Prodhimi vendas nuk i uli cmimet

Prodhimi vendas nuk i uli cmimet
Gati dy javë më vonë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë, prodhimet vendase të stinës më në fund kanë mbushur tregjet, duke frenuar pothuaj tërësisht produktet e importit. Për konsumatorin e qyteteve jo prodhuese, ky mund të ishte edhe momenti i artë i uljes së çmimeve, por në fakt nuk po ndodh kështu. Çmimet e fruta perimeve jo vetëm që nuk po njohin ulje, por sipas tregtarëve pritet edhe të rriten. Arsyeja? Eksportet drejt vendeve fqinjë: Greqi, Serbi, Itali e Kroaci. Por edhe në lokalitetet e prodhimit, mundësia e eksportit iu vjen vetëm prodhuesve të mëdhenj. Të vegjlit, vazhdojnë të vuajnë problemet e tregut dhe infrastrukturës

Ka fare pak ditë që në tregjet e fruta perimeve, prodhimet vendase të këtyre të fundit kanë nisur të “marrin frymë” lirisht nga prodhimet e importit. Diçka më shumë se një javë më parë, tregtarët e shumicës dhe të pakicës në kryeqytet servirnin ende domate, speca, patëllxhanë, kumbulla, luleshtrydhe, kajsi e të tjera fruta të ardhura nga vendet fqinjë. Çmime të kripura, të cilat, konsumatorët e përditshëm prisnin të uleshin sadopak me ngopjen e tregut nga prodhimet vendase. Ngut edhe për vetë fermerët, të cilët, më shumë se çdo gjë tjetër, i trembeshin përsëritjes së historisë. Që në momentin e tyre të vjeljes, çmimet të mbërrinin në shifra qesharake, me të cilat nuk do mund të nxirrnin as shpenzimet e një stine të tërë hyzmeti. Një raport i zhdrejtë interesash, por që, në varësi të tregut dhe lokalitetit ka bërë ose jo të vetën.

Të paktën në kryeqytet, megjithë proklamimin që ka nisur t’i bëhet, futja në treg e prodhimeve vendase të fruta perimeve pothuaj nuk i ka prekur çmimet. Është e kotë të pyesësh se kur do të ulet çmimi i qershive. Gjatë gjithë muajit ai nuk ishte asnjëherë më pak se 150 lekë të reja për kilogramë. Ndërsa qershori, muaji që i përligj për vetë emrin, i solli edhe më të shtrenjta në ditët e para të tij. në pazaret e Tiranës, çmimi i tyre në fillimjavë arriti 200 lekë/kg. Njësoj si qershitë, e njëjta gjë ndodhi edhe me luleshtrydhet, edhe me domatet, edhe me specat, edhe me mashurkat... Nuk kanë për tu ulur. Ose lëvizja e çmimit do të jetë aq e pandjeshme, sa për xhepin e shqiptarit mesatar do vazhdojë të jetë luks blerja e frutave, edhe kur këto janë të stinës.

“As mos prisni të ulen, blijini sot, se nesër edhe më shtrenjtë do jenë”, thotë, jo krejt pa keqardhje Bajram Hoxha, një tregtar fruta-perimesh në tiranë të re. Pse? Sepse e griu greku, serbi, boshnjaku, kroati, italiani...
 
Çmimet vazhdojnë të larta

Konsumatori vendas, mund edhe të gjendet tanimë përpara prodhimeve vendase, më të shijshme, më bio (megjithëse kjo do të lerë gjithmonë për të dyshuar) dhe më pranë natyrës, por ama duhet të bëjë llogaritë me çmimin. Sapo çelin stinën, zarzavatet dhe sidomos frutat e prodhuara nga fermerët vendas i drejtohen eksportit. Fermerët as që e mendojnë si kompromis këtë punë. Për ta ka rëndësi të shesin shpejt, me çmim të mirë, me shumicë dhe sidomos, me para në dorë. Shumica në krizë, tregtarët vendas nuk kanë mundësi t’iu ofrojnë një paketë kaq të leverdisëshme, ndaj shkojnë pak më tej, tek fermerë më të vegjël e më pranë lokalitetit të tyre, ose blejnë aq sa kanë mundësi.

Duke parë vitrinat, mund edhe të thuhet se tregu është i ngopur me prodhime vendase, por e vërteta është që çmimet kanë mbetur në vend numëro, ndërsa konsumi lëviz ngadalë.
E njëjta gjë, sa i takon konsumatorit dhe çmimeve nuk ndodh vetëm në zonat e prodhimit. Tregjet e Lushnjës, Korçës, Shkodrës, Elbasanit e Beratit, do vazhdojnë të ofrojnë çmime të mira për blerësit dhe qesharake për ta në ato prodhime që janë të lokalitetit. Ndodh kështu me domatet e Lushnjës, sallatën jeshile të Shkodrës, qershitë e Korçës etj.
 
Nryshe ndodh në lokalitetet prodhuese

Në zonat e origjinës, prodhimet vendase, konkretisht fruta-perimet mesa duket edhe këtë vit, do të përsëritin historinë, duke u shitur me çmime qesharake. Ende pa hyrë mirë në treg prodhimi vendas, çmimet e prodhimeve bujqësore kanë pësuar ulje drastike, një situatë kjo që nuk ndihmon aspak prodhuesit , të cilët nuk do të mund të marrin dot as shpenzimet që kanë kryer, pa llogaritur këtu fitimin.

Vetëm nëse kanë mundësinë e importit. Po edhe sekserët e kësaj pune, iu drejtohen më së shumti fermerëve që kultivojnë plantacione të mëdha, duke i anashkaluar ata më të vegjlit, të cilët njëherësh janë të anashkaluar edhe nga subvencionet e shtetit apo lehtësi të tjera.

Vetëm pak ditë më parë fermerë të rrethit të Sarandës dhe investitorët në fushën e fruta-perimeve në Delvinë folën për falimentim të gjithë punës së sezonit. Në mungesë të tregut, tonelata të tëra me domate dhe perime të tjera të stinës mbetej të groposeshin, bashkë me mundin e punën e tyre, edhe pse produkti është bio dhe i cilësisë më të lartë në treg.

Të njëjtin problem paraqesin edhe tregtarë të Korçës e Pogradecit. Qytetet e vogla të vendit, prodhojnë më shumë sesa ka nevojë tregu i tyre, dhe mungesa e infrastrukturës dhe pamundësia të tjera financiare nuk i lejojnë t’i sjellin prodhimet e tyre në qytetet e tjera më qendrore e me konsum më të gjerë. I njëjti problem edhe për tregtarët e tyre. Me pak fjalë, e lirë kripa në Durrës, po të ha qeraja rrugës. Kostot e karburantit që harxhon një tregtar që shkon të furnizohet në Korçë, Sarandë e Shkodër, pasqyrohen detyrimisht në çmime të kripura, që me sa duket nuk do të lëshojnë pe edhe gjatë këtij sezoni.
 
Konkurrenca me importin

Prodhimi vendas është gjithmonë në konkurrencë me produktet e importit. Konsumatori arrin ta bëjë dallimin mes prodhimeve të huaja dhe atyre të vendit, por sipas fermerëve, ai është ende i padisiplinuar me zgjedhjet. Prodhimi vendas penalizohet edhe për faj të fryrjes artificiale të pamjes që kanë prodhimet e importit. “Kërcënimi jo i drejtë nga produktet masive dhe konvencionale që vijnë nga importi është gjithmonë prezent në punën e çdo fermeri. Kjo sepse këto produkte vijnë nga vende përgjithësisht më të zhvilluara se ne dhe pa u lodhur fare të konkurrojë me cilësinë, kanë kapacitetin të konkurrojnë me reklamën e mirë që kanë”, shprehet për JAVA Zef Pashuku, një tjetër fermer që nga Shkodra.

“Në këtë pikë ne kërkojmë të kemi një mbështetje më të madhe nga ana e qeverisë në këtë drejtim, ashtu siç iu jepet homologëve të tyre në vendet e tjera të Europës,m duke bërë kështu që produkti vendas të jetë jo vetëm i marketuar mirë, por edhe i mbrojtur.

Sipas Pashukut edhe skema e subvencioneve duhet të jetë më e qartë kur vjen puna tek diferencimet. “Fondet e fundit që u dhanë, të BE, përjashtuan nga subvencioni prodhuesit e ullirit dhe të rrushit, duke mos i futur në skemë. Kjo ka bërë që këto dy vitet e fundit, vreshtaria ndiejë më pak mbështetje se tre vjet më parë.”, tha ai.
 
Rregullatori më i mirë mbetet konsumatori

“Domate ka ardhur dhe do vazhdojë të vijë, nga vendet më të ngrohta, që nga ishujt e Greqisë, e deri nga Siria e largët. E këtu nuk bëhet fjalë për kosto transporti. Ato shpeshjanë pa shije e cilësi. Por ashtu siç importohet, edhe eksportohet shumë, që nga domatja, speci e perimet e tjera e deri te frutat e ndryshme të stinës”, shprehet për revistën, Isak Bajrami, një tjetër fermer nga Shkodra që prej më shumë se dhjetë vjetësh kultivon perime në serën e tij. Sipas tij, pa dashur të kërkojë fajtorë, një nga përgjegjësit kryesorë në penalizmin e produktit vendas është vetë konsumatori, i cili duhet të jetë i ndjeshëm dhe duhet nuk duhet të orientohet nga produkti që vjen nga jashtë, pavarësisht një pamjeje më tërheqëse që mund të ketë ky i fundit. Nëse do ishte ndryshe, atëherë nuk do të ndodhte që një pjesë shumë e madhe e prodhimeve tona perimore të ishte tani duke shkuar jashtë vendit, në Mal të Zi, në Kosovë, në Itali, në Bosnje, në Itali e Kroaci e në disa vende të tjerë të Europës verilindore. Por konsumatori ynë nuk është ende gati të paguajë cilësinë.”, thotë Bajrami.
 
Bujqësia, subvencionet shkojnë qorrazi

Për meritë të natyrës, klimës që ka zona dhe, mbi të gjitha për meritë të punës sistematike të gjithsecilit fermer që kërkon të zerë vend në tregun bujqësor. Asgjë përtej kësaj. Isak Bajrami beson vetëm në forcat e veta ne jo në politikat qeverisëse, të çfarëdolloj kohe e kahu. “Unë shkoj paksa kundër rrymës, kur bëhet fjalë përkëto punë, ndaj nuk besoj se premtimet qeveritare e ato elektorale do të ndryshojnë gjë. Nëse është thënë që bujqë3sia të zhvillohet, kjo ka për të ndodhur dalëngadalë, nga puna e gjithsecilit prej nesh. Nuk besoj dhe nuk shpresoj se subvencionet që jep qeveria shkojnë për rritjen e prodhimit. Ato shkojnë me mbush ndonjë boshllëk lart e poshtë. Me pi ca gotë raki dikush e me pi duhan dikush tjetër. Nuk shkojnë ato në funksion të rritjes së prodhimit, të rritjes së cilësisë së tij. Veç kësaj, subvencionet duhet të jepen sipas kërkesave dhe nevojave”, shprehet ai.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama