Problemi me GDP-ne e shteteve te varfra

Problemi me GDP-ne e shteteve te varfra
Edhe në periudha të mira financiare, buxhetet për ndihma zhvillimore mezi sigurohen. Udhëheqësit e qeverive dhe donatorët duhet të marrin vendime të vështira rreth asaj se ku t’i përqendrojnë resurset e tyre të kufizuara. Si të vendosësh se cilat shtete duhet të marrin hua me kamatë të ulët për vaksina dhe cilat e kanë mundësinë që të financojnë vetë programet e tyre zhvillimore?

Përgjigjja varet pjesërisht prej asaj se si e matim rritjen dhe përmirësimin në jetën e njerëzve. Tradicionalisht, njëri prej faktorëve kryesorë ka qenë GDP-ja për kokë banori – vlera e mallrave dhe shërbimeve të prodhuara nga një shtet brenda një viti, pjesëtuar me popullatën e atij shteti. Megjithatë, GDP-ja mund të jetë indikator i pasaktë në shtetet e varfra, gjë që paraqet shqetësim jo vetëm për politikanët apo njerëzit si unë, që lexojnë raportet e Bankës Botërore, por edhe për të tjerët, të cilët duan që statistikat t’i shfrytëzojnë si argumente për të ndihmuar njerëzit më të varfër të botës.

Për një kohë të gjatë kam besuar se GDP-ja e nënvlerëson rritjen, madje edhe në shtetet e pasura, ku matja e saj është bukur e sofistikuar për shkak se është tejet e vështirë të krahasohet vlera e shportës së mallrave nëpër periudha të ndryshme kohore. Në SHBA, për shembull, një komplet enciklopedish më 1960-n ishte i shtrenjtë, por kishte vlerë të madhe për familjet me fëmijë të dhënë pas studimeve. (Këtë e flas nga përvoja, pasi orë të tëra kam kaluar duke shfletuar Enciklopedinë Botërore, të cilën prindërit e kishin blerë për mua dhe motrat e mia). Tani, falë internetit, fëmijët kanë qasje në shumë informata dhe nuk kanë nevojë të paguajnë. Si të shndërrohet kjo në faktor për llogaritjen e GDP-së?
Sfida e përllogaritjes së GDP-së ka rëndësi akute në Afrikën nën-Saharë, për shkak të enteve të dobëta statistikore të këtyre shteteve dhe njëanshmërive historike, të cilat ndikojnë në matjet kryesore.

I trazuar nga ato që i konsideronte probleme në statistikat e Zambisë, Morten Jerven, profesor bashkëpunëtor në Universitetin Simon Fraser, i kaloi katër vjet duke studiuar se si shtetet afrikane i sigurojnë të dhënat e tyre dhe sfidat e shndërrimit të tyre në elemente të GDP-së. Në librin e tij të ri “Shifrat e pasakta: Si mashtrohemi nga statistikat zhvillimore afrikane dhe çfarë të bëjmë rreth tyre”, ai paraqet argumente të fuqishme rreth asaj se shumica e matjeve të GDP-së, për të cilat kemi menduar se jemi të sakta, janë larg të qenit të tilla.

Jerven thekson se shumë shtete afrikane e kanë problem që të matin ekonomitë e tyre dhe aktivitetet e paregjistruara ekonomike. Si ta llogarisësh prodhimin e një bujku që ha ushqimin që e ka prodhuar vetë? Po qe se forma e tillë e bujqësisë nuk llogaritet vazhdimisht, atëherë ajo që mund të duket si rritje, derisa ekonomia kalon prej prodhimit për vete në prodhimin edhe për të tjerët, thjesht mund të pasqyrojë një zhvendosje në diçka e cila është më e lehtë të matet në aspektin statistikor.

GDP-të e shteteve të varfra përballen edhe më probleme të tjera. Për shembull, shumë shtete në Afrikën nën-Saharë nuk rifreskojnë raportimet e tyre mjaftueshëm, kështu që shifrat e tyre të GDP-së mund të mos përfshijnë sektorët e mëdhenj, të cilët rriten me shpejtësi, si telefonat celularë. Kur Gana rifreskoi shifrat e veta, disa vjet më parë, GDP-ja e saj ishte rritur për 60 për qind. Por, shumë njerëz nuk e kuptonin se kjo ishte vetëm një anomali statistikore, e jo një ndryshim në standardin e jetesës së ganezëve.

Krahas kësaj, ekzistojnë disa mënyra të llogaritjes së GDP-së dhe ato mund të prodhojnë rezultate të ndryshme. Jerven i përmend tri prej tyre: indikatorët e zhvillimit botëror, të publikuar nga Banka Botërore; “Pen World Trade”, e publikuar nga Universiteti i Pennsylvanias dhe “Madison Project” e Universitetit të Groningenit, që bazohet në punën e ekonomistit të ndjerë, Agnus Maddison.

Këto burime mbështeten te të njëjtat të dhëna themelore, por ato modifikohen në mënyra të ndryshme për të përfshirë inflacionin dhe faktorët tjerë. Si rezultat, rangimi prej tyre i ekonomive të shteteve të ndryshme ka variacione të mëdha. Liberia sa i përket varfërisë në Afrikën nën-Saharë është e dyta, e shtata dhe e 22-ta, varësisht prej asaj se me cilat autoritete konsultohesh.

Nuk është vetëm rangimi ai që ndryshon. Nganjëherë, një burim do të tregojë një shtet që rritet për disa pikë, derisa burimi tjetër do të tregojë rënien për disa pikë të ekonomisë së atij shteti.

Jerven i përmend këto diskrepanca për të dhënë argumentin e vet se nuk mund të jemi të sigurt nëse GDP-ja e një shteti të varfër është më e lartë se e shtetit tjetër dhe se ne nuk duhet ta përdorim vetëm GDP-në për të konstatuar se cilat politika ekonomike të shpijnë drejt rritjes.

A do të thotë kjo se ne nuk dimë asgjë se çfarë funksionon (dhe çfarë nuk funksionon) në zhvillim?

Nuk është ashtu. Hulumtuesit tashmë një kohë të gjatë kanë përdorur teknikat si anketat me amvisëritë për të mbledhur të dhëna. Për shembull, anketa demografike dhe shëndetësore kryhet rregullisht për të konstatuar normat e mortalitetit të fëmijëve dhe nënave. Për më tepër, ekonomistët janë duke përdorur teknika të reja, si pamjet satelitore të burimeve të dritës, për të dhënë vlerësimet e tyre për rritjen ekonomike. Ndonëse metodat e tilla nuk janë të përkryera, ato nuk hasin në të njëjtat probleme si GDP-ja.

Mënyrat e tjera të matjes së standardeve të përgjithshme të jetesës në një shtet janë ngjashëm të pasakta; por ato sidoqoftë sigurojnë mënyra shtesë për ta kuptuar varfërinë. Njëra, e quajtur Indeksi i Zhvillimit Njerëzor, përdor statistikat shëndetësore dhe arsimore krahas GDP-së.

Një tjetër, Indeksi Multidimensional i Varfërisë, përdor dhjetë indikatorë, përfshirë ushqimin, pastërtinë dhe qasjen në ujin e pijshëm. Po ashtu, përmes përdorimit të “Purchasing Power Parity”, që mat koston e shportës së njëjtë të mallrave dhe shërbimeve në shtetet e ndryshme, ekonomistët mund të përshtatin GDP-në, për të kuptuar më mirë standardet e jetesës.
Megjithatë, është e qartë se duhet t’i kushtojmë më shumë rëndësi saktësimit të shifrave të GDP-së. Siç argumenton Jerven, zyrat shtetërore të statistikave në Afrikë kanë nevojë për më shumë përkrahje, në mënyrë që të sigurojnë të dhëna më aktuale dhe më të sakta. Qeveritë donatore dhe organizatat ndërkombëtare, si Banka Botërore duhet të bëjnë më shumë për të ndihmuar autoritetet afrikane që të japin një pasqyrë më të qartë të ekonomive të tyre. Dhe, politikanët afrikanë duhet të jenë më konsekuentë në kërkimin e të dhënave më të sakta, si dhe shfrytëzimin e tyre për të marrë vendime.

Jam përkrahës i madh i investimit në shëndetësi dhe zhvillim në botë. Sa më të mira që i kemi mjetet për matjen e progresit, aq më shumë do të mund të sigurohemi se këto investime do të arrijnë tek njerëzit që kanë nevojë më së shumti për to.

* “Autori është bashkëdrejtues i fondacionit “Bill & Melinda Gates”

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama