Prishtina muze per holokaustin e shqiptareve

Prishtina, muze per holokaustin e shqiptareve
Është një ide-projekt, e paraqitur nga kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, e që së shpejti pritet të kalojë në vendim komunal. Kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, ka deklaruar dje se institucioni që drejton ka marrë nismën e krijimit të Muzeut Memorial në të cilin përmes dokumenteve, fotografive, videove inçizimeve, shkresave të ndryshme, do të argumentohet se çfarë ka ndodhur në fund të viteve ’90-të mbi eksodin masiv të popullsisë së Kosovës nga ana e forcave pushtuese serbe.

Këto deklarime, sipas gazetës kosovare ‘Koha Ditore’, kryetari Mustafa i bëri sot në Arkivën e Qytetit të Prishtinës, ku përuroi raftet e reja të arkivit, që janë blerë me mjete të buxhetit komunal.

“Ne këto ditë do të marrim nismën në Kuvendin Komunal, që në vitin e ardhshme të ndërtojmë një muze, i cili do të jetë muze memorial, që do të përfshijë të gjitha ngjarjet e fundit të eksodit të popullsisë së Kosovës. Këtë muze do ta ndërtojmë afër stacionit të trenit, vendit prej nga janë deportuar qytetarët tanë. Do të mundësojmë që përmes fotografive, teksteve, dokumenteve, video-paraqitjeve dhe përmes ligjëratave, që do të mbahen, t’i informojmë qytetarët e Prishtinës, Kosovës dhe ndërkombëtarët se çfarë ka ndodhur në fund të viteve të ’90-ta këtu “, theksoi Mustafa.

Një muze si dëshmi dhe argument para qytetarëve, para familjeve që iu ka ndodhur tragjedia me rastin e eksodeve, vrasjeve, torturave të ndryshme, duke sistemuar gjithë lëndën arkivore në këtë muze dhe qytetarëve do t’iu mundësohet ta shfrytëzojnë këtë lëndë në bazë të nevojave të tyre. Këto pajisje janë rafte lëvizëse në mënyrë që të mbrohet në tërësi dokumentacioni, të sistematizohet dhe të përdoret në mënyrë shumë të shpejtë.

Ndërsa duke folur për investimet që komuna e Prishtinës ka bërë në arkivin e qytetit, kryetari Mustafa tha se, “është një investim në vlerën 108 mijë euro, mirëpo konsiderohet se vlera e punës që është bërë, është shumë më e madhe se vlera që është investuar”.

Ndërkaq, drejtori i arkivit të qytetit, Abaz Makolli, tha se pajisjet me të cilat është pajisur tashmë së fundi arkivi i qytetit janë ndër më modernet në rajon dhe se pajisje të tilla nuk disponon asnjë nga muzetë simotra në vendet e rajonit. Ai falenderoi komunën për investimin e 108 mijë eurove për blerjen e këtyre rafteve dhe tha se me këto me rafte edhe për 50 vitet e ardhshme është siguruar mbajtja e lëndëve arkivore.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama