Ministria e Kulturës merr pjesë në konferencën e nivelit të lartë “Trashëgimia kulturore, një faktor kyç për zhvillimin e qëndrueshëm”, në kuadër të Procesi të Lubjanës, faza II. Konferenca organizohet nga Këshilli Rajonal për Bashkëpunim dhe Ministria e Kulturës së Kroacisë. Konferenca ka për synim të adresojë rolin dhe funksionin e trashëgimisë kulturore, si një burim strategjik për zhvillimin e qëndrueshëm në rrugën drejt integrimit evropian të Evropës Juglindore. Ministria e Kulturës përfaqësohet me zëvendës ministrin e kulturës, Zef Çuni, Sonila Kora, specialiste në Drejtorinë e Trashëgimisë Kulturore Materiale dhe Marin Haxhimihali, drejtor i Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit të Parkut Arkeologjik të Apollonisë.
Në takimin që po mbahet në Dubrovnik të Kroacisë, Kosova po përfaqësohet nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Veton Firzi dhe Burim Maraj, Këshilltar i Ministrit në detyrë të MKRS-së. Firzi u shpreh se Kosova e trajton me prioritet trashëgiminë kulturore, si një aset të promovimit të diversitetit dhe vlerave të mirëfillta. Ai tha se takimet dhe iniciativat rajonale në fushën e trashëgimisë kulturore, por edhe të kulturës janë mjaft të rëndësishëm. “Dëshiroj të theksoj se takimet e këtij niveli janë shumë të rëndësishme dhe na kujtojnë gjithmonë se, ndonëse si shtete të veçanta, ne kemi shumë që na bashkon e rreth së cilës mund të punojmë bashkë. Bashkëpunimi ndërshtetëror është edhe fryma e Procesit të Lubjanës, por edhe e vetë Bashkimit Evropian”, tha Firzi.
Në ditën e parë të konferencës, Firzi përsëriti edhe një herë kërkesën që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Ministrave të Kulturës të Evropës Juglindore. “Kosova këtë vit nuk u ftua në takimin e Këshillit të Ministrave të Kulturës të Evropës Juglindore që u mbajt në Maqedoni. Në vitin 2013 ne u ftuam si vëzhgues në Slloveni. Mospjesëmarrja e Kosovës në këtë takim, për shkak të mungesës së ftesës, nuk i kontribuon parimeve të bashkëpunimit rajonal, që është parim i Procesit të Lubjanës, CoMoCoSEE dhe takimeve të tjera rajonale”, shtoi ai. Firzi gjithashtu pohoi se Kosova ka dyfishuar buxhetin në shumë fusha të trashëgimisë, si në arkeologji, në restaurimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore, krijimin e databazës së trashëgimisë kulturore si dhe në ngritjen e kapaciteteve profesionale për menaxhimin e trashëgimisë kulturore.