Rreth orës 11:00 të ditës së sotme ka nisur në Prizren mbledhja e dy qeverive, asaj te Shqipërisë dhe Kosovës. Fillimisht fjalen e ka marre kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili e vlerësoi këtë mbledhje si një moment për nisjen e punës për të ardhmes së përbashkët.
“Unë besoj se ekspertët tanë do të punojnë bashkërisht për shqyrtimin e marrëveshjeve tona dhe thellimin e bashkëpunimit tonë. Qëllimi i këtij takimi ka qenë zbatimi i marrëveshjeve të mëparshme dhe forcimi i marrëdhënieve tona”, u shpreh Thaçi, duke theksuar se marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve duhet të jenë të forta.
Thaçi vuri në dukje se rruga e Kombit duhet të jetë më efikase për kalimin e mallrave dhe lëvizjen e njerëzve, si dhe theksoi se ndërtimi i linjës së interkonjeksionit është me rëndësi të madhe.
“Ka vullnet politik si në Prishtinë ashtu edhe në Tiranë që marrëdhëniet tona të jenë shembull për të gjithë rajonin”, u shpreh Thaçi.
Thaçi e vlerësoi këtë takim si shumë të rëndësishëm për të gjithë shqiptarët, që do të hapë një kapitull të ri për Kosovën, Shqipërinë dhe rajonin.
“Shpreh krenarinë për homologun tim Edi Rama që ishte ndër të parët intelektualë që iu kundërvu regjimit komunist. Ata kanë luajtur rol kyç në nxjerrjen e vendit nga izolimi. Por ne jemi sot këtu për të punuar për të ardhmen, nuk ka asnjë dyshim se shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe përfundimi i mbikëqyrjes ndërkombëtare përbën një nga arritjet më të mëdha për dy shtetet shqiptare. Ky takim shënon një kapitull të ri për Kosovën, Shqipërinë dhe rajonin”, tha ai.
Qeveria niset me autobus drejt Prizrenit
Kryeministri Edi Rama dhe gjithë kabineti qeveritar u nisën drejt Prizrenit ku në orën 11 të paradites së shtunë mbahet mbledhja e përbashkët mes dy qeverive.
Për udhëtimin e gjithë kabinetit qeveritar ishte zgjedhur një autobus. Vetë kryeministri Rama nuk lëshoi asnjë koment para nisjes. Një gjë të tillë e bëri zv.kryeministri Niko Peleshi.
“Sot hapet një kapitull i ri në marrëdhëniet me Kosovën. Një sërë marrëveshjes të rëndësishme në fushën tregtare dhe ekonomike do të firmosen. Kjo do të pasohet nga bashkëpunimet të tjera me partnerët tanë strategjikë, por kjo jo rastësisht nis me Kosovën, një mbledhje e dy qeverive të dy popujve që i përkasin të të njëjtit komb”, tha para nisjes zv.kryeministri Peleshi.