Aty ku lëvrohet gjuha shqipe, të ketë patjetër redaktor dhe korrektor
Dialekti i Veriut nuk e ka ingranuar të gjithë pasurinë e vet në standart
Shkrimtarët që kanë shkruar në dialektin e Veriut, kanë qenë të diskriminuar politikisht
Sot duhet shikuar se si standardi i sotëm e kryen funksionin e tij
Kohët e fundit është folur në shumë media për ristandardizimin e gjuhës shqipe, cili është mendimi juaj për këtë problem? A duhet ristandardizuar gjuha shqipe në këto momente kur ka shumë probleme të tjera?
Fjala ristandardizim nuk është e përshtatshme për atë që mendojnë të bëjnë gjuhëtarët e intelektualët e tjerë. Nuk bëhet fjalë për të ndryshuar standardin. Këtu bëhet fjalë për të shikuar se si standardi i sotëm e kryen funksionin e tij dhe cilat janë rrugët nëpërmjet të cilave do të pasurohet më tej ky standard, do të bëhet më funksional dhe do ta kryejë më mirë funksionin e tij për të cilën është krijuar. Prandaj këtu nuk ka ndonjë ndërrim të standardit për të krijuar një standard tjetër, sepse ne po shkojmë drejtë Europës dhe Europa do një gjuhë të përbashkët për të gjithë shqiptarët, me të cilën të komunikojë me ne.
Ku konsistojnë këto rregullime dhe përmirësime?
Jo e gjithë pasuria leksikore dhe gramatikore është e përfshirë në këtë standard, sidomos dialekti i Veriut nuk e ka ingranuar të gjithë pasurinë e vet. Dihet se shumë shkrimtarë të mëdhenj, që kanë shkruar në dialektin e Veriut, kanë qenë të diskriminuar politikisht, duke filluar me At Gjergj Fishtën, Ernest Koliqin, Martin Camajn, Ndre Zadejën, Vinçenc Prendushin, Lazër Shantojën dhe shumë të tjerë, veprat e të cilëve nuk janë njohur dhe kanë mbetur të panjohura, si rrjedhim, nuk është shfrytëzuar pasuria e tyre leksikore.
Një arsye tjetër është se vetë zhvillimi i standardit që nga periudha kur ai përcaktoi konturet e tij e deri më sot ka bërë të nevojshme që të rishikohen disa probleme. Po jap vetëm një shembull. Simbas Kongresit të Drejtshkrimit emrat e festave fetare duhet të shkruhen me shkronjë të vogël. Ky ishte një qëndrim diskriminues që i bëhej fesë nga shteti diktatorial, që e quante veten shteti i parë ateist në botë. Sot kanë ndryshuar këto mentalitete. Në një shtet demokratik nuk mund të lejohet të vazhdojë ajo që është vendosur një herë nga pozita të caktuara politike. Në atë kohë edhe emrat Zot e Perëndi shkruheshin me shkronjë të vogël, gjë që shprehte qëndrimin e shtetit komunist ndaj fesë. Por sot nuk mund të vijohet më me këtë mënyrë.
Një arsye tjetër është se edhe normat e drejtshkrimit kanë shumë përjashtime, aq sa për disa raste nuk e di a mund të qëndrojë vetë fjala rregull. Duke i mënjanuar këto përjashtime, duke i futur ato brenda sistemit, drejtshkrimi merr një formatim më të sigurtë, gjë që fuqizon standardin.
Përse kanë qenë të persekutuar disa shkrimtarë në regjimin komunist, për shkak të gjuhës, gjeografisë së tyre, apo për shkak se kanë qenë klerikë?
Nuk besoj se për shkak të gjuhës së tyre; por kryesisht se kanë qenë kundër regjimit të diktaturës që mohon liritë e njeriut. Sigurisht që qenia e tyre si klerik ka qenë një arsye më tepër për t’u persekutuar. I tillë është rasti i At Gjergj Fishtës, që u ndalua nga regjimi, se shkroi vepra që trajtonin luftën kundër sllavëve për të mbrojtur tokat shqiptare që iu dhanë padrejtësisht Malit të Zi. Prandaj Fishta ishte i papranueshëm për shtetin diktatorial që ishte i lidhur ngusht me shtetet sllave, në fillim me Jugosllavinë dhe më vonë me Bashkimit Sovjetik. Le të kujtojmë vargjet ku poeti i drejtohet Europës:
Me da tokat e Shqipnisë
Per me ngopë klysht e Rusisë?
Ka pasur edhe arsye të tjera me karakter politik. Sjellim si shembull Martin Camajn, shkrimtarin, poetin dhe albanologun e shquar, i cili ka qenë i panjohur në vendin tonë deri me shembjen e komunizmit dhe ardhjen e demokracisë. Ai u arratis nga Shqipëria dhe kërkoi liri në perëndim. Prandaj vepra e tij mbeti krejtësisht e panjohur, megjithëse ajo mund të jetë vepra më e papolitizuar. Ai ka qenë një ambasador i shtetit shqiptar dhe i kulturës shqiptare, që nuk u njoh asnjëherë për i tillë. Ka jetuar kryesisht në Gjermani derisa vdiq por edhe në Itali ku ka kaluar një pjesë të jetës së tij. Është një shkrimtar dhe poet me një traditë të fuqishme të rrënjosur nga vendlindja e tij, por gjithashtu edhe modern. Tradita me modernen janë bashkuar në mënyrë të harmonishme në veprën e tij letrare. Por ai ka qenë edhe një shkencëtar që ka arritur deri në majat e albanologjisë, sidomos me monografinë “Formimi i fjalëve në gjuhën shqipe”. Gramatika e tij e gjuhës shqipe, e botuar në anglishte, është e para e këtij lloji që ka përfshirë të gjithë pasurinë dialektore të shqipes, të gegërishtes, toskërishtes dhe arbërishtes. Ai ka njohur me rrënjë e me degë të folmet e arbëreshëve të Italisë, të cilët i ka vizituar herë pas here, jo vetëm kur ishte me banim në Itali, por edhe kur u shpërngul në Mynhen të Gjermanisë. Për të folmet e tyre ai ka botuar disa studime, që janë punime serioze dhe me vlera të veçanta jo vetëm për dialektin arbëresh, por edhe për dialektologjinë shqiptare.
Njëri nga problemet më të rëndësishme që ka sot gjuha shqipe janë huazimet e shumta, që vihen re në gazeta, revista, në mediat vizive etj. Cili është mendimi juaj për këtë problem?
Duhet vetëm kujdes për gjuhën. Problem për gjuhën e sotme është globalizmi, ndikimi i gjuhëve të mëdha, të gjuhëve që përhapin shkencën, teknikën, letërsinë, artin. Ky është një proces i pandalshëm. Prandaj edhe gjuha shqipe do të jetë gjithmonë nën një ndikim të tillë. Por ajo për të cilën duhet të kujdesemi është që shumë fjalë të huaja që kanë hyrë në gjuhën shqipe e mund të hyjnë në të ardhmen, të zëvendësohen me fjalë të gjuhës shqipe. Për këtë është e nevojshme të studiohen edhe shkrimtarët e mëdhenj që kanë qenë të ndaluar për të nxjerrë në dritë pasurinë leksikore e frazeologjike. Edhe dialektet e shqipes, sidomos ai i Veriut është shumë i pasur, por duhet që kjo pasuri të bëhet pronë e standardit, me qëllim që me anë të saj të zëvendësohet një pjesë e fjalëve të huaja të panevojshme. Një kujdes më të madh duhet të kenë zyrtarët, politikanët dhe punonjësit e mediave, shembulli i mirë i të cilëve ndikon pozitivisht në zhvillimin e standardit dhe në pasurimin e tij me brumin e gjuhës shqipe.
Vërehet se edhe në institucionet shtetërore ka gabime në përdorimin e gjuhës dhe shpërdorime të saj. Cili është mendimi juaj për këtë problem, si mund të shmanget kjo dukuri negative?
Për këtë është e nevojshme që aty ku lëvrohet gjuha shqipe, në institucionet ku botohen libra e ku punohet me media elektronike, të kenë patjetër redaktor dhe korrektor me eksperiencë, që e njohin mirë gjuhën shqipe; sepse mungesa e tyre sjell dëm të madh, meqenëse një gabim i tyre gjen udhën e përhapjes nëpër libra, gazeta e revista. Prandaj duhet të ketë një kontroll shumë të fortë që të mënjanojë çdo gjë që është në kundërshtim me rregullat e përcaktuara dhe në kundërshtim me logjikën e evolucionit të gjuhës shqipe.
Cili është mendimi juaj mbi reformimin e Akademisë së Shkencave?
Është ndërmarrë një reformë, në bazë të së cilës Akademia është ndarë nga institutet e ndryshme studimore, të cilët krijuan Qendrën e Studimeve Albanologjike. Nga kjo qendër varen: Instituti i Gjuhësisë e i Letërsisë, Instituti i Historisë, i Arkeologjisë, i Kulturës Popullore dhe i Arteve, domethënë institutet që vareshin nga Akademia. Por reformimi i Akademisë mund të vijojë edhe në të ardhmen, me qëllim që ky institucion shkencor të jetë sa më funksional, të lidhet më tepër me institutet studimore të vendit tonë, për një kordinim më të mirë me qendrat shkencore të profileve të ndryshme dhe me universitetet. E rëndësishme është që të gjithë këto institucione të ecin në një drejtim dhe të kenë të njëjtën busull orientuese, zhvillimin e shkencave shqiptare dhe lidhjen e saj sa më ngushtë me jetën.
Në tekstet shkollore vërehen gabime drejtshkrimore, gjë që ka ndikuar për keq në edukimin gjuhësor të nxënësve dhe studentëve. Si mund të korrigjohen këto gabime?
Problemi mund të zgjidhet vetëm me vendosjen e korrektorëve dhe të redaktorëve të përgatitur, që duhet të mbajnë përgjegjësi të plotë për të gjitha gabimet që bëhen. Është vërtetë e pafalshme që një tekst shkollor, që duhet të shërbejë si model nga çdo anë, të ketë gabime. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë.
Në ditët tona ka një lumë botimesh, nga të gjitha gjinitë. A është në interes të shkencës dhe letërsisë shqiptare ky numër i madh librash që botohen?
Botimet nuk mund të ndalohen më si dikur në kohë të diktaturës. Unë vetë e kam vuajtur këtë ndalim, sepse për shumë vite nuk më kanë lejuar të botoj qoftë edhe artikuj të thjeshtë. Kjo ka ndodhur në periudhën e monizmit në vitet 1973-1978. Kur dërgova në Institutin e Gjuhësisë punimin e parë me titull “Koha e ardhshme e foljeve në gjuhën shqipe”, pesë vjet me radhë nuk ma botuan. Dhe nuk ma thonin arësyen. Herë më thonin “kemi pasur punë”, ose “kemi pasur shumë artikuj për të botuar”, ose “do të thërrasim vetë”, dhe vetëm pas disa vjetësh e mora vesh se e kisha pengesën nga rrethi. Në Institut e kishin zakon që për bashkëpunëtorët e rinj kërkonin nja autorizim nga rrethi ku punon, dhe rrethi kishte dërguar përgjigje negative për arsye të biografisë sime. Në të vërtetë, familja ime nuk ka qenë asnjëherë e angazhuar politikisht, por im atë ka qenë tregtar dhe ka pasur një dyqan. Kjo ka qenë e mjaftueshme që unë të isha i padëshirueshëm për regjimin komunist të asaj kohe.
Më vonë, pas shumë takimesh, letrash e ndërhyrjesh, më dhanë një leje për të botuar kur ta shikonte të arsyeshme Instituti dhe aq sa e shikonte të arsyeshme ai. Dhe ky institucion e mbajti këtë porosi të rrethit duke më botuar vetëm një artikull në dy vjet edhe atë me shumë shkurtime. Vetëm mbas shembjes së komunizmit dhe ardhjes së demokracisë e kam ndier lirinë e plotë të botimit dhe nuk më janë shkurtuar më artikujt dhe as nuk kam pasur kufizime. Madje, puna e re si sekretar i përgjithshëm i Presidentit, më krijoi mundësi të mëdha për t’u lidhur me shumë qendra studimore e universitete jashtë Shqipërisë në shumë vende të Europës, sidomos me arbëreshët e Italisë e shqiptarët e Kroacisë. Frut i kësaj lirie janë botimet e shumta, që arrijnë në 15 libra me më shumë se 5 mijë faqe, si edhe një numër i madh artikujsh e kumtesash, që e kapërcejnë shifrën 150.
A mund të na thoni titujt e veprave që keni botuar?
Libri i parë, që kam botuar më 1995, ka qenë “Theksi në gjuhën shqipe”, i cili ka qenë edhe punimi i doktoraturës. Pas tij kam botuar: “Historia e hundorësisë së zanoreve të gjuhës shqipe”, “Diftongjet e gjuhës shqipe”, “Shndërrime historike në sistemin zanor”, “Sonantet e gjuhës shqipe”, “Mbylltoret e gjuhës shqipe”, “Fërkimoret e gjuhës shqipe”, “Shndërrime historike në sistemin bashtingëllor”, “Fonetika historike e gjuhës shqipe”, që ka merituar dy çmime: “Çmimin Ekselenca Shqiptare” dhe “Çmimin e Albanologjisë për vitin 2008”. Kam botuar edhe një libër për studentët universitarë për fushën e fonetikës historike të gjuhës shqipe. Pas kësaj, kam studiuar në fushën e morfologjisë historike, fushë në të cilën kam botuar: “Zhvillimi historik i përemrave”, “Nyjat e shqipes”, “Sistemi rasor i emrave të shqipes”, dhe i fundit është ai që është botuar para dy javësh, “Sistemi foljor i gjuhës shqipe”. Tashti po punoj për një gramatikë historike, të cilën do ta botoj vitin e ardhshëm dhe do të ketë një vëllim të konsiderueshëm me më shumë se 1500 faqe. Do të jetë një studim monografik me karakter sintetik dhe përgjithësues. Ky libër do të përmbyllë fazën e dytë të studimeve të mia, që është në fushën e gramatikës. Pastaj do të filloj të merrem me studime në fushë të etimologjisë.
A i shërben gjuhës shqipe ky lumë botimesh?
Mendoj se nëpërmjet këtyre studimeve janë ndriçuar shumë probleme të rrugës që ka përshkruar gjuha shqipe në fazat e saj të ndryshme të zhvillimit. Pas këtyre studimeve, që përfshijnë fushën e fonetikës dhe të gramatikës historike, më është hapur rruga për t’u marrë me etimologji. Kam dëshirë që pas studimeve në këtë fushë të hartoj një fjalor etimologjik të gjuhës shqipe, mungesa e të cilit është e ndieshme për gjuhën shqipe.