Shtetasit e Kosovës janë të vetmit të izoluar, krahasuar me vendet e tjera të rajonit dhe atyre iu është privuar udhëtimi pa viza në vendet e zonës Shengen. Analizat e “pulsit publik” tregojnë se 90 për qind e qytetarëve të Kosovës vlerësojnë se liberalizimi i vizave është çështje shumë e rëndësishme.
Krerët e institucioneve në Prishtinë, janë kritikuar disa herë për dhënie të afateve për plotësimin e kritereve të Komisionit Evropian, që prej vitit 2010, kur kreu i qeverisë tha se kjo do të arrihej për gjashtë muaj. Madje viti 2013 u shpall nga kryeministri Hashim Thaçi edhe si vit i liberalizimit të vizave për Kosovën.
Zëvendësministri për Evropën, Gëzim Kasapolli tha se Kosova është në fazën përfundimtare të përmbylljes së të gjitha proceseve për përmbushjen e kritereve. Mirëpo ai shton se skena politike në Kosovë mund t’i ketë fajet për këtë lojë datash. Sipas tij, vlerësimi nga takimi i fundit ishte se Kosova është në rrugë të mirë të përmbushjes së kritereve.
Në fakt, eurodeputetja Ulrike Lunacek ka thënë kohë më parë se zgjedhjet evropiane që zhvillohen këtë vit, janë një sinjal i qartë për Prishtinën se në vitin 2014 nuk duhet të pritet një vendim. Madje, sipas saj, procesi i liberalizimit mund të zgjasë dy apo tri vjet.