Produktet e reja kozmetike erotike
- Botuar: 17 vite më parë
- Shkruar nga:
Tashmë, përdorimi i rregullt i produkteve kozmetike është kthyer në një modë. Kështu, me dëshirën për diell, det dhe ajër të pastër, lind edhe ideja për t‘i kushtuar trupit më shumë përkujdesje. Gjatë netëve të nxehta, trupat e nxirë dhe veshjet ekstravagante të zgjojnë pasionin për ta përkëdhelur trupin me aroma të këndshme dhe joshëse. Dihet që vera është edhe stina më delikate për lëkurën, ndaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Për të qenë më seksi dhe sa më joshës nën çarçafë, ju vijnë në ndihmë produktet kozmetike erotike: "kremi i kënaqësisë", "xheli i eksitimit"... Produktet "erotike" të bukurisë janë risia e fundit e mirëqenies. Një revolucion i vërtetë, apo jo?
Mesa duket, për vite me radhë biznesi lulëzues i seksit ka ndikuar shumë te kompanitë kozmetike. Sipas "Sexual Wellbeing Global Survey", studimi më i rëndësishëm botëror në fushën e seksit tregon se dyqanet e erosit kanë filluar të lulëzojnë kudo. Tashmë kompanitë kozmetike, përveç veshjeve intime, vajit të masazhit, qirinjve aromatikë, propozojnë edhe lodra erotike si kamxhikë, doreza, ndriçues dhe një mënyrë tjetër për të ndezur dëshirën seksuale.
Një vit më parë edhe linja e njohur e veshjeve intime, "La Perla", u shoqërua me një jelek seksi (maskë të zezë, qirinj aromatikë, dhe komplet intim shumë joshës).
Ndërsa për ato që nuk dëshirojnë të lëvizin nga shtëpia, dhe që pas pazarit, darkës e rehatimit të fëmijëve kanë ende fuqi të kënaqin veten, online mund të gjejnë gjithçka që duan. Nga kremi fantastik me aromë kakaoje për të fërkuar partnerin, i cili shoqërohet me një penel që krijon mbi trup dizajno të ndryshme, deri te vajrat e masazhit, siç është "Tantras love oil", me një aromë eksituese. Ky vaj është një "ftesë" për në parajsën e senseve, në zbulim të kënaqësisë përmes mistereve intime dhe të paeksploruara të pasionit. Stimulues konsiderohen edhe qirinjtë e masazhit: i ndez, i vë në një cep të dhomës dhe krijon një atmosferë shumë delikate dhe qetësuese. Djegia e qirinjve shpërndan në ajër një aromë të këndshme. Pasi qiriri është shkrirë i gjithi, mund të lyeni shpinën e partnerit, duke i bërë edhe një masazh relaksues. Femrat që dëshirojnë të jenë sa më tërheqëse, mund të përdorin parfume erotike, si "Female Instinct", një kombinim special kimik me elementë aktivë seksualë dhe joshjeje, që ndez dëshirën e epshit femëror, vepron shpejt dhe menjëherë.
Me prodhimin e këtyre produkteve të reja kozmetike, në botën e bukurisë është hapur një sfidë e re. Nuk duhet të harrojmë se bukuria dhe kujdesi për veten janë elementë të rëndësishëm për çdo njeri. Fundja, trupi është një burim i pashtershëm kënaqësish.
Këto janë produktet e para kozmetike që nxisin erotizmin dhe që premtojnë të shndërrohen në një tendencë të re, si për femrat, ashtu edhe për meshkujt. Për çiftet, koncepti i tyre lidhet drejtpërdrejt me idealin e joshjes, i cili ndoshta fillimisht shihet si një lojë, por që vë në plan të parë aromën e trupit.
Linja "JimmyJane", e krijuar nga vizionari amerikan, Ethan Imboden, në Shtetet e Bashkuara, është hedhur në treg për të arritur një qëllim të caktuar, tërheqjen e të tjerëve. Ndërsa linja tjetër, "All‘Hot item", është gërshetuar me atë të qirinjve, "Afterglow": pasi shkrihet, qiriri është i aftë të kthehet në vaj masazhi nga esencat e parajsës. Sekreti? 42 orë kënaqësi për çdo qiri masazhi.
Parfumet, kujdesi për lëkurën
Zakonisht, pas dushit, kur lëkura është shpëlarë me ujë të ngrohtë dhe poret janë hapur, është mirë që t‘i hidhet parfum ose të lyhet me krem. Një lëkurë në këtë gjendje garanton një qëndrueshmëri më të lartë të aromës së produkteve kozmetike. Dermatologët theksojnë edhe se përdorimi i parfumeve apo produkteve të tjera aromatike, gjatë ciklit menstrual dhe te femrat që vuajnë nga migrena, duhet shmangur patjetër, pasi çon drejt dhimbjeve të forta të kokës. Sipas tyre, nëse hidhet mbi lëkurë, parfumi mund të provokojë mbi lëkurë disa irritime të lehta. Kjo ndodh nëse ke një epidermë shumë të ndjeshme. Më të shpeshta në fakt janë njollat që shkaktohen nëse pasi ke hedhur parfum bën banjo dielli, ose një seancë solari". "Kur ndiejmë një parfum, miliona receptorë të qelizave të aparatit të nuhatjes transmetojnë impulset e tyre në tru, i cili i interpreton dhe vendos se cilat aroma na pëlqejnë", shpjegojnë dermatologët. "Por hapësira ndërmjet një stimuli të thjeshtë dhe dhembjes është shumë e ngushtë dhe mjafton pak për ta kapërcyer. Kjo ndodh, për shembull, kur një aromë është shumë e fortë, ose nëse nuhaten shumë parfume njëri pas tjetrit. Atëherë ndodh të provokohen dhimbje koke, deri në të vjella. Në të kundërt, nëse përdoren në sasinë e duhur, disa esenca kanë aftësinë të largojnë migrenën. Ndër këto, livanda, mentja dhe trëndafili". Si përfundim, mos harroni se, edhe pse parfumi është një element më shumë për të theksuar elegancën, asnjëherë nuk duhet vendosur në faqe, ballë apo mbi veshje, pavarësisht mbrëmjeve speciale për ku jeni nisur.
Nga : Gazeta Shqip