Formati i Kampionatit Europian mund të ndryshojë përsëri dhe shkak për këtë bëhet pikërisht Shqipëria. Pritja absurde treditore e Kombëtares shqiptare për të marrë vesh nëse do të kalonte apo jo në turin tjetër është kthyer në objekt diskutimesh. Vetë drejtori i turneut i caktuar nga UEFA, Xhiorxhio Marketi, ka pranuar se ka filluar shqyrtimi i opsioneve të ndryshme.
"Problemi me këtë format është se mes fazës në grupe dhe asaj me eliminim direkt, krijohet një fazë në të cilën duhet të përfshish skuadrat që renditen në vendet e treta", tha Marketi në një konferencë për shtyp të organizuar në Paris. "Askush nuk e di kush do të jenë këto skuadra që renditen në vendin e tretë".
I pyetur se çfarë mendonte për faktin se Shqipëria kishte pritur tre ditë para se të kthehej në shtëpi, Marketi u përgjigj se tashmë po shihej një studiohej më praktik i formulës së aktivitetit.
"Ka gjëra të cilat ne mund t'i përmirësojmë", tha ai, duke bërë të qartë se nuk do të ndryshohej formula me 24 skuadra për Europianin e ardhshëm, në vitin 2020. Por UEFA ishte e hapur për propozime dhe nuk përjashtoi mundësinë që aktiviteti të shkonte deri në 32 skuadra në vitin 2024.
"Sigurisht që ne kemi më shumë se 32 skuadra konkurruese në Europë. Por një format me 32 skuadra do të bënte shumë sipërfaqësore kualifikueset. Ndaj duhet të ekuilibrojmë sa më shumë situatën që gjërat të kenë gjithmonë një kuptim", u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i UEFA-s, Teodor Teodoridis.