Pro restaurimit te Amfiteatrit dhe Kalase

Pro restaurimit të Amfiteatrit dhe Kalasë
Është nga rastet e rralla, në i vetmi ky i djeshmi, që një mbledhje e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë të bëhet e hapur për gazetarë. Ky këshill, në prani të ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferraj, miratoi disa projekte të rëndësishme dhe diskutoi të tjerat që do të zbatohen gjatë vitit 2010.

KKA përbëhet nga Gjerak Karaiskaj, Luan Përzhita, Olsi Lafe, Surja Lela, Ledja Duro, Irida Hasa dhe sekretar Roland Ollin. Diskutimet u ndalën në dy projekte të paraqitura nga subjekti privat Studio "Frashëri", e cila do të ketë të drejtën që të kryejë ndërhyrje arkeologjike dhe restaurime në Amfiteatrin e Durrësit dhe Kalanë e Tiranës. Projektet kanë për qëllim jo vetëm mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, por edhe rritjen e interesit të vizitorëve në këto dy zona arkeologjike.

Në projektin për Amfiteatrin e Durrësit, shpjegohet se ndërhyrjet do të fokusohen në arenën e Amfiteatrit, në shkallaret, në rikonstruksionin e galerive dhe Ndenjëses së tij. Parashikohet edhe ruajtja e konservimi i segmentit muzeal të Kapelës bizantine ku ndodhet edhe një nga afresket më të rëndësishëm mesjetarë në Shqipëri. Fillimisht, përfaqësuesi i Studios "Frashëri", u shpjegoi të pranishmëve propozimet për restaurimin e pjesës veriore të amfiteatrit: "Të gjitha shtëpitë që janë ndërtuar në trupin e këtij monumenti duhet të hiqen prej aty, me qëllim që të hapet fasada e amfiteatrit e cila nuk mund të shikohet nga asnjë pikë e qytetit, për shkak të ndërtesave dhe punimeve të kohëve të fundit".

Në projekt shpjegohet se kjo hapësirë që ndodhet në pikun e lartësisë së amfiteatrit, përfshin gati 50% të sipërfaqes dhe në këtë pjesë ruhen elementet përbërës të fazës fillestare të ndërtimit të amfiteatrit. Pjesa muzeale e Kapelës, sipas projektit do të ruhet në gjendjen që është. Frashëri shpjegoi kushtet e Amfiteatrit në dy dekadat e fundit dhe dëmtimet që ka shkaktuar dora e njeriut.
"Monumenti është mbrojtur nga një rrethim i thjeshtë, i cili ka penguar lëvizjen e pakontrolluar të njerëzve. Ai është vënë në funksion të vizitorëve, pavarësisht nga kushtet e pamjaftueshme të ekspozimit të tij. Gjithashtu janë kryer ndërhyrje sporadike konservimi me çimento mbi sipërfaqen e Ndenjëses së ruajtur në anën veriore për të penguar depërtimin e ujërave të reshjeve në thellësitë e strukturave të amfiteatrit, të cilat më shumë kanë dëmtuar e zhdukur gjurmët e shkallareve, se sa ia kanë arritur qëllimit tjetër". Restaurimi i plotë i amfiteatrit nuk ka vuajtur vetëm për financime, por "më tepër nga mungesa e konceptit të ndërhyrjes profesionale dhe programimi i harmonizimit të detyrave midis arkeologut dhe restauratorit". Projekti i restaurimit të plotë kap vlerën e disa miliona eurove.

Në projektin e Frashërit parashikohet restaurimi i sistemit të shkarkimit të ujërave të shiut, deri në largimin e tyre jashtë perimetrit të amfiteatrit dhe derdhjen e tyre në sistemin shkarkues të qytetit të Durrësit. Gjatë kohës së restaurimit, është menduar të kryhet paralelisht edhe gërmimi arkeologjik i arenës.

Po ku konsiston projekti i dytë, ai për Kalanë e Tiranës, që studio "Frashëri" e bëri prezent dje në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë?
"Të hiqen ndërtimet e bëra ndër vite, ndërtimet gjysmë pa leje, magazinat e vjetra. Të mbeten vetëm ndërtesat kryesore që janë aty", shpjegoi hartuesi i projektit dhe e kishte fjalën për magazinat, depot, ambientet e punës të personelit të policisë dhe kioskën në murin e kështjellës. Veç tri kullave të zbuluara deri më tani brenda mureve të kalasë, në projekt flitet edhe për dy të tjera në anën perëndimore dhe lindore të murit rrethues të Kështjellës. Ky informacion është marrë prej vëzhguesve të rastësishëm të punimeve kanalizuese, të kryera në dhjetëvjeçarin e fundit.


Lidhur me kullat ekzistuese, Frashëri propozon pastrimin e tyre nga dherat, ngritjen e mureve deri 1,20-1,50 m nga kuota e sotme e rrugës, restaurimin e kalldrëmit ku kanë dalë edhe gjurmët dhe krijimin e lidhjeve të tyre me muret rrethues. Për sa i përket murit rrethues kërkohet të kthehet vëmendja tek dëmtimi i tij nga instalimet elektrike, telefonike, të ujërave të zeza. "Restaurimi parashikon largimin e të gjithave ndërhyrjeve të vjetra infrastrukturore dhe plotësimin me muraturë të boshllëkut që ato kanë krijuar në pjesën e themeleve dhe të murit rrethues".
Propozohen të bëhen gërmime arkeologjike në themelet e kullave, kontrolle të vazhdueshme për gjendjen e tyre dhe ndërhyrje restauruese. Në fokus të këtyre ndërhyrjeve është menduar të jetë edhe muri i Hotel "Kalaja". Në mbledhjen e djeshme, Frashëri nuk përmendi asgjë lidhur me atë fragment muri që mendohet të ketë qenë i dukshëm për banorët para se të ndërtohej kinema "Millenium" dhe restoranti. Muri i fasadës perëndimore të kinemasë mbështet mbi murin rrethues të kalasë, dhe vetë planimetria e tij shtrihet brenda kalasë. "Çlirimi i këtyre strukturave do të varet nga qëndrimi perspektiv që do të mbahet në të ardhmen për ruajtjen, ose eliminimin e ndërtesës së kinemasë" shkruhet në projektin që ai dorëzoi dje në Ministrinë e Kulturës.

Nuk do të bëhen ndërhyrje në zonën rreth Parlamentit, e ndërtuar në vitet 1954-1957, edhe pse nën dyshemenë e këtij objekti mendohet të vijojë një segment i murit rrethues të Kalasë së Tiranës. Po ashtu në banesën e Mbretit Zog I, që daton që nga 1928, e rindërtuar krejtësisht në 1936, që mbështetet mbi themelet e murit rrethues të Kështjellës. Në zonën e Sarajit të Selim Pashë Toptanit "Haremllëku" (sot Laboratori i Restaurimit Arkeologjik) dhe "Selamllëku" (shtëpi private) që datojnë në vitet,1833-1840 do të ndërhyhet për restaurim të ambientit. Po ashtu edhe në selinë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Në fund të fjalës së tij, Frashëri përmendi rikonstruksionin që mendohet t'i bëhet Qendrës Kulturore të Fëmijëve që ndodhet në këtë zonë, e cila daton prej vitit 1957. Këtë kohë ajo ka funksionuar si kinema, për festivale, konkurse teatri, koncerte, shfaqje dhe konkurse letrare, aktivitete për fëmijë. Kthimi i saj në gjendje funksionale, është një ndër objektivat e përcaktuar në projekt. Në mbledhjen e djeshme u bërë të ditura edhe projektet e 2010-ës, disa prej tyre të filluara që në 2009-ën dhe disa të paraqitura rishtazi në MTKRS.

Jorida Pasku : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama