Prishja e ndertimeve pa leje policia perplaset me banoret e fshatit

Prishja e ndertimeve pa leje, policia perplaset me banoret e fshatit

Banorët e fshatit Rroms në Mallakastër janë përplasur sërish me inspektorët e ndërtimit,  për të mos lejuar prishjen e një objekti në ndërtim. Forcat e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar kanë shkuar në këtë fshat për të prishur një banesë dykatëshe në anë të autostradës në pronësi të Premtim Aliajt.

Por,  banorët kishin hyrë në ambientet e brendshme dhe gjatë nxjerrjes së tyre jashtë, ka pasur edhe sherr me policinë.  Policia dhe FNSH-ja i kanë nxjerrë ata jashtë, ndërsa janë duke i mbajtur disa metra larg ndërtesës e cila do të prishet.

Edhe një javë më parë kur INUK dhe forcat e policisë shkuan për të prishur pikën e karburantit në ndërtim, pati reagime të dhunshme nga ana e pronarëve dhe për pasojë u dash ndërhyrja e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, për të vënë në kontroll situatën.

Policia u detyrua të përdorte gaz lotsjellës për të shpërndarë banorët, ndërsa FNSH-ja mban ende të rrethuar pikën e karburantit.  Po sot, këta banorë shprehen të vendosur për të bërë rezistencë, që objekti në fjalë të mos prishet. “Nuk do lejojmë prishjen e këtij objekti”, thonë ata.

Ndërkohë që në vendngjarje ka përforcim të forcave të policisë dhe atyre të Ndërhyrjes së Shpejtë.  Inspektorati Ndërtimor Urbanistik ka deklaruar ndërkaq, se “ndërtimi pa leje do prishet” dhe ka vijuar sot punën për prishjen e tij.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama