moderne. Të gjitha këto elemente, kanë krijuar një situatë të re në fushën e arkitekturës dhe sot mund të shohim objekte të veçanta të realizuara, të cilat janë në të njejtin nivel me godina të ndërtuara në qytetet e vendeve më të zhvilluara se vendi yne dhe që kanë një traditë më të madhe se ne, në fushën e arkitekturës.


Ky zhvillim dallohet qartë në ndërtimin e banesave shumëkatëshe me apartamente, në ndërtimin e vilave të veçanta, si dhe në realizimin e restoranteve, bareve, ambjenteve multifunksionale etj. Zhvillim i dukshëm ka ndodhur dhe në realizimin e interiereve shumë cilësore.
 
A i bashkoheni edhe ju mendimit se në vendin tonë ka pasur një masakër, përsa i përket menaxhimit të territorit? Çfarë mendoni për kaosin e ndërtimeve në zonën e Ultësirës Perëndimore, përreth qyteteve dhe në bregdet?


Transformimet e mëdha që erdhën pas ndryshimit të sistemit, në vitet nëntëdhjetë, sidomos lëvizja e lirë e popullatës, solli një situatë të re demografike, e cila duke qenë se u bë në një kohë shumë të shpejtë dhe në mënyrë kaotike, dhe nga ana tjetër e pa shoqëruar me studime e programe pararendëse, solli si rezultat një keqmenaxhim të territorit, sidomos në hapsirat e qyteteve, ku Tirana pësoi një traumë shumë të thellë, si dhe në zonën bregdetare të vendit.


Sot ne shikojmë që kemi humbur vlera të pakthyeshme dhe pasojat do t’i vuajmë përgjithnjë. Eshtë e lehtë të kuptohet që nevoja për banesa, në rradhë të parë, e shoqëruar nga etja për fitim nga njëra anë dhe mungesa nga ana tjetër e ligjeve përkatëse, si dhe dobësia e institucioneve që duhet të disiplinonin menaxhimin e territorit, dha këtë rezultat.


Këtu vlen të theksojmë që vetë politika e ndjekur nga autoritet tona u vu në shërbim të përfitimit ekonomik dhe nga ana tjetër, mungoi totalisht oponenca profesionale dhe duke përjashtuar disa zëra sporadikë, të gjithë faktorët e kësaj ndërmarrjeje të verbuar pas fitimit, vetëm se e rënduan këtë situatë. E ndjej të nevojshme të theksoj se dhe ne arkitektët, pavarësisht se nuk kemi në dorë të drejtën e vendimit, duhet të mos fshihemi dhe të mbajmë mbi supe pjesën e fajit që na takon për këtë situatë.
 
Vetëm pak vjet më parë, shumica politike që po ikën bëri gati plane konkrete për shembjen e Piramidës. Si arkitekti i asaj ndërtese, si ndjeheni sot kur ky rrezik duket se ka kaluar? Po me gjendjen ku është katandisur ajo, si ndjeheni kur e shihni? Pse nuk duhet shembur, sipas jush, Piramida?


Përsa i takon Piramidës, është e lehtë të kuptohet, se për mua, si dhe për kolegët që kanë punuar me mua për realizimin e projektit në fjalë, është e papranueshme prishja e saj, apo dhe vazhdimi i lënies së saj në atë gjendje të shëmtuar. Politika nuk ka të drejtë, për çfarëdo motivi, që të justifikojë një akt të tillë. Piramida tashmë është pjesë e historisë së qytetit të Tiranës dhe e vetë historisë së vendit tonë. Të prishësh është gjithnjë një akt vandal dhe nuk mund të fshihesh dot. Nga ana tjetër, ta transfomosh atë objekt në harmoni me kohën e sotme, është një akt qytetar. Unë personalisht kam patur shumë reagime nga kolegë të huaj, që nuk kanë asgjë të perbashket me emrin e Piramidës, të cilët gati të revolutuar më kanë pyetur se ç’po ndodh. Kuptohet qartë se ç’përgjigje kanë marrë nga unë.
 
Duke e zgjeruar pak idenë, cili duhet të jetë qëndrimi ndaj veprave arkitekturore që janë lënë pas, si trashëgimi nga regjimet e ndryshme që kanë kaluar në Shqipëri? Si duhet të jetë raporti ynë me arkitekturën e së shkuarës?


Shpresoj që politikanët, këtej e tutje, të kuptojnë se nuk jemi ne që gjykojmë kohën, është ajo që na gjykon ne. Historia ka shumë nevojë për dëshmi dhe vetëm me anë të tyre mund të kuptojmë të shkuarën tonë. Njerëzit që nuk kanë respekt për të shkuarën, ashtu si ajo ka qenë në të vërtetë, nuk mund ta kuptojnë të ardhmen dhe për këtë arsye, nuk mund t’ja u besosh atë.
 
Ju keni përjetuar zhvillimin urban të Tiranës në 20 vjetët e fundit. Ka pasur debate për planet rregulluese, për qendrën e qytetit, zonën e tij periferike etj. Çfarë i mungon më shumë Tiranës së sotme, sipas jush?


Ajo që po ndodh me Tiranën tonë është në sytë e të gjithëve. Tirana sot është një konglomerat gjigand njerëzish, godinash e aktivitetesh, për dimensionet e vendit tonë. Por Tirana sot është e sëmurë. Politika mundohet ta quajë metropol, sepse nga padituria ngatërron elementet sasiore me ato cilësore.


Shumë godina e shumë njerëz nuk e bëjnë një qytet metropol. Të tillë atë e bën mënyra sesi ai është ndërtuar, gjithnjë në funksion të njeriut. Në një metropol,  elementi kryesor është lëvizja, mënyra sesi organizohet spostimi i njeriut në hapësirën e tij dhe nga ana tjetër, organizimi i hapësirës së tij në mënyrë vertikale,  ku pjesa më e rendesishme është shfrytëzimi i nëntokës së tij. Këtej vjen dhe epiteti metropol.


Sot politika bën një garë planesh rregulluese gjithnjë të huaja, francez, zviceran anglez etj, ku, duke patur të gjithë respektin që këto studio plotësisht e meritojnë, unë pyes sesi zbatohet parimi i “qytetarit në qendër të vëmendjes”, kur ajri në kryeqytetin tonë është çdo ditë e më i ndotur, kur çdo ditë ka më pak gjelbërim, kur çdo ditë është e frikshme të kalosh rrugën dhe kur ndërkohë na thuhet se do ta bëjmë Tiranën me tramvaj, e keshtu do të zgjidhen të gjitha problemet e  saj?!


Mendoj që Tirana ka vetëm një rrugë shërimi: atë të një politike vizionare dhe të guximshme. Dhe kjo fillon me zgjidhjen e problemit të trafikut, ku domosdoshmërisht duhet parashikuar realizimi i metrosë së qytetit. Në shekullin që jetojmë, kjo nuk është utopi, por problem për t’u zgjidhur. Zgjerimi i Tiranës në drejtim të Veriut, mendoj se do të japë një frymëmarrje të re dhe do të lehtësojë një pjesë të problematikës që ajo mbart sot.
 
Çfarë projekti keni dashur që të realizoni dhe që nuk e keni realizuar ende? Cila është ëndrra juaj në sirtar?


Projekti që kam si ëndërr dhe e di që do të mbetet e tillë, ka qenë diploma ime e parë: Projekti i aeroportit të Rinasit, ku sipas punimit tim të asaj kohe, godina e tij ishte konceptuar në formën e një dinosauri, i cili, i vendosur përballë gjigandëve të krijuar nga njeriu, ju përcillte mesazhin “kujdes, dikur kam qenë kafsha më e përsosur, e papritmas u zhduka”!


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama