Problemet ne cift 20 e popullsise vuan nga infertiliteti

Problemet ne cift, 20% e popullsise vuan nga infertiliteti
Edhe pse në vendin tonë nuk ka ende një studim mbarëkombëtar lidhur me përqindjen e infertilitetit, ai po bëhet shqetësues për mjaft çifte të reja që nuk munden të sjellin në jetë fëmijë. Sipas të dhënave që raportojnë mjekët gjinekologë, problemet e infertilitetit prekin sot 15-20% të popullsisë shqiptare, sikurse ndodh edhe në vendet e zhvilluara të botës.

 Shifra është bërë e ditur nga mjekë gjinekologë në kongresin e gjashtë ndërkombëtar të Perinatalogjisë që po mbahet në Tiranë, gjatë të cilit po diskutohet për të rejat mbi gjenetikën prenatale dhe infertilitetin. Sipas mjekut Orion Gliozheni, “problemet e infertilitetit nuk janë vetëm shëndetësore, por dhe sociale, kështu që duke i zgjidhur sa më drejtë, ndihmojnë familjet”. Për mjekët shqetësim përbën fakti se kontrollet mjekësore te specialistë janë shumë të rralla dhe informacioni për sëmundjet që prekin si meshkujt dhe femrat në vendin tonë, mungon.

Ata thonë se trajtimi i sëmundjes në moshë të madhe jo vetëm që është tepër i kushtueshëm, por nga ana tjetër ai nuk është gjithmonë i efektshëm. Referuar statistikave të ngritura mbi raportimet e mjekëve, në vendin tonë rreth 50 për qind e problemeve të të mospaturit fëmijë në çift vijnë nga meshkujt. Në punimet e kongresit është folur edhe për shifrat e vdekshmërisë foshnjore në vend, ulja e të cilave është cilësuar si sukses i mjekësisë shqiptare në sektorin e shëndetit të nënës dhe fëmijës. “Shqipëria ka qenë një vend problematik, por në vitet 2010-2011 kemi rënë nën shifrat 10 për 1 mijë lindje të gjalla, që është një sukses shumë i madh i mjekësisë shqiptare në këtë drejtim”, – tha mjeku gjinekolog Orion Gliozheni.

Kongresin e ka përshëndetur edhe ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, i cili tha se vendi ynë ka bërë përparime në miratimin e protokolleve klinike që zbatohen në maternitetet e Shqipërisë. Në sajë të tyre, por edhe infrastrukturës së përmirësuar për të cilën janë investuar vitet e fundit për pajisje rreth 3.3 milionë dollarë, është ulur vdekshmëria foshnjore si dhe ajo amtare. “Ndërkaq, Shqipëria, – tha Tavo,- është në fazat e aplikimit të strategjisë për përdorimin e kontraceptivëve, të cilët do të ndihmojnë çiftet e reja për planifikimin familjar”. Një arritje e madhe, në saj të një studimi, është se është dyfishuar numri i nënave që praktikojnë ushqyerjen me gji të foshnjave të tyre.

Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, vdekshmëria foshnjore për vitin 2011 ishte 8.7 vdekje për 1000 lindje të gjalla dhe për vitin 2010, 9.7 vdekje për 1000 lindje të gjalla. Krahasuar me vitet e mëparshme, këto shifra kanë pësuar një ulje të ndjeshme  duke nisur nga viti 2005, ku numëroheshin 14.7 vdekje për 1000 lindje të gjalla.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama