Të gjithë studentët e Harvardit shprehen me fjali të shkurtra e brilante, si të ishin Woody Allen'a. Ata nuk përdorin pauza, zhargon e madje asnjë fjalë të pisët siç mund të ndodhë shumë natyrshëm në një rreth shoqëror studentësh. Megjithatë, ndonëse zhvillohet rrjedhshëm, satira nuk e prek çështjen të cilën Facebook-u ngre në jetën e vërtetë: humbjen e privatësisë. Në fillim në filmit, studenti i dehur Mark Zuckerberg e shfrytëzon blogun e tij për të ofenduar ish-të dashurën, e cila sapo e ka braktisur dhe merr hak mbi tërë gjininë femërore duke postuar - pa dijeninë ose pëlqimin e tyre - fotografitë e studenteve të Harvard-it dhe kërkon nga studentët meshkuj që t'i vlerësojnë me nota.
Kjo shkelje e vogël e privatësisë është lojë fëmijësh në krahasim me atë që kemi përjetuar gjatë dekadës së fundit. Në javën e parë të shfaqjes së filmit, u dha lajmi për një incident të tmerrshëm në Universitetin Rutgers, në New Jersey. Një student 18-vjeçar, Tyler Clementi, e kishin incizuar fshehurazi teksa kryente marrëdhënie seksuale me një burrë. Shoku i tij i dhomës, të cilit Clementi i kishte kërkuar t'ia lironte dhomën për disa orë, kishte aktivizuar kamerën e kompjuterit të tij me qëllim të transmetimit online të videos, në mënyrë që të mund ta shihnin të gjithë. Clementi u hodh nga ura George Washington në lumin Hudson dhe vrau veten. Mesazhi i tij lamtumirës në Facebook ishte: “Po hidhem nga ura George Washington, më vjen keq”.
Natyrisht, ky nuk është një rrëfim në lidhje me apo kundër kompanisë Facebook, edhe pse agonia e nëntë fjalëve të lamtumirës me shkronja të vogla në Facebook, duket mbresëlënëse. Por, ky është një rrëfim që ka të bëjë me mënyrën në të cilën të gjitha teknologjitë e reja të komunikimit e lehtësojnë aq shumë cenimin e intimitetit. Njerëzit e Facebook kundërshtojnë, duke thënë se faqja e tyre e rrjetit social ofron më shumë kontroll mbi privatësinë sesa shumë qoshe të tjera të kësaj bote. Ata e kanë alibinë e tyre. Në krahasim me gazetarët e tabloideve britanike, që iu vjedhin njerëzve mesazhet e telefonave celularë dhe i ekspozojnë sekretet e tyre intime vetëm sa për të shitur më shumë gazeta, Facebook është një prift i virtytshëm që i ruan sekretet e të rrëfyerve.
Megjithatë, praktikat e tij në të kaluarën - bashkë me mënyrën në të cilën njerëzit e përdorin - kanë kontribuar në shkatërrimin e privatësisë, kurse praktikat e tashme kanë ende diçka mangut. Sipas një klisheje tashmë të konsumuar, "brezi i Facebook-ut refuzon të shpenzojë pesë para në shumë për privatësi". Sigurisht, normat ndryshojnë me ndërrimin e gjeneratave, por ajo që realisht duket se ka ndodhur këtu është se njerëzit e kanë hedhur veten me entuziazëm në këtë eksperiencë të re mahnitëse dhe disa vjet më vonë mund të tronditen nga pasojat.
Në librin e tij të ri, "The Facebook Effect", David Kirkpatrick shkruan se në një sondazh të vitit 2009 me punëdhënësit amerikanë, 35 përqind e kompanive i kanë refuzuar aplikantët për shkak të informacioneve që kanë gjetur nëpër rrjetet shoqërore. Ky numër nuk është i vogël, por është një në tre. Brezi i ri nuk ka se si të jetë mirëkuptues me këtë efekt të Facebook-ut.
Facebook thotë se kontrolli i tij i privatësisë tani është më i mirë dhe njerëzit mund të caktojnë nivelin që duan. Është zgjedhja juaj. Në pamje të parë ky është një parim i drejtë, por si mund të arrihet kjo në anën praktike? Unë u përpoqa ta hap një llogari të re dhe nuk mendoj se rregullimi i privatësisë është as gjysma e asaj që duhet të jetë. Rregullimet standarde janë pothuajse të gjitha për shpërndarje - duke përfshirë kërkimin automatik të bllokut të adresave të adresës tuaj të email-it gjatë hapjes së llogarisë (për të gjetur Friends'at potencialë). Rregullimi i të gjitha skedave merr mjaft kohë për ta bërë llogarinë më të kufizuar. Është shumë e lehtë të mos i shohësh çështjet me shkronja të imta, si "personalizimi i menjëhershëm", i cili u jep akses "disa rregullimeve të caktuara të tjera sapo ju t'i vizitoni ato" dhe ju duhet të shkoni në një faqe tjetër (Aplications and Website) për ta aktivizuar këtë opsion.
Edhe pasi e çaktivizova kërkimin automatik të bllokut tim, Facebook-u menjëherë doli me një listë të gjatë të miqve që m'i sugjeronte, si dhe të "njerëzve që i njoh", shumicën prej të cilëve vërtet i njoh (duke përfshirë këtu edhe njërin prej fëmijëve të mi që nuk e dija të kishte llogari në Facebook), por për disa të tjerë kurrë nuk kisha dëgjuar. Dizajni i faqes që çon drejt mosaplikimit të këtyre rregullimeve është kritikuar nga ish-zyrtari kryesor i privatësisë në Facebook, i cili tash është as më pak e as më shumë kandidat për postin e Prokurorit të Përgjithshëm të Kalifornisë. Këtu çështja e madhe është te shkatërrimi i intimitetit në shumë fronte gjatë dekadës së fundit.
Kjo shkaktohet nga tri forca të mëdha. Është vetë teknologjia ajo që tashmë e bën të mundur gjurmimin e një jete të tërë dhe ndjekjen e gjithkujt e në çdo vend me një saktësi të menjëhershme, e cila do të bënte ziliqar edhe një agjent të shërbimeve sekrete. Është beteja për fitim, gjë që i nxit kompanitë për një mbikëqyrje gjithnjë e më të hollësishme të shijeve dhe shprehive të klientëve të tyre, në mënyrë që reklamimi t'iu përshtatet më mirë. Janë gjithashtu edhe shërbimet sekrete ato që gjejnë mënyra për t'i futur duart e tyre në shumë prej këtyre të dhënave duke mbledhur informacione me anë të serverëve të tyre.
Për shembull, pamjet e detajuara fotografike të shtëpisë suaj gjenden në Google Earth dhe Google Street Vjenë dhe çdokush - manjakët, hajdutët, terroristët - mund t'i analizojnë ato me imtësi dhe me qetësinë më të madhe të mundshme. Telefoni juaj i mençur iu ndjekë ngado. Dosja e kërkimeve tuaja në Google paraqet historinë intime të jetës suaj. Pasqyra juaj e plotë e kreditit i ofron akses të vazhdueshëm bankave dhe kompanive të ndërtimit. Qeveria britanike dhe ajo amerikane, në emër të sigurisë, kanë përvetësuar pushtetin për t'i monitoruar të gjitha këto, përfshirë edhe e-mailin tuaj dhe thirrjet nga telefoni celular. "Privatësia ka vdekur. Harrojeni!", këshillon Scott McNealy, bashkëthemelues i Sun Microsystems.
Ndoshta mund të përgjigjemi dhe ta rikthejmë një pjesë të privatësisë sonë të humbur. Mund ta bëjmë këtë duke i vendosur standardet tona dhe duke i shpërndarë ato. Mund ta bëjmë duke punuar drejtpërdrejti në kompani si Facebook, për të cilat ne jemi burimi themelor i të ardhurave. Mund ta shfrytëzojmë Facebook-un për ta riformuluar atë. Megjithatë, sado i “dëmshëm” apo jo privat të jetë Facebook-u, çdo njeri e ka vetë në dorë publikimin e të dhënave të tij apo edhe përdorimin apo jo të llogarisë së tij në Facebook.
Ajo që duhet bërë është që të tentohet të ndalohen komplotet kundrejt privacisë tonë duke e bërë atë të padepërtueshme. Po ato teknologji në rrjete sociale, të cilat e ngushtojnë privatësinë tonë, mund të na fuqizojnë që t'i luftojmë. Ndryshe nga filmi "The Social Network", kjo është me të vërtetë një punë e thatë, e ngadalshme dhe e mërzitshme - por liritë tona në të ardhmen do të varen pikërisht nga ajo.