Stërvitja e Kombëtares shqiptare të futbollit në stadiumin e "Perros-Guirec" vijonë të tërheqë vëmendjen e mediave zvicerane. Një artikull i publikuar së fundmi nga "Blick", ngre pikëpyetje për gjendjen e Berishës.
"Probleme me gishtin - Moment shokues për Etrit Berishën. Pas një pritje të topit, gardiani i Lacios kishte probleme me gishtin e madh të dorës. Ai i vazhdoi prap stërvitjet pas trajtimit mjekësor disa minutash. Me sa duket ishte vetëm një ndrydhje",-shkruan gazeta zvicerane.
Ndërsa zbulon disa detaje nga stërvitja e Kombëtares në qytezën me rreth 7312 banorë.
"Dje ishte dita e dyerve të hapura për Kombëtaren. Së pari i bërën fotot zyrtare për UEFA-n, ndërsa më vonë ishte dhe stërvitja publike. Ishte një gëzim i madh, sidomos për fëmijët që ishin të pranishëm me shumicë për të bërë foto dhe selfie me Canën dhe të tjerët",-shkruan "Blick".
Mediat zvicerane dhe ato franceze duket se janë më të interesuara për ecurinë e Kombëtares, edhe për faktin se kuqezinjtë do të përballen në finalet e Europianit me ekipet e këtyre dy shteteve.